UNESCO: Të ndërpriten urgjentisht punimet në Bypass-in e Gjirokastrës

Komiteti i “UNESCO”-s për Trashëgiminë Botërore kërkon ndërprerjen urgjente të punimeve në Bypass-in e Gjirokastrës. Rezoluta vë në dukje se një informacion i dërguar nga një palë e tretë, jo nga qeveria shqiptare “skicon një situatë shumë shqetësuese të projektit”.

Ata theksojnë se, sipas dëshmive, projekti do të ketë një “ndikim negativ në vlerat e zonës”. Në janar të 2021-shit, qeveria paraqiti një kërkesë për rishikimin e një propozimi të rihartuar për projektin e Bypass-it.

“UNESCO” kërkoi informacion shtesë, por qeveria shqiptare nuk arriti t’i përgjigjej. Së shpejti pritet që të vijë edhe një mision monitorimi për të vlerësuar nëse ndërhyrjet kanë dëmtuar “vlerat e trashëgimisë  kulturore”.

“UNESCO” i rekomandoi Shqipërisë që të ndalojë këtë projekt derisa një mision të vlerësojë ndikimin e tij në vlerat universale të zonës dhe të bëjë rekomandime e duhura.

Ky vendim është botuar në projekt-rezolutë para Sesionit të 44-të të takimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që zhvillohet midis 16 dhe 31 korrik në Kinë./ Abcnews.al / KultPlus.com

Polifonia në Gjirokastër tërheq turistë: Në verë priten më shumë festivale

Në Gjirokastër kënga polifonike është duke u promovuar përmes krijimit të teksteve të reja dhe përfshirjes së fëmijëve në grupe polifonike.

Njëri prej mjeshtrave të polifonisë Arjan Shehu tregon se nëse UNESCO nuk do ta kishte njohur dhe mbrojtur pak do ti dihej vlera. Sot ai shpreson që polifonia të përdoret si aset krahas trashëgimisë, kulturës dhe natyrës.

Përfshirja e fëmijëve si pjesë e grupeve polifonike është sipas muzikantit Gentian Selfo një qasje shumë e mirë ndaj kësaj trashëgimie. Polifonia dhe njohja e mirë e ritmit është diçka që i zbavit fëmijët dhe një mënyrë e mirë për të evidentuar talente.

Eventet e verës megjithëse do të jenë shumë të kufizuara në pjesëmarrje për shkak të masave do ta risjellin polifoninë në qendër të vëmendjes kombinuar me zërat e fëmijëve. Artistët e vjetër dhe të rinj po përpiqen të krijojnë ndërthurje mes polifonisë, këngës qytetare dhe folklorik koreografik. Përfshirja e vizitorëve për tu bërë pjesë e grupeve të këngëve dhe valleve do të jetë e veçanta e sezonit./ KultPlus.com