Festival kulinarie në Shkodër

Festivali i ushqimeve dhe pijeve e transformoi sheshin para bashkisë së Shkodrës në një markatë të madhe ku servireshin pjatat dhe gatimet më të mira të restoranteve të qytetit si dhe produktet lokale të zonës. Prania e disa prej bizneseve që operojnë në qytet në fushën e gastronomisë solli interesin e qytetarëve për t’u njohur më nga afër me to por edhe për të provuar shijen e gatimeve bio.

Të pranishëm në panairin gastronomik ishin edhe shefat italianë të ardhur enkas për edicionin e parë të festivalit ku në fjalën e tyre përshëndetën iniciativën e organizatorëve.

Kryetari i bashkisë Bardh Spahia u shpreh se ky nuk është një festival që promovon vlerat gastronomike të qytetit, por edhe i resurseve dhe bukurive natyrore të Shkodrës ndërsa theksoi se ai do të shndërrohet në traditë.

“Mendoj se nëpërmjet promovimit të resurseve tëjashtëzakonshme  që ka territori i bashkisë tonë, është mënyra më e mirë për të stimuluar ekonominë. Kjo shihet qartë edhe gjatë këtyre dy ditëve të jashtëzakonshme që shohin të angazhuar një numër shumë të madh të realiteteve ekonomike, e kam fjalën për mëse 20 restorante, njësi prodhuese, fermerë të angazhuar në këtë festival të gastronomisë shkodrane. Besoj se jehona e këtij festivali ka qenë e madhe në vend e përreth,veçanërisht në shtetin fqinj, Itali”.

Në orët e mbrëmjes festës iu shtua edhe muzika duke vijuar me artistët që performuan deri në orët e vona të saj duke bërë që të gjithë ata që kishin mbushur sheshin ta shijonin atmosferën e krijuar./ Klan News/ KultPlus.com