Vdekja e George Floyd, protesta masive në mbarë Amerikën

Protesta të mëdha paqësore janë duke u zhvilluar në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër racizmit dhe brutalitetit policor.

Kjo është dita 12-të e protestave të nxitura nga vdekja e George Floyd, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë marshuar në Uashington DC, protestë kjo që po konsiderohet si më e madhja e qytetit deri më tani. Forcat e sigurisë kanë bllokuar çdo qasje në Shtëpinë e Bardhë.

Numër i madh njerëzish kanë protestuar edhe në New York, Chicago, LA dhe San Francisko.

Floyd, një njeri me ngjyrë dhe i paarmatosur ka ndërruar jetë më 25 maj në Minneapolis, pasi u torturua nga policia amerikane gjatë arrestimit.

Oficeri Derek Chauvin është pushuar nga puna dhe tani po akuzohet për vrasje.

Ish-polici që akuzohet për vrasjen e Floydit rrezikon 40 vjet burgim

Prokurori i Përgjithshëm i Minnesotas, Keith Ellison, ka vendosur të ngrejë akuzë kundër ish-policit Derek Chauvin, për vrasje të shkallës së dytë, lidhur me rastin e George Floydit, dhe ka ngritur akuzë ndaj tre zyrtarëve të tjerë të përfshirë në incident, më shumë se një javë pasi që kanë shpërthyer protestat në SHBA.

46-vjeçari Floyd, vdiq pasi Derek Chauvin, kishte mbajtur gjurin në qafën e Floydit për gati nëntë minuta më 25 maj, duke ringjallur çështjen e brutalitetit të policisë ndaj afro-amerikanëve pesë muaj para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.

Chauvin, 44-vjeçar, ishte përjashtuar nga vendi i punës dhe javën e kaluar u akuzua për vrasje të shkallës së tretë. Akuza e re, ajo për vrasje të shkallës së dytë, mund të sjellë dënim për ish-policin deri në 40 vjet burgim, 15 vjet më shumë se që ishte maksimumi i dënimit të mundshëm për vrasjen e shkallës së tretë.

Të tre zyrtarët tjerë që ishin të përfshirë në rast – Thomas Lane, J. Alexander Kueng dhe Tou Thao – do të akuzohen për ndihmë dhe mundësim të vrasjes, ka raportuar gazeta “Star Tribune”.