Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Teatrin Metropol dhe Bashkinë Tiranë, do të sjellin së shpejti festivalin e veçantë “Cantare la voce” (Me këndu zërin), drejtues artistik i të cilit do të jetë pianisti virtuoz Robert Bisha.
Festivali do të zhvillohet për tri netë rresht, duke filluar mbrëmjen e datës 5 tetor.
Nata e parë do të fokusohet kryesisht në pjesë të kompozitorit Luciano Berio, interpretuar përmes Folk Songs nga kantautorja Ilaria Pilar Patassini. Së bashku me repertorin e saj elegant dhe origjinal, të zhanrit pop-jazz, kantautorja do të propozojë më pas disa këngë tradicionale shqiptare, të rishikuara së bashku me pianistin Robert Bisha.
Nata e dytë, do të ketë për protagonist një nga zërat unik të Italisë së sotme. John De Leo, kantautor, kompozitor dhe interpretues. Ai do të performojë këtë herë në trio, me një repertor origjinal. Mes blues-it dhe elektronikës bashkëkohore, rokut avangard dhe xhazit, De Leo thjesht përshkon zhanre të ndryshme, duke përftuar më pas thelbin e tyre, në nota vokale të personifikuara.
Në natën e tretë, do të ndodhë për të parën herë, takimi në të njëjtën skenë mes polifonisë tradicionale të Sardenjës “Canto a tenore” dhe Iso-polifonisë, traditë e Shqipërisë së Jugut, të dyja pjesë e trashëgimisë së Unesco-s.
Pjesa e dytë të koncertit të dyfishtë, do të shikojë si protagonistë dy projekte të rinj eksperimental, që lidhen me dy traditat polifonike. “Frymë”, është projekti i Robert Bishës, pianist, improvizues, kompozitor italo-shqiptar. Projekt i lindur në vitin 2015, i fokusuar fuqishëm tek llojet e shkallëve pentatonike të pranishme në traditën shqiptare, për të përshkuar më pas notat e xhazit avangard bashkëkohor.
Nata e tretë, do të prihet nga konferenca dhe biseda me Nicola Scaldaferri, etnomuzikolog, kompozitor, multiinstrumentist dhe profesor i etnomuzikologjisë pranë Universitetit Shtetëror të Milanos./ atsh / KultPlus.com