Pas më shumë se pesë dekadash nga botimi i saj dhe pasi vetë autori e kishte refuzuar për një kohë të gjatë çdo adaptim filmik, vepra madhështore e Gabriel García Markez, “Njëqind Vjet Vetmi”, ka marrë jetë në ekran përmes një produksioni ambicioz të Netflix.
Seriali, i publikuar në dhjetorin e vitit të kaluar, ka ngjallur entuziazëm të madh te lexuesit, kritikët dhe shikuesit në mbarë botën, duke sjellë për herë të parë në format audiovizual historinë e familjes Buendía dhe qytetit legjendar të Macondos.

Realizuar në gjuhën spanjolle dhe i xhiruar pjesërisht në Kolumbi, seriali ka ruajtur me përpikëri frymën poetike dhe kaotike të romanit, duke përfshirë elementet e realizmit magjik që e kanë bërë këtë vepër një monument të letërsisë botërore, duke publikuar 8 episoda më 11 dhjetor të vitit 2025, prej 16 të planifikuar. Regjia, skenografia dhe muzika janë vlerësuar për qasjen besnike, por edhe krijuese, ndaj atmosferës së veçantë të librit.
Familja e Gabriel García Markezit kanë qenë të përfshirë ngushtësisht në procesin e prodhimit, duke përcjellur ruajtjen e integritetit artistik të veprës.
Kjo ishte hera e parë që trashëgimtarët e autorit dhanë leje për një përshtatje filmike të “Njëqind Vjet Vetmi”, pasi vetë Markezi kishte qenë gjithmonë skeptik ndaj mundësisë së rikthimit të librit në një medium vizual.
Rezultati ka qenë një sukses i madh kritik dhe kulturor, një serial që jo vetëm i bën nder origjinalit, por edhe u jep jetë imazheve që për dekada kanë jetuar vetëm në imagjinatën e lexuesve. Me këtë adaptim, Netflix ka realizuar jo thjesht një projekt ambicioz, por një ngjarje artistike që shënon një moment të rrallë ku letërsia dhe kinemaja takohen në mënyrë të denjë./KultPlus.com

