Historia e filmit të parë shqiptar “Tana”

Në vitin 1953 kinematografia shqiptare, e cila ishte në vitet e para të krijimit të saj, në bashkëpunim më kinemanë sovjetike, kishte realizuar filmin e parë shqiptaro-sovjetik “Skënderbeu”. Por, meqë ishte një bashkëpunim, në historikun e kinemasë shqiptare, jo filmi “Skënderbeu”, por filmi “Tana” konsiderohet si filmi i parë. Sot do të tregojmë historikun se si lindi ky film.

Filmi “Tana” është filmi i parë i mirëfilltë i kinematografisë shqiptare, xhiruar krejtësisht me autorë e aktorë shqiptarë. Filmi u mbështet mbi një skenar të shkruar nga shkrimtarët shqiptarë, ndërtuar mbi një subjekt të jetës shqiptare. Regjisori, aktorët, kompozitorët, operatorët e të tjerë ishin të gjithë shqiptarë dhe filmi ishte me kohë të plotë dhe jo me metrazh të shkurtër.

Subjekti i filmit u mor nga novela e shkrimtarit Fatmir Gjata dhe për ndërtimin e skenarit të filmit punuan shkrimtarët Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi, në bashkëpunim me kineastin Kristaq Dhamo. Në film trajtohet një nga problemet më të mprehta të shoqërisë shqiptare për kohën, siç ishte kolektivizimi në fshat, por edhe ndryshimet që po ndodhnin mbi disa aspekte të jetës së shoqërisë shqiptare, kryesisht në fshat. Filmi i përmbante të gjitha: dashurinë, urrejtjen, zemërimin, ligësinë, mentalitetet e deri tek përdorimi i armës për të ndaluar një dashuri. Regjisori Kristaq Dhamo me realizimin e filmit “Tana” tregoi se kishte fituar shumë nga bashkëpunimi dhe përvoja me kineastët sovjetik që në xhirimet e filmit “Skënderbeu”, por edhe në vitet më pas, deri në realizimin e filmit “Tana”.

Xhirimet e para të filmit të parë shqiptar u realizuan në atelienë e ngritur në një nga sallat e Liceut artistik. Aty u xhirua një nga skenat e para të filmit, ku të gjithë kooperativistët janë të mbledhur në klub e po dëfrejnë e kërcejnë.  Një skenë tipike e realitetit shqiptar të atyre viteve. Në këto çaste klubit i afrohet i dashuri i Tanës, Stefani.  Ai ishte i mërzitur sepse Tana i kërkoi që të shkojë për të jetuar e punuar në fshatin e saj, por ai nuk e kishte me qejf. Përveç kësaj, në fshat janë hapur fjalë sikur Tana kërkon të martohet me Lefterin, një bashkëfshatar. Nga dritarja e klubit Stefani shikon Tanën dhe Lefterin që kërcejnë së bashku vallen e shamisë së beqarit dhe në kërcim e sipër Tana e djeg shaminë dhe e mbështet kokën në supin e Lefterit. Një skenë që shkakton xhelozi dhe rrit dramacitetin. E gjithë skena u xhirua me mjeshtëri nga operatori Mandi Koço. Personazhi kryesor në film ashtu si dhe në novelë ishte Tana, e interpretuar nga aktorja e teatrit të Shkodrës, Tinka Kurti. Aktorja e re, e talentuar Tinka Kurti e solli bukur personazhin e Tanës. Edhe pse aktore e teatrit, kritika e kohës e vlerësoi aktoren për paraqitjen e mirë që bëri në film, duke iu larguar teatralitetit e duke e luajtur natyrshëm personazhin e një vajze të re të dashuruar.  

Një tjetër personazh kryesor në film, ishte Stefani, interpretuar nga aktori i Teatrit Popullor, Naim Frashëri. Ai është një djalë malësor, romantik, me dashuri të pastër, që dëshiron të ndërtojë një jetë të re, edhe pse në fillim kishte vështirësitë e saj. Antigonisti i tij, që dëshironte të martohej me Tanën, ishte Lefteri, interpretuar nga një tjetër aktor i teatrit popullor, Kadri Roshi. Pas një dehjeje në lokal dhe i ndikuar nga fjalët e njerëzve në fshat, ai shkon dhe qëllon me armë zjarri mbi Stefanin. Aktorë të tjerë që interpretojnë në këtë film janë Pjetër Gjoka, Marie Logoreci, Violeta Manushi, Lazër Filipi, Pandi Raidhi, Esma Agolli, etj.  

Krahas aktorëve, të cilët duke mos pasur eksperiencë në kinematografi, ishin të gjithë aktorë që vinin nga teatri, në film u aktivizuan edhe 1000 figurantë, gjithashtu edhe montazhierë, punonjës të laboratorit, elektricistë e të tjerë. Ndihmë të madhe në realizimin e filmit dhanë fshatarët e Lozhanit të Korçës, të cilët qëndruan për ditë të tëra në dispozicion të kolektivit të Kinostudios gjatë xhirimeve të filmit.

Muzika e filmit u kompozua nga Çesk Zadeja dhe luajti një rol të madh në zbulimin e botës së brendshme të heronjve, ajo ishte origjinale, e drejtpërdrejtë dhe ndikonte në zhvillimin dramatik të ngjarjeve.

Premiera e filmit u dha më 17 korrik 1958. Deri në atë ditë askush nga punonjësit e Kinostudios “Shqipëria e Re” nuk e kishte parë filmin të plotë nga fillimi deri në fund. Kishte disa që kishin parë disa episode të veçanta, por jo të gjithin.  Por, para se të shfaqej premierë për publikun e gjërë, protagonistët e filmit, punonjësit që morën pjesë në shfaqjen e tij, e panë filmin të plotë dhe u bënë opinionistët e parë të tij. Pastaj kur erdhi nata e premieres për publikun e gjerë, salla u mbush plot. Shqiptarët ishin kuriozë për të parë një film të realizuar krejtësisht nga artistët e tyre. Në gazetën “Bashkimi” të datës 18 korrik 1958, aktorët e filmit “Tana” do të jepnin përshtypjet e para për filmin dhe kjo gjë ishte një risi për mentalitetin shqiptar.  

Filmi “Tana”, si filmi i parë shqiptar, sot më shumë vlerësohet për vlerën dokumentare dhe historike, sesa për komponentë të tjerë. Megjithatë duhet theksuar se aty janë gdhendur profilet artistike të një kasti të mrekullueshëm aktorësh, të cilët në ato vite ishin ndër hapat e parë të karrierës, por që më vonë u shndërruan në yje të një realiteti të ri kinematografik. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) në suazën e proçesit të restaurimit dhe dixhitalizimit të filmave të vjetër shqiptar ka realizuar restaurimin e filmit të parë “Tana”, duke shkundur pluhurin e kohës dhe duke e bërë të arritshëm për të gjithë./albanian.cr / KultPlus.com

Nis restaurimi i filmit të parë shqiptar “Tana”

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka bërë me dije pak ditë më parë se ka filluar procesi i restaurimit të filmit të parë shqiptar “Tana”.

Ky produksion kinematografik është realizuar në vitin 1958 dhe premierën e tij e ka patur po atë vit më datën 17 gusht. Skenari i këtij filmi mbanë autorësinë e Kristaq Dhamo dhe Nasho Jorgaqi. Rolin e protagonistes në këtë film e ka interpretuar aktorja Tinka Kurti.

Ky restaurim mundësohet nga i Ministria së Kulturës me laboratorët Cinegrell, Zyrih dhe PostFactory, Berlin.

Procesi i restaurimit të filmave të vjetër shqiptar ka nisur para disa viteve ku janë realizuar disa nga prodhimet më të mira shqiptare si  “Mimoza Llastica”, “Përrallë nga e Kaluara”, “Nëntori i Dytë”, “Skëndërbeu” etj.

Këto produksione po kalojnë në një proces të mirëfilltë dixhitalizimi si në video ashtu edhe në audio për të qenë një pasuri e veçantë në fondin e kinematografisë shqiptare.

Ky proces pritet gjithashtu të vijojë edhe me restaurimin e të tjerë tituj filmash në të ardhmen. /a.a/ KultPlus.com