Arbëreshët me këngët shekullore dhe grupi ‘Rozafati’ nga SHBA, pjesë e Festivalit Folklorik në Gjirokastër

Arbëreshët me kostumet e këngët e tyre të trashëguara ndër vite janë mirëpritur në skenën e Festivalit Foklorik Kombëtar të Gjirokastrës.

Në natën e shtatë të edicionit të 11-të këtij festivali, ku spikatën edhe shumë folklorist të rinj, të ardhur nga SHBA.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga performanca e grupeve pjesëmarrëse në festivalin folklorik i rikthyer pas 8-të vitesh mungesë.

“Arbëreshët me këngët shekullore si dëshmia me e bukur e origjinës tonë, të rinjtë shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe trashëgojnë me besnikëri këtë pasuri kombëtare dhe Gjirokastra e folklorit interpretuan në natën e shtatë në Festivalin Folklorik Kombëtar”, shprehet Rama.

Në skenën e festivalit, përveç artistëve dhe grupeve artistike nga 12 qarqet e vendit, morën pjesë edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi etj. Në skenën tradicionale të Kalasë, u ngjiten edhe grupe muzikore folklorike nga arbëreshët e Italisë, të shqiptarëve nga Greqia, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicra.

Të gjitha minoritetet dhe dëshmitë e tyre muzikore dhe koreografike janë të përfaqësuara në festival brenda grupeve të qarqeve përkatëse.

Për herë të parë është hequr konkurrimi midis grupeve, bazuar në konceptimin se vlerat folklorike nuk duhet të jenë në kompeticion me njëra-tjetrën pasi secila prej tyre është unike dhe e bukur në tërësinë e saj./KultPlus.com

default

Nata e parë e festivalit folklorik në Gjirokastër, interpretuan grupet e Kukësit, Beratit dhe Maqedonisë së Veriut

Festivali Folklorik Kombëtar ka sjellë në Gjirokastër ritme dhe ngjyra që kanë mbushur gjithë qytetin dhe rrethinat.

Grupet folklorike të qarkut të Kukësit dhe Beratit si dhe Ansambli Shtetëror Shqiptar i Maqedonisë së Veriut sollën emocione të rralla në natën e parë të eventit.

Artistët popullorë kanë përcjellë copëza të rralla të trashëgimisë kombëtare, materiale burimore, tinguj të instrumentave si fyejt, lahuta, çiftelia si dhe valle qindra vjeçare të traditës, elementë autentikë të kostumeve si ai i Rrajcës, Beratit e Skraparit. Grupet debutuese u paraqitën me artistë të të gjitha moshave e për herë të parë spikaste numri i madh i të rinjve. Megjithatë shumë prej pjesëmarrësve mendojnë se procesi që i parapriu përgatitjes për festivalin ka qenë i shkurtër dhe i pamjaftueshëm. Grupet kanë pasur pak kohë për prova ndërsa edhe kriteret e selektimit kanë qenë shumë të ndryshme nga festivalet e mëparshëm.

Festivali Folklorik Kombëtar do të vijojë sot në mbrëmje me debutimet e qarqeve të Lezhës dhe Vlorës si dhe grupin përfaqësues të shqiptarëve të Malit të Zi. Në orët e vona të mbrëmjes çdo natë do të sjellë ritme të tjera të muzikës qytetare, asaj të lehtë, rokut dhe bandave të njohura nga disa vende fqinjë. Skena e eventit po ndahet mes kalasë dhe zonës historike ndërsa festa është duke përfshirë gjithë qytetin.

Festivali do të zgjasë 8 ditë dhe pritet të evidentojë aspekte të harrura të trashëgimisë kulturore. Për herë të parë nuk do të ketë konkurrim por një komision ekspertësh të etnografisë, folkut, trashëgimisë kulturore dhe muzikologë që do të vlerësojnë prurjet më origjinale si dhe kalimin e elementëve të traditës nga brezi në brez./Top Channel/KultPlus.com

Nis puna për sistemimin e skenës së Festivalit Folklorik të Gjirokastrës

DRTK Gjirokastër sjell një album fotografik, i cili tregon për punën që ka nisur në skenën e mirënjohur të Festivalit Folklorik, në kalanë e qytetit.

DRTK Gjirokastër në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në vijim të përgatitjeve për Festivalin Folklorik Kombëtar, ka filluar punimet për restaurimin e skenës të festivalit dhe sisteminim e ambienteve të kalasë.

Ministrja e Kulturës ka njoftuar se, ky është viti i rikthimit të Festivalit Folklorik Kombëtar, i cili do të zhvillohet në muajin qershor.

Prej DRTK-ve të ndryshme kanë dalë njoftimet se ka nisur puna për përgatitjen e grupeve kulturore-artistike për pjesëmarrjen në festival.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u mbajt në vitin 1968. Prej asaj kohe, ai është zhvilluar çdo pesë vjet.

Festivali i Gjirokastrës ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit./KultPlus.com