Djaloshi me sytë e trishtuar që u internua në Tepelenë në moshën 13 vjeçare, emri i tij nuk figuron në regjistra internimi

Nga Ardita Repishti

Djaloshi me sytë e trishtuar në foto, është babi kur ishte 13 vjeç, pak javë para se ta internonin në Tepelenë, me motrën 15 vjeçe dhe nanën e shumëmunduar. Vëllai i madh, Samiu, ishte arrestuar që në 1945 dhe vuante dënimin në burgjet kampe të punës së detyruar. Vëllai tjetër, Fahriu, 22 vjeçar, u arratis nga malësia e Mbishkodrës, për t’i dhënë vetes mundësinë e jetës në liri.

Zgjedhja e tij e jo vetëm, ndikoi jetën e familjes së mbetur në shtëpinë qindvjeçare në Shkodër. Babi tregonte se kur u erdhi kamioni te shtëpia dhe u dha një orë kohë për t’u bërë gati se do të internoheshin, në rrëmujën e ngutin me të cilin e ëma dhe e motra merrnin sendet personale e ato të domosdoshme për të jetuar, ai vraponte nëpër shtëpi që të gjente strajcë për të futur librat e dhuruar nga shkolla, si nxënësi më i mirë. Kishte idenë se do t’i duheshin atje ku do të shkonte, pa qenë fare i përgatitur për çfarë e priste.

Familja u largua nga shtëpia qindvjeçare dhe e la derën hapur. U ngushtuan mbi kamion me dajën, kushërinjtë dhe familjarë të tjerë të arratisurish, për ta mbajtur frymën në kalanë e Beratit.

Atje qëndruan disa kohë, në kushte të vështira, të pamundura, me shumë familje të tjera të veriut, që shtoheshin dita-ditës. Në kujtimet e babit kishte beratas fisnikë, që ndihmonin të ardhurit me sa kishin mundësi. Kishte hutim për jetën në mjediset e papërshtatshme të kalasë dhe mirënjohje për moshatarët vendas që i mbajtën afër, të cilët, pas 40 vjetësh, ai shkoi t’i kërkonte e takonte.

Nga Berati, familja e mbetur Repishti u transportua për në Turan të Tepelenës.
Këtu babi nuk donte të fliste më. Kujtimet e tij ishin të copëzuara, të ngarkuara me dhimbje, shumë rrallë i ndau me ne.
Miku i tij në internim që e takova më vonë duke i kërkuar të më fliste për të, më thoshte se ishte e natyrshme. Njeriu s’e ka të lehtë të flasë e tregojë për një kohë kur është gjithnjë i poshtëruar. Pa folur për të tjerat.

Historitë e babit, hallës e gjyshes në Tepelenë janë të pakta. Me vështirësi i kam mbledhur nga shprehjet e tyre, kujtimet apo bisedat me axhën, i cili më shumë se të gjithë mban mend, i ka jetuar në vetë të parë dhe mund t’i lidhë të gjitha.

Pastaj lirimi, pritja gati njëvjeçare në kamp se nuk kishte makinë për t’i larguar që atje, dhe rikthimi në ahurin e shtëpisë në Shkodër, të banuar e keqpërdorur nga të tjerë, por prapë, shumë e dashur para tmerreve të Turanit e Tepelenës.

Dhe përpjekjet për mbijetesë, përshtatja me realitetin e ri, ku në shtëpinë e vet, në lagjen e vet, në qytetin e vet, ai ishte i mituri i kthyer nga internimi, me vëllanë në burg, vëllanë tjetër të arratisur, largimet e njëpasnjëshme nga shkolla, punët e rëndomta, djegia e shpresës për më mirë…

Këtë fotografi dhe tekstin shpjegues nga pas e gjetëm në shtëpi, në kopje për secilin nga ne, pasi u kthyem nga Tirana, ku babi nuk i mbijetoi sëmundjes. Sirtari i tij me letra, kujtime, shënime, dokumente, ishte sistemuar në përsosuri. Ai kishte riprodhuar foton e dëmtuar të fëmijërisë për ne të gjithë. Pa bujë, në heshtje.

Teksti i shkruar nga pas, i cili nis në vetë të tretë, është dëshmia e vetme me shkrim që më ka lënë babi për Tepelenën.

Vlerën e tij e kuptova kur ai nuk ishte më e nuk mund të përgjigjej. Dhe sa shumë pyetje ka…

Sa shumë nevojë për të ditur, njohur, kuptuar, thelluar, reflektuar, vepruar, ndërmarrë…

Kanë kaluar mbi dhjetë vjet që babi nuk është më. Emri i tij, as i gjyshes sime fisnike nuk figuron në regjistra internimi e dënimi, sikur të mos ishin larguar kurrë nga shtëpia, të mos kishin kaluar mundimet e kalasë së Beratit, tmerret e Turanit e Tepelenës, të mos kishin jetuar përherë në trysni… Ata mbyllën sytë dhe duket sikur nuk kanë qenë kurrë….

Jo vetëm ata. Shumë si ata… Fëmijët që u tretën në Tepelenë e jo vetëm, familjarë të tyre, sa e sa histori të pabesueshme që mbetën pa rrëfyer, që mezi zbulohen në kujtimet e bashkëkohësve që ikin dita-ditës dhe fiken, bashkë me zërat e tyre.

Dëshmitë e të gjithë atyre që i mbijetuan çnjerëzimit, shtypjes e ligësisë, janë të rëndësishme.

Ata i sjellin në të sotmen fatet e njerëzve tanë, i japin ngjyra asaj ane të historisë për të cilën është bërë kujdes të asgjësohen apo tjetërsohen dokumentet, por jeta dhe fryma mbeten, edhe kur nuk duken, edhe e vërteta…

Këtë foto e mbaj pranë vetes.

Babi më sheh i trishtuar, fëmijë, nga një dimension që unë nuk ia njoha kur ishte me ne.

Por babi 13 vjeç, në pritjen e ankthshme të të panjohurës, ka një forcë që nuk mund ta gjej gjithkund.

Babi im fëmijë, i bardhë, i pafaj e fisnik, nuk flet, por thotë shumë; nuk bën, por vepron, nuk ndërmerr, por vendos.

Sa histori mund të lidhen me një foto, ku kohët nuk janë rend kronologjik… / KultPlus.com