Është mbajtur në qytetin e Shkodrës Festivali i 59-të Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë. Kompozitorë dhe krijues, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, përgjatë dy netëve kanë sjellë krijimet e tyre në këtë kompeticion, ku vetë fëmijët votojnë për këngën fituese.
Mes 18 krijimeve të paraqitura, “Princesha e babit”, kënduar nga Marina Daka, me muzikë dhe tekst nga Erjona Rushiti e orkestrim nga Enis Mullai u shpall fituesja. Ky edicion erdhi në prezantimin e Kamela Islamaj, e cila gjithashtu në fillesat e saj ka qenë pjesëmarrëse në festivalin e fëmijëve.
I vetmi kompeticion i këngës për fëmijë në vend me një traditë të pandërprerë edhe gjatë vitit të shkuar në pandemi, festivali është pjesë e rëndësishme e shpirtit të qytetit të Shkodrës dhe e jetës së tij kulturore. Ashtu si cdo vit, edhe në këtë edicion kanë qenë pjesëmarrës emra të njohur të kompozitorëve, të cilët shkruajnë edhe në muzikën për të rritur.
Ndërkohë, në një tryezë të mbajtur me autorët dhe organizatorët e ngjarjeve kulturore për fëmijë nga gjithë trevat shqiptare, u diskutuan me këtë rast edhe problematikat me të cilat po përballet sot muzika për fëmijë në vendin tonë.
Mjeshtri i Madh Kujtim Alija, në krye të organizimit të festivalit prej 36 vitesh, theksoi në fjalën e tij, rëndësinë e shpërndarjes së krijimeve të këtij festivali tek të gjithë fëmijët. Ai propozoi bashkëpunimin me institucionet arsimore për t’ja prezantuar këngët me partiturat, mësuesve të muzikës dhe njëkohësisht peshën e medias në këtë proces.
Ndërkohë, koordinatorja e festivalit Manjola Lloja Bushati propozoi intitucionalizimin dhe koordinimin e bashkëpunimit mes festivaleve të këtij lloji në të gjitha trevat shqiptare, me qëllim rritjen e cilësisë në secilin prej aktiviteteve.
Kujtojmë se Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë në Shkodër, është institucioni ku në 59 vite kanë kënduar në fëmijërinë e tyre, emrat më të njohur të muzikës./ tv klan.al/ KultPlus.com