Mediat në Serbi e linçojnë gazetaren: E njeh Kosovën si shtet të pavarur

Kryetarja e Këshillit të Organit Rregullator për Media Elektronike në Serbi, gazetarja Olivera Zekiq, po gjykohet në Serbi për shkak të një pjese të biografisë së saj të publikuar.

Në përvojën e punës, në biografinë e gazetares Zekiq, ajo thotë se e ka zhvilluar aktivitetin e saj në Serbi dhe Kosovë. Për shkak të kësaj fjalie, disa media në Serbi po e akuzojnë atë se kësisoj po e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe se për të, Kosova nuk është pjesë e Serbisë, transmeton Gazeta Express.

Më 17 dhjetor, Zekiq u zgjodh në Kuvendin e Serbisë si anëtare e Këshillit të Organit Rregullator për Media Elektronike, ndërsa dje, u zgjodh kryetare e këtij këshilli.

Një ditë pas zgjedhjes së saj, Sllobodan Cvejiq dha dorëheqje si anëtar i këtij këshilli, për shkak të, siç deklaroi ai, “mënyrës se si u zgjodh Zekiq, dmth shkeljes së procedurave demokratike në Këshill”. / KultPlus.com