Ndahet nga jeta regjisori i kinokomedive, Fehmi Hoshafi

Është ndarë nga jeta në moshën 85 vjeçare, regjisori i mirënjohur, Fehmi Hoshafi.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë i shpreh ngushëllimet familjes.

Fehmi Hoshafi lindi më 28 shtator të vitit 1934 në Tiranë. Ai filloi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve veteranë Hysen Hakani dhe Kristaq Dhamo, në filmat e tyre Toka jonë, 1964; Vitet e para, 1965; Oshëtimë në bregdet, 1967; Gjurma, 1970.

Në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin “Estrada në ekran”, i cili u xhirua nga Kinostudio në formën e një filmi artistik. Prej suksesit që pati ky film, iu besua më vonë, në vitin 1972, regjia për kinokomedinë aq të dashur “Kapedani”, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo. Ky film shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare e që u pasua më vonë me kinokomedi të tjera po aq të dashura nga regjisori Hoshafi: Ëndërr për një karrige, 1984 dhe Zëvendësi i grave, 1987.

Në periudhën 1976 – 1990 realizon edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët, filmi “Shoku ynë Tili”. /KultPlus.com