Festivali Ndërkombëtar i Teatrove – PITF, shpall thirrjen për edicionin 2020

Festivali Ndërkombëtar i Teatrove “Prishtina International Theater Festival – PITF” dhe Teatri AAB “Faruk Begolli” nga Prishtina, ftojnë të gjitha palët e interesuara (teatrot profesionale, kompanitë teatrore, kompanitë e pavarura teatrore dhe format e tjera të prodhimeve teatrore) të aplikojnë për pjesëmarrje në edicionin e katërt të Festivalit PITF 2020, i cili do të mbahet nga 26-31 maj 2020, në Kolegjin AAB në Prishtinë, përcjellë KultPlus.

Festivali ka karakter garues, me një juri profesionale si dhe dy juri të veçanta të studentëve dhe të medias. Festivali shpërblen aktorin/aktoren më të mirë si dhe ndan çmimin për shfaqjen më të mirë, ndërsa nuk ka kufizim të zhanrit.

Qëllimi i festivalit është të prezantojë projektet teatrore me cilësi të lartë nga e gjithë bota dhe të shkëmbejë mendime, ide, plane dhe përvoja, si dhe bashkëpunimet e ardhshme në shkëmbimin e projekteve.

Aplikimet mund të dorëzohen deri më 30 prill 2020.

Përzgjedhja përfundimtare do të dihet në fillim të muajit maj 2020.

Kushtet e festivalit: udhëtimi, transporti i skenografisë, akomodimi (me mëngjes), dreka, koktej pas çdo shfaqje, biletat për të gjitha shfaqjet e tjera në festival. / KultPlus.com