Florion Mema: Faleminderit Kosovë, na shpëtuat turizmin edhe pse Rama ua vendosi traun

Ish-deputeti demokrat, Florion Mema, ka shpërndarë një shkrim të revistës ‘Monitor’ ku thuhet se sipas statistikave ‘Kosova shpëtoi turizmin shqiptar, në shtator erdhën 44 përqind më shumë vizitorë’.

Ai ka falënderuar kosovarët, dhe thotë se Edi Rama ua vendosi traun për pagesën e taksës së Rrugës së Kombit. 

“Thjesht:”’Faleminderit Kosovë! Ta mbyllën derën, të vunë traun me pagesë, të përqeshën, të hodhën në gjyq, por ti erdhe, erdhe në vendin amë, aty ku ke rrënjët, aty ku i thonë bukës bukë, nanës nanë e vëllait vëlla…’ Erdhe, u shplodhe por edhe harxhove, bleve “shqip” mallra e shërbime duke ndihmuar ekonominë e vendit amë. Erdhe nga rruga më e bukur në botë, Rruga e Kombit, vepër e atyre burrave vizionarë, që, për bashkimin, lëvizën malet”, ka shkruar deputeti shqiptar.

“Të tjerët, asokohe në opozitë, talleshin dhe e quanin “rruga drejt asgjëkundit”. Sot, në qeverisje, nuk kanë bërë një km rrugë, nuk kane vizituar rrugët që gjetën gati, dinë vetëm të zhgarravisin në 3D dhe e kanë mbushur hartën me porte, aeroporte, shkolla e spitale virtuale. Reale janë veç djegësat e plehrave që po djegin taksat e shqiptarëve të Shqipërisë e Kosovës dhe po helmojnë jetën dhe të ardhmen e fëmijeve. Edhe një herë, Faleminderit Kosovë!”, ka shtuar tutje. / KultPlus.com