“Festa e Amantias”, qyteti i lashtë tërheq vëmendjen e turistëve vendas e të huaj

Si çdo vit, në stadiumin antik të parkut arkeologjik të Amantias, Vlorë, u zhvillua këtë fundjavë festa e këtij qyteti të lashtë, që tërhoqi vëmendjen e qindra qytetarëve vendas,por edhe turistëve të huaj.

Në aktivitetin e organizuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë dhe kryesia e fshatit Ploçë grupe folklorike dhe artistë të zonave të ndryshme të Labërisë sollën larmi vlerash të trashëgimisë kulturore të pasur të kësaj zone.

Aktiviteteve festive ju bashkëlidh dhe aktiviteti sportiv “Kupa e Amantias”, ku morën pjesë ekipet amatore të futbollit të zonave të bashkive Vlorë, Selenicë dhe Tepelenë.

E pranishme në këtë atmosfere festive ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ndoqi nga afër këtë aktivitet dhe u njoh me vlerat e parkut arkeologjik të Amantias, si dhe deputeti i Partisë Socialiste në Vlorë, Vullnet Sinaj.

Në fjalën e tij Sinaj u shpreh se “kjo është një festë që na jep krenari kombëtare. Bëhet fjalë për një qytet të lashtë, ku ne barazohemi afërsisht me qytetërimin Roman. Unë kam dhënë kontributin tim në mënyrën më të thjeshtë me dëshirën time që ta organizojmë sa më mirë këtë festë”.

“Të vish në Amantia, të nisesh nga qyteti i Vlorës rruga është e shtruar komplet me asfalt dhe kjo është një shtysë që turistët të vijnë këtu. Kam biseduar me Ministrinë e Kulturës për të ndërtuar një varr të vjetër që është zbuluar këtu, për ta ndërtuar në formën që ka pasur. Kështu Amantias përveç stadiumit, akropolit, tempullit të Afërditës do t’i shtohet edhe ky varr i vjetër ilir që do të të jetë një objekt tjetër për tu vizituar nga turistët”, theksoi Sinaj.

Amantia ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit./k.s/ KultPlus.com