Fauci: Vendet e pasura kanë përgjegjësi t’i ndihmojnë vendet e varfra në vështirësi

Drejtori i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Ngjitëse në ShBA, Anthony Fauci, ka thënë se është përgjegjësi e shteteve të pasura që t’i ndihmojnë vendet që nuk e kanë nivelin e njëjtë të burimeve dhe kapaciteteve për ta luftuar pandeminë.

“Shtetet e Bashkuara vërtet e kanë gjallëruar aktivitetin e tyre për ta ndihmuar Indinë”, tha Fauci, duke shtuar se vendi i tij është duke dërguar në shtetin aziatik oksigjen, Remdesivir, pajisje personale mbrojtëse dhe produkte tjera mjekësore. Së shpejti pritet të dërgohen edhe vaksina.

“Mendoj se është një përgjegjësi që shtetet e pasura duhet ta marrin. Tash për tash është një situatë e tmerrshme tragjike, ku njerëzit po vdesin sepse s’ka mjaftueshëm oksigjen, ku nuk ka mjaftueshëm shtretër në spitale”, tha Fauci.

“Jemi të gjithë së bashku në këtë. Është një botë e ndërlidhur dhe ka përgjegjësi që shtetet kanë ndaj njëra-tjetrës, sidomos nëse je shtet i pasur dhe ke të bësh me shtete që nuk i kanë burimet apo kapacitetet që ke ti”, shtoi eksperti amerikan i sëmundjeve ngjitëse.

Sipas tij, sistemet shëndetësore globale duhet të përditësohen në mënyrë që problemet e tyre të mund të identifikohen më shpejt. Ai tha se transparenca dhe komunikimi mes vendeve është jetik, gjithashtu./ KultPlus.com