Lorik Pylla fiton bursë nga ‘EuroStrings’ për Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Pejë

Lorik Pylla është shpallur fitues i bursës “EuroString” për Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Pejë, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur “EuroString”, ku edhe kanë dhënë detaje mbi biografinë e fituesit, të cilat KultPlus ua sjellë më poshtë.

Lorik Pylla ka lindur në vitin 1998. Ka filluar të merret me muzikë që në moshën 6-vjeçare në korin e fëmijëve. Kur ishte nëntë vjeç, u regjistrua në shkollën e muzikës ku filluam të luanim kitarë dhe flaut. Mori diplomën 5-vjeçare në shkollën fillore për flaut dhe më pas vazhdoi edukimin muzikor duke u fokusuar në kitarë. Loriku ka fituar shumë çmime të para në garat evropiane si gara Naissus Guitar Festival, Tremolo International Guitar Festival Skopje, Ars Kosova Competition. Aktualisht është në vitin e katërt të studimeve bachelor në Akademinë e Muzikës në Darmstadt, Gjermani. Ai studion në klasën e virtuozit dhe profesorit shumë të shquar të kitarës Tilman Hoppstock. Si përvojë profesionale mund të shtojmë koncertet në Turqi (në Stamboll dhe në Bursa), një turne solo recital nëpër Evropë dhe në qytetet më të mëdha të Kosovës, duke luajtur në sallën e Filarmonisë së Kosovës. Ai ndoqi masterklasa me kitaristë të famshëm si Marcin Dylla, Lukasz Kuropaczewski, Rovshan Mamedkuliev, Aniello Desiderio, Goran Krivokapic, Lorenzo Micheli, Petrit Ceku, Carlo Marchione, Paolo Pegoraro, Dale Kavanaugh, David Russell, Music Academy (E Angelo Gilarandi), etj. /KultPlus.com

Edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar “Nën Brazat e Kohës”

Së fundi u mbajt edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar të artit “Nën braza të kohës“, në Strellc të Deçanit. Edhe ky edicion u përqendrua rreth objektit ”Kulla tradicionale”, që shërbeu si subjekt dhe objekt i festivalit, përcjell KultPlus.

Artistë, dramaturgë, arkitektë, aktorë, muzikantë dhe personalitete të tjera nga bota akademike u mbledhën në këtë manifestim ndërkombëtar. Ky event përmblodhi një seri me aktivitete paralele e të ndërlidhura të teatrit, arteve pamore, artit konceptual e muzikës. Risia në këtë eveniment ishte pjesëmarrja aktive e studentëve dhe profesorëve të arkitekturës.

Sajë tyre, kulla tradicionale shqiptare u zhbirua nga ana profesionale me skica, vizatime, video, dizajn, të cilat u inkuadruan në performancën artistike.

Edhe në këtë edicion shtrati etno-kulturor, përzierja e pjesës folklorike me mizanskenën konceptuale morën rëndësi. Të gjitha shfaqjet u kryen brenda ose para kullës, për t`i dhënë një dimension sa më fizik e popullor qasjes teatrore. I veçantë kësaj here ishte edhe pelegrinazhi “Happening” në rrugën Strellc-Isniq.

Artistë ndërkombëtarë kryen aktivitete në raport me gjeografinë dhe banorët vendas duke arritur një interaksion tepër impresionues. Ky shtegtim në peizazhin etno-grafik lokal lidhej ngushtë me studimin antropologjik të autores së mirënjohur Berit Backer. Kjo studiuese ka hulumtuar thellë doket dhe sociologjinë e familjes shqiptare, sidomos aktivitetin njerëzor brenda hapësirës së kullës në Isniq përgjatë viteve 70-të. Ky studim u përdor si inspirim fillestar i agjendës së aktivitetit, që përmbante një program interdisiplinar. Edhe në këtë edicion krijimi i një interaksioni, raporti funksional midis performancave ishte prioritar. Artistët vendas dhe ndërkombëtarë arritën një bashkëpunim sa gjuhësor dhe fizik, duke shkrirë dhe tejkaluar kufinjt kulturorë.

Materia tekstuale e përdorur në këtë edicion: Medea, arti i ekzilit The Living Theatre – People`s Project Peisazhe me argonautët, Medeamaterial, Loja e Medeas – Kthimi në brazë – Nita – Odisea, Kënga e 17-të – Uliksi, kap. 18-të – Poezi, ninulla e këngë tradicionale shqiptare – Ekspozita/Aksione/Instalacione nga: Studentë dhe profesorët të Studio 3 të Universitetit të Insbruckit, Akademisë së arteve pamore – Vjenë (Akademie der Bildenden Künste – Wien) dhe të UBT-së – Prishtinë. / KultPlus.com