Shoqet e Florijanës bëjnë tatuazh në kujtim të kapitenes së tyre të vdekur

Në postimin e Francesca Calo shihet një fotografi ku ajo dhe katër bashkëlojtare të saj kanë bërë tatuazh në kujtim të Florijanës së ndjerë.

Vdekja e yllit të futbollit zviceran, shqiptares Florjana Ismaili, ka tronditur të gjithë ata që e kanë njohur dhe sigurisht, adhuruesit e saj.

Sot, dy ditë pas gjetjes së kufomës, Francesca Calo, po ashtu yll i kombëtares zvicerane të futbollit, ka postuar diçka të rrallë në instagram, shkruan nau.ch: në postimin e saj shihet një fotografi ku ajo dhe katër bashkëlojtare të saj kanë bërë tatuazh në kujtim të Florijanës së ndjerë.

Motivi i vizatimit është kapelja, që ka qenë shenjë dalluese e Florijana Ismajlit, transmeton albinfo.ch. Pranë saj, mbishkrimi “Für die Familie” (Për familjen) dhe inicialet “FI” me numrin 9, që e ka bartur në shpinë kapitenia e ndjerë e YB.

Në një postim tjetër, Francesca Calo shkruan: “Nuk mund ta kuptoj”. Nuk dua ta besoj. Ti mungon Flo, na mjungon kaq shumë. Si mundi të ndodhte e gjithë kjo, përse u desh të ndodhte…”.

Francesca njihej me Florijanën që nga fëmijëria dhe është shoqëruar shumë me të. Me tatuazhin në fjalë, Calo i ka dedikuar shoqes së saj nderimin e fundit.

Gjendet trupi i pajetë i futbollistes shqiptare, Florijana Ismaili

Trupi i pajetë i futbollistes shqiptare, Florijana Ismaili, është gjetur në fundin e Liqenit Como në Itali, kanë bërë të ditur mediat e atjeshme.

24-vjeçarja ishte shpallur e zhdukur të shtunën pasdite pas një aksidenti gjatë hedhjes nga barka, me ç’rast nuk ishte shfaqur më në sipërfaqe të ujit.

Pas kërkimeve katërditore, ekipet italiane të shpëtim-kërkimit të martën e kanë gjetur trupin e pajetë të Florijanës.

Roboti i posaçëm që ishte shfrytëzuar për kërkim nënujor e ka gjetur trupin e saj në thellësi prej 204 metrash, thuhet në njoftimin e Blick.

Më pas, trupi është tërhequr deri në thellësi prej 20 metrash, ku zhytësit kanë mundur ta marrin dhe ta sjellin në anije, me të cilën trupi është dërguar në spitalin St. Anna. Familja e Florijanës është njoftuar për gjetjen tragjike.

Vetëm disa orë para gjetjes së trupit të saj, Young Boys kishte bërë një gjest emocionues duke formuar një zemër me trupat e tyre. Familja e futbollistes i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe solidarizimin.

Ditën e shtunë, Florijana dhe një kolege e saj kishin marrë me qira një barkë për një ditë relaksi dhe pas rrezitjes, shqiptarja ishte hedhur në ujë për t’u freskuar, mirëpo nuk kishte dalë më në sipërfaqe.

Shoqja e saj i kishte thirrur shërbimet emergjente, të cilat i filluan menjëherë kërkimet duke përfshirë disa zhytës, anije, helikopter dhe një robot special, i cili e ka gjetur trupin e pajetë të saj.

.