Gërshetimi i folklorit me zhanre të reja, një zgjedhje për mbijetesën e muzikës folklorike

Alberina Haxhijaj

Mënyra më e bukur për të ruajtur trashëgiminë është duke e rivitalizuar atë, duke i mundësuar që ajo të bëhet pjesë e të sotshmes edhe përmes modifikimeve të cilat sigurisht e ruajnë bazën e saj. Një gjë e tillë mund të ndodh edhe me muzikën, ose të paktën këtë po e shohin si mundësi një grup i muzikantëve të cilët janë të dhënë pas folklorit dhe ruajtjes së tingujve të pastërtë muzikës shqipe, shkruan KultPlus.

Koncerti “Event 55” i cili u mbajt mbrëmë në teatrin ODA dëshmoi se inkuadrimi i muzikës popullore në zhanret e reja të muzikës, në këtë rast me muzikën jazz, mund të rezultojë shumë i suksesshëm nëse për këtë gërshetim punojnë njerëz të cilët janë profesionist e të cilët muzikën e kanë gjithçka. Gjashtëmbëdhjetë muzikantë të tillë u bënë pjesë e këtij koncerti duke sjellë variacione të ndryshme dhe duke marrë zemrat e publikut të pranishëm përmes tingujve të muzikës Jazz të cilat gërshetoheshin me muzikën shqipe, me tingujt dhe me fjalët e këngëve të vjetra shqiptare që i rezistuan kohës.

Kjo ngjarje shënon edhe rikthimin e Afrim Sadikut një prej instrumentistëve i cili ekzekuton me instrumentet me tela si sharki dhe çifteli që nga mosha 9 vjeçare. Sadiku i cili mbrëmë i ekzekutoi në  çifteli u shpreh se muzika popullore është duke u zhdukur prandaj duhet që të krijohen rrugë te reja të cilat do e mbajë atë gjallë.

“Është një realitet që ne e vërejmë më së miri se muzika popullore pakëz po e përjeton një lloj kolapsi, kemi përshtypjen se duhet të krijojmë një rrugë, të hapim një horizont të ri ku zhvillohet muzika popullore se është diçka që ne po e ndjejmë se ka nevojë”, u shpreh ai.

Orkestra e “Event 55” përbëhej nga Afrim Sadiku, Ilir Bajri, Armend Xhaferi, Gëzim Sadiku, Fatlind Ferati dhe Aleksandar Jovevski. Për të sjellë këngën “Prej një shpati t’i lëshova sytë” atyre iu bashkuan edhe rapsodët Mustafë Ramaj dhe Cen Vishaj.

Maqedonasi Aleksandar Jovevski i cili i ra kavallit ishte për herë të parë në Prishtinë. Ai për KultPlus tregoi se bashkëpunime të tilla janë çdo herë të mirëseardhur dhe të veçanta.

“Ndoshta për disa mund të jetë e vështirë mirëpo për mua nuk ka qenë e tillë pasi që jam rritur në Maqedoni dhe gjeja gjëra të përbashkëta në muzikëçka e bënë edhe me të lehtë bashkëpunimin. Ka ngjashmëri në muzikë të Ballkanit dhe përfshirja e tingujve të kavallit besoj që e ka pasuruar këtë kombinim”, tha ai.

Gjatë këtij koncerti, orkestrës së “Event 55” ju bashkua edhe solistja Ganimete Asllani dhe Agona Shporta. Kjo e fundit solli këngën e njohur “Qohu moj Mahmudie” teksti i të cilës është si në vazhdim.

Qohu moj Mahmudie/ Qohu dil njëherë/ Qohu se kanë ardhë shoqet me t’vu kanën o/Nuk mundem nanë e/ Nuk mundem nano o/ unë jam e smutë, jam tu i dekun o/ Merre bone nuse motrën tjetër o.

Agona Shporta

Bateristi Teoman Uçka, u shpreh se një kombinim i tillë është shumë interesant për publikun dhe sipas tij kjo ka ardhur në kohën e duhur.

“Kjo është një lloj muzikë e jona shqipe që shumë pak dëgjohet prej rinisë sonë dhe ndoshta edhe nuk vlerësohet. Mendoj se me anë të këtij miksi ata do të kenë më shumë simpati për këtë lloj muzike. E dimë të gjithë se çka po ndodhë me këtë lloj muzike dhe besojë që kjo do t’iu rrisë sidomos të rinjve simpatinë për këtë muzikë dhe do të ua hapë sytë më shumë”, u shpreh ai.

Tek grupet e rokut jemi mësuar që të shohin elemente të folklorit mirëpo jo edhe ato të muzikës jazz, kujtojmë këtu se pikërisht Afrim Sadiku ka qenë i inkuadruar te “Kënga e Ashikëve” e grupit Jericho si dhe në të kaluarën ka qenë pjesë edhe e projekteve tjera të grupit Troja. Kënga “Amaneti i Clown-it” pikërisht nga Troja erdhi e ri-aranzhuar dhe mbrëmë u interpretua nga solisti i grupit Bujar Berisha. E kur është puna për inovacione me muzikën Jazz si gërshetimi me atë folklorike e rock, kitaristi Armend Xhaferi është ai i cili çdo herë është i pari për të thënë ‘Po’.


“Amaneti i Clown-it” – solist Bujar Berisha

“Kombinimi Jazz me muzikën tonëështë ajo çka unë e bëjë në të shumtën e rasteve edhe në albumet e mia zakonisht ka elemente folklorike kështu që është diçka që më pëlqen ta bëjë. Unë gjithmonë kam pas dëshirë të bëj kombinime me çifteli e sharki e në këtë rast ka edhe instrumente kështu qëu bë një kombinim shumë i mirë”, tha Xhaferi.

Kjo eksperiencë do të mbetet e paharruar për kontrabasistin Fatlind Ferati, i cili për herë të parë interpretoi live me një grup.

“Është pak frymë e re dhe besoj që njerëzve do iu pëlqejë, është e qetë dhe shumë relaksuese, i dërgon në një botë tjetër, jashtë përditshmërisë. Nuk ka ndodhur të formohet një grup me instrumente të tilla fillimisht nuk ka pasur të tilla kombinime më herët kontrabas, piano, kitarë, instrumente folklorike. E bën interesant se piano, kitara dhe kontrabasi në këtë rast i japin një background pak më jazz e kur kombinohet me folklor po e krijon një sound të ri që nuk është dëgjuar më herët”, theksoi ai.

Mbrëmja u përmbyll me këngët “Ku ka bujtë Lushi mbramë” dhe “Rrugës së Shullonit”.

Orkestrës për të sjellë këto dy këngë iu bashku Sejfedin Kryeziu dhe Shemsedin Berisha në sule, Selami Berisha në tupan si dhe vëllezërit Rijad dhe MirhadLecaj. Vargjet e këngës “Rrugës së Shullonit bre djalë/ thujmi pak jaranit dylbero/ qiti dhentë nga bjeshka bre djalo/ me kingjat kalesh dylbero”, përmbyllën këtë natë Etno-Jazz e cila i dhuroi magji Prishtinës dhe një rrugë për ruajtjen e muzikës folklorike.

Përzgjedhja e pikave muzikore është bërë nga Afrim Sadiku bashkë me Ilir Bajrin dhe Armend Xhaferin të cilët i  kanë ri-aranzhuar këto vepra muzikore dhe i kanë sjellë në zhanrin Etno-Jazz. Këto vepra tani janë gati që edhe të udhëtojnë në disa shtete dhe festivale të muzikës jazz./ KultPlus.com