“Kodi shqiptar” i regjisores izraelite, Yael Katzir shfaqje maratonë në Shqipëri

Do të ketë një maratonë shfaqjes në Shqipëri filmi dokumentar “The Albanian code” (“Kodi shqiptar”) prodhuar nga Katzir Production i Yael Katzir e Gady Castel për Konferencën mbi Rivendikimet. Një udhëtim që nis nga qyteti i Tiranës (4 dhjetor) për të vazhduar në Shkodër (6 dhjetor), Krujë (7 dhjetor), Vlorë (8 dhjetor) dhe Durrës (9 dhjetor).

Dokufilmi “Kodi shqiptar” është paraqitur në 2019 në Shqipëri në praninë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, 5 ministrave e 12 ambasadorëve dhe ngjalli një duartrokitje të zgjatur 5-minutëshe të publikut, i cili asistoi në një shfaqje emocionuese. Me atë rast lindi ideja e Klodiana Çukas për vendosjen e nëntitujve italisht (shërbim përmbushur nga Integra Onlus) për ta kthyer dokufilmin në të shikueshëm në Itali, nën një binjakëzim ideal të rrugëtimit historike e ngjarjeve të lidhura që shohin dy vendet e Adriatikut të lidhur jo vetëm gjeografikisht.

Për herë të parë filmi dokumentar duhet të shfaqej në Romë të Italisë në 24 shkurt 2020 pranë sallës prestigjioze të Diskotekës së Shtetit. Shfaqja do të mundësohej nga bashkëpunimi i Integra Onlus, drejtuar nga italo-shqiptarja Klodiana Çuka, me Lidhjen Italiane të të Drejtave të Njeriut (LIDU Onlus), Integra solidale, Ambasadën e Shqipërisë në Romë, shoqatën kulturore Ipathia, TMP, Meditenere, PoloBiblo Muzeal i rajonit të Puljas, Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Akademia e Minervës. Fatkeqësisht përputhja e datës me nisjen e mbylljes së mjediseve publike në Itali prej pandemisë Covid-19 e bëri të pamundur shfaqjen.

Për filmin

Viti 1943: Italia kapitullon para Aleatëve me armëpushimin e 8 Shtatorit dhe nazistët nisin të vrasin ushtarët italianë, konsideruar si dezertorë, kudo që i gjejnë. Popullsia shqiptare refuzon t’i përmbahet urdhrave të pushtuesit nazist për të dorëzuar hebrenjtë rezidentë brenda kufijve të vendit. Merr shkas prej kësaj historie filmi dokumentar “The Albanian code” (“Kodi shqiptar”) prodhuar nga Katzir Production i YaelKatzir e Gady Castel për Konferencën mbi Rivendikimet.

Shqipëria, popullsia e së cilës është mbi 70% e fesë myslimane, i bindet një kodi nderi të quajtur “besa”, sipas të cilit vdekja është më e preferueshme sesa kthimi i kurrizit ndaj një personi në nevojë. Besa shtrihet deri në faktin se shqiptari ndihmon këdo që paraqitet në nevojë para derës së tij, edhe kur ky është armiku i tij kryesor. Në atë çast historik vetë mbreti Zog ndërhyri personalisht. Duhet kujtuar se bashkësia hebraike në Shqipëri ishte shumë e vogël (rreth 200 vetë) dhe numri i hebrenjve të shpëtuar ishte shumë më i madh. Mijëra të tjerët që u shpëtuan kishin mbërritur në Shqipëri nga Serbia, Maqedonia, Kroacia e Mali i Zi, të ndërgjegjshëm se në këtë vend kishin shpresë t’i mbijetonin persekutimeve naziste.

Në Shqipëri hebrenjtë nuk u trajtuan si refugjatë por si miq. Janë mbi 2000 hebrenjtë (numri përfshin edhe ata që mbërritën në vend) që u mbrojtën e u shpëtuan nga vdekja e sigurt. Me aq sa dimë, asnjë çifut i vetëm në Shqipëri nuk iu dorëzua nazistëve. “Besa” përshkruhet në një kod të shkruajtur në shekullin XV por ka rrënjë historike më të thella. Fjalë për fjalë do të thotë “të mbash një premtim”. Kush vepron sipas besës është dikush që mban fjalën e dhënë, dikush të cilit mund t’i besohet jeta vetjake dhe ajo e familjes. Gjatë Holokaustit kodi shqiptar i besës u zbatua nga ata që ndihmuan e mbrojtën më pak fatlumët, mes të cilëve mijëra hebrenj. Ky film dokumentar ofron një këndvështrim të gjerë të këtyre heronjve pak të njohur dhe në të njëjtën kohë jep perspektiva në vetën e parë përmes rrëfimit të të shpëtuarve e të shqiptarëve që i ndihmuan. “Kemi të bëjmë me një udhëtim për t’i thënë faleminderit popullit shqiptar, i cili u soll ndryshe krahasuar me gjithë Evropën” pohon regjisori.

Ky akt shpëtimi përbën një shembull unik solidariteti njerëzor, tepër aktual edhe sot,i cili shkon përtej besimit fetar dhe nuk ka homologë në krejt globin. Përveç çifutëve, popullsia shqiptare, mbështetur prej autoriteteve civile, fshehu e mbrojti dhjetëra mijëra ushtarë italianë e refugjatë.

Për regjisorin

Gady Castel është një izraelit me origjinë italiane. Regjisor e producent prej 50 vjetësh, ka mbi shpinë një seri të gjatë mbi 65 dokumentarësh e nismash serish televizive, mes të cilave përmendim dokumentarin “Shtëpia e fëmijëve”, nga i cili është frymëzuar seria transmetuar në RAI “Lufta ka mbaruar”. Dokumentari i tij “Të rilindësh në Pulja” është paraqitur me sukses në shumë lokalitete të Puljas (mbi 20) e qytete të tjera italiane (Romë, Milano, Torino, Xhenova mes të shumtave). Dokumentari i tj “Shtëpia e fëmijëve” vazhdon të paraqitet në lokalitete të ndryshme të Italisë dhe të transmetohet në rrjetin TV Rai Storia. Për veprimtaritë kulturore mes Italisë e Izraelit është nderuar me titullin e Kavalierit të Republikës Italiane nga presidenti Napolitano. Jeton e punon në një kibutz në Izrael.

Me rastin e Panairit të 27-të Ndërkombëtar të Tiranës, në Vendin e Shqiponjave filmi rikthehet bashke me Gady Castel me dashuri te madhe për publikun në një bashkëpunim mes Integra Onlus, Fondacionit shqiptar Ura për të Ardhmen, mbështetjes financiare të Ministrisë së Jashtme izraelite e mbështetjes institucionale të Ambasadës së Izraelit në Tiranë.

Shfaqjet:

Tiranë – 4 dhjetor 17.30 Pallati i Kongreseve, KlikExpo

Shkodër – 6 dhjetor pranë Auditoriumit 3 REKTORAT të Universitetit të qytetit

Krujë – 7 dhjetori ora 11.00 pranë Muzeut Historik të Skënderbeut

Vlorë – 8 dhjetor ora 18.00 Salla Pallati i Kulturës

Durrës – 9 dhjetor ora 18.30 Pallati Kulturës

Në Tiranë dhe Vlorë do të shërbejë si kornizë e filmit DocuEkspozita “Integrim…30 vjet te Eksodit të madh të 1991” i Vittorio Arcieri e realizuar nga Integra Onlus me kontributin e Regione Puglia, bashke me DocuKatalogun e botuar në Tiranë në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Dritëro”.

Pas prezantimit të filmit do të zhvillohet një diskutim i publikut me Autorin Gady Castel dhe me personalitet e pranishme. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com

Shfaqet filmi dokumentar “N’Agim” nga Malborë Krajku

Shoqëria kulturore-artistike ‘’Agimi’’ është ndër institucionet më të rëndësishme shoqërore të shekullit të fundit, i cili mbrojti dhe përfaqësoi dinjitetshëm kulturën tonë, si në planin krijues ashtu në atë riprodukues – me këngët korale dhe vallet tona popullore. Me formimin e SH.K.A ‘’Agimi’’, filloi jeta e organizuar dhe e institucionalizuar e spektrit kulturor dhe artistik përbrenda vullnetit amator të shqiptarëve të Prizrenit.

Ky dokumentar i punuar nga Malborë Krajku, paraqet videot dhe fotografitë nga arkiva e një periudhe të ndritshme kulturore të Prizrenit. Gjithashtu sjellë tregimet personale të disa nga ish-anëtarët e shoqërisë “Agimi”, të cilët do të na tregojnë më shumë rreth kujtesës nostalgjike të përbashkët dhe rrugëtimit të këtij komuniteti.

Shfaqja e filmit dokumentar “N’Agim” bëhet me 13 Mars (e mërkurë) te ”Kino Armata” në Prishtinë në orën 20:00. Së bashku me dokumentarin “N’Agim” do të shfaqet dhe filmi dokumentar “Herd” i regjisorit Baris Karamuco, i cili flet për pjesët e jetës së përditshme të fermerëve që jetojnë me kopetë e deleve në malet e Sharrit. Premierat e të dy këtyre dokumentarëve u shfaqën në dhjetorin e vitit të kaluar në DokuKino në Prizren, ku pas një interesimi të madh të audiencës po rishfaqen në Prishtinë

Ky projekt është bërë i mundshëm nga Heritage Space e cila është platformë e nisur nga CHwB Kosova që i krijon hapësirë individëve kreativ të përdorin trashëgiminë kulturore si burim frymëzimi për krijimin e punëve të reja, përmes përdorimit të mediumeve të ndryshme, për zhvillim ekonomik, social dhe kulturor në Kosovë. Kjo platformë krijon lidhje të reja në mes të krijuesve dhe shoqërisë me trashëgiminë. / KultPlus.com