Shqipëria u përgjigjet kritikave të UNESCO-s për Gjirokastrën dhe Beratit

Organizata Botërore e Monumenteve, UNESCO u kërkoi një vit më parë autoriteteve shqiptare të finalizonin me urgjencë Planin e Menaxhimit të Integruar për Gjirokastrën dhe Beratin.

Shqipëria thotë në raportin e dorëzuar në UNESCO se kjo nuk është bërë ende dhe i arsyeton vonesat me largimin nga Instituti i Trashëgimisë të gjithë ekipit që punonte për Planin e Menaxhimit.

Ndërsa raporti i Shqipërisë për gjendjen e konservimit të Beratit dhe Gjirokastrës u publikua në faqen e Qendrës së Trashëgimisë Botërore, kjo ende nuk ka ndodhur për Butrintin, për të cilin raporti duhej të dorëzohej nga pala shqiptare më 1 shkurt.

Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCOS publikoi në faqen e saj raportin e Shqipërisë për gjendjen e konservimit të “Qendrave Historike të Beratit dhe Gjirokastrës” që listohen si site në seri në pasuritë botërore.

Raporti është përgatitur nga ministria shqiptare e Kulturës dhe Ekonomisë në përgjigje të vendimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që u mbajt në shtator të vitit të shkuar në Arabinë Saudite.

Sipas raportit ende Berati dhe Gjirokastra nuk kanë të finalizuar një Plan të Menaxhimit të Integruar, megjithëse proçesi me mbështetjen ndërkombëtare ka nisur që në vitin 2019 dhe është kërkuar të përfundojë me urgjencë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.

Vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore ne sesionin e 45 te UNESCO-s që u mbajt vitin e shkuar në Arabinë Saudite, nuk ishte bërë i njohur më parë për opinionin shqiptar, por paragrafe të tij zbulohen nga raporti i dorëzuar këto ditë nga Shqipëria.

Në paragrafin 2,3 vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore shprehej “se vërente me keqardhje dështimin e Shtetit Palë (Shqipërisë ) për të zbatuar plotësisht asistencën ndërkombëtare të dhënë për zhvillimin e Planit të Menaxhimit të Integruar për Beratin dhe Gjirokastrën në bashkëpunim me sektorët qeveritarë dhe qytetarët”.

“Vendimet e mëparshme të Komitetit, thuhej më tej nga UNESCO, i kërkojnë Shtetit Palë që të finalizojë Planin e Menaxhimit si çështje urgjent, duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore”.

Ndërsa UNESCO ka kërkuar me urgjencë përfundimin e Planit të Menaxhimit autoritetet shqiptare janë përgjigjur se ky proces nuk ka përfunduar edhe tani pasi i gjithë ekipi i punës së Institutit të Trashëgimisë Kombëtare që ishte i angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e draftit të parë të Planit të Menaxhimit të Integruar është larguar nga ky institucion.

“Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka dorëzuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore një draft të Planit të menaxhimit më 16 shkurt të vitit 2023 ndërsa komentet i janë dërguar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore më 16 mars të vitti 2023” thuhet në raportin e Shqipërisë.

Raporti vijon më tej se “rishikimi i draftit të Planit të Menaxhimit pas komenteve të ekspertëve të ICOMOS dhe ICCROM nuk ka përfunduar plotësisht brenda afateve kohore të përcaktuara në kontratë, për shkak të disa vështirësive”.

Sipas raportit “Instituti i Trashëgimisë gjatë periudhës së zbatimit të kontratës ka pasur disa ndryshime në nivelet e menaxhimit dhe nivelet e stafit teknik, dhe i gjithë ekipi i punës që ishte e angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e draftit të parë të Planit të Menaxhimit të Integruar është larguar nga institucioni ”.

Raporti thotë se se “ aktualisht stafi i Institutit Trashëgimisë Kombëtare është i reduktuar dhe pa përvojën e nevojshme në përgatitjen e një plani të integruar të menaxhimit për të dyja qendrat historike”

Plani i Menaxhimit është një instrument detyrues i UNESCOS për sitet e trashëgimisë botërore që duhet të rregullojë menaxhimin dhe mbrojtjen strategjike afatgjate të pasurive kulturore.

Vendimet e Komitetit të Trashëgimisë Botërore vitin e shkuar prekin edhe problemin e Bypass-it të Gjirokastrës ku UNESCO thotë se “ vëren me keqardhje rifillimin e ndërtimit të bypass-it të Gjirokastrës përpara se konkluzionet të ishin në dispozicion dhe mund të merreshin parasysh”, ndërsa autoritetet shqiptare janë përgjigjur në raport se i kanë adresuar problematikat e projekteve ndërtimore si tek bashkitë edhe tek organet e tjera egzekutive dhe vendim-marrëse.

Vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore ka vlerësuar ndërkohë punën e autoriteteve shqiptare për sa i përket “bonuseve të rijetëzimit”, për restaurimin e monumenteve si dhe përmirësimin e Rregulloreve të Qendrave Historike në Berat dhe Gjirokastër.

Raporti i Shqipërisë për Beratin dhe Gjirokastrën pritet të shqyrtohet në sesionin e ri të Komitetit të UNESCOS që mbahet në Indi në korrik të këtij viti.

Gjirokastra u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në 15 korrik 2005 ndërsa më 8 korrik të vitit 2008 u regjistrua edhe Berati.

Raporti i Butrintit ende i papublikuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore

Ministria e Kulturës dhe Ekonomisë ka autorizuar publikimin e raportit për Gjirokastrën dhe Beratin por ende në faqen e Qendrës së Trashëgimisë Botërore nuk është publikuar raporti i Shqipërisë për Butrintin.

Sipas një letre që Qendra e Trashëgimisë Botërore i dërgoi Ambasadores së Shqipërisë në UNESCO raporti nga pala shqiptare duhej të dorëzohej më 1 shkurt të këtij viti.

“Në funksion të informacionit të marrë nga palët e treta, me prova mbështetëse vizuale, si dhe gjetjet e Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s/misionit të përbashkët këshillues të lCOMOS në pronën e Trashëgimisë Botërore “’Butrint”, nga 26 deri më 28 tetor 2022, mbi cënueshmërinë e vlerave universal të pronës dhe konfirmimin e heqjes së 600 ha nga Parku Kombëtar, i cili nuk është njoftuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore dhe që përfaqëson një ndryshim në regjimin e mbrojtjes së një pjese të ndjeshme të zonës tampon të pronës, do të doja të ftoja autoritetet tuaja kompetente të paraqesin një raport mbi gjendjen e ruajtjes së pronës së Trashëgimisë Botërore “Butrint” deri më 1 shkurt 2024, për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 46-të””, thuhet në letrën që Drejtori i Qendrës së Trashëgimisë Botërore Lazare Eloundou Assomo, i drejton ambasadores shqiptare në UNESCO Besiana Kadare.

Problematikat e Butrintit mbeten të ndjeshme në opinionin shqiptar jo vetëm për ndryshimin e kufijve të Parkut Kombëtar por edhe modelin e ri të menaxhimit.

Qeveria shqiptare vendosi që menaxhimi i një pjese të Butrintit që njihet si zona “A-3” dhe që përfshin qytetin antik të bëhet nga një Fondacion i ri ku përfshihet ministria shqiptare e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.

Ligji u miratua nga Kuvendi në maj të vitit 2022 dhe shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi përmes kësaj forme.

Një grup prej 36 deputetësh opozitarë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parku Kombëtar të Butrintit.

Edhe misioni i UNESCOS ka drejtuar kritika të forta ndaj modelit të menaxhimit vetëm të një pjesë të parkut, zonës A -3 që përfshihet në marrëveshje e cila është 614,3 hektarë nga rreth 9424 hektarë që është sipërfaqja tërësore e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Misioni i fundit i UNESCO-s shprehet se menaxhimi vetëm i kësaj pjese nuk përmbush menaxhimin e integruar të arkeologjisë, monumenteve dhe pjesës natyrore të Butrintit, kërkuar edhe nga misionet e mëparshme të UNESCO-s.

Misioni shprehet se, Ministria e Kulturës duhet të ruajë autoritetin në gjithë territorin e Parkut Kombëtar.

Prej tetorit të vitit të shkuar kur raporti i misionit iu dorëzua Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore ai nuk u publikua nga UNESCO pasi pala shqiptare nuk dha pëlqimin.

Gjykata Kushtetuese, në një gjest të pazakontë, në janar të këtij viti, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO-s dhe rihapjen e seances plenare për Butrintin.

Ministri i ri i Kulturës dhe Ekonomisë Blendi Gonxhe nuk ka firmosur kalimin e Parkut në administrimin e Fondacionit të ri që sipas ligjit të miratuar në Parlament duhet të bëhej më 14 shkurt të këtij viti.

Zoti Gonxhe tha përmes një statusi në rrjetet sociale se “në cilësinë e Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit donte të siguronte opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi”.

“Kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja” , u shpreh Ministri i i ri i Kulturës dhe Ekonomisë. /VOA/ KultPlus.com

Rama: Gjirokastra turistike prezantohet në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin

Gjirokastra turistike prezantohet në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin, bashkë me qytete të tjera shqiptare nën sloganin “Albania All Senses”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale videon prezantuese të “Qytetit të gurtë” në Panairin e Berlinit, ku për tre ditë me radhë Shqipëria do të prezantojë më të mirën e ofertës turistike, me një axhendë të larmishme aktivitetesh, që do të kulmojnë me marrjen e “stafetës” si vendi i nderit për ITB BERLIN 2025.

E njohur më shumë si “Qyteti i gurtë”, Gjirokastra është sot një qendër me rëndësi në zhvillim e turizmit të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Gjirokastra është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, si një nga shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit osman.

Kjo përfshirje i ka bërë tashmë vlerat historike dhe kulturore të jenë pjesë e trashëgimisë botërore dhe që interesi të shtohet edhe jashtë kufijve.

Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Pikat më të preferuara për t’u vizituar nga turistët janë Pazari karakteristik, Kalaja, muzeumet e qytetit, komplekset muzealë të Zekatëve, Skëndulajve, etj.

Jashtë vëmendjes të turistëve nuk ngelen edhe vlera të tilla si Parku Natyror i Viroit, siti arkeologjik i Antigonesë, por edhe resurset turistike në njësitë administrative. Tashmë guida turistike në Gjirokastër krahas qytetit të gurtë përfshin edhe udhëtimin apo qëndrimin një dhe disaditorë të turistëve në Lunxhëri, Cepo, Odrie, Antigone, etj./atsh/KultPlus.com

Rikonstruktohet kinemaja e Gjirokastrës, shfaqet filmi ‘Dashuri dhe turbulenca’

Bashkia e Gjirokastrës njofton rifillimin e punës në kinemanë e rikonstruktuar të qytetit, ku është shfaqur filmi “Dashuri dhe turbulenca”.

Në një postim në rrjetet sociale, bashkia e Gjirokastrës, informon se kinemaja ofron kushte bashkëkohore.

“Fillim i mbarë i kinemasë së qytetit të rikonstruktuar me kushte bashkëkohore ! Mbrëmjen e sotme spektatorët ndoqën plot interes në ekranin e madh shfaqjen e filmit-komedi “Dashuri dhe turbulenca”. Suksese!”, shkruan në postim bashkia e Gjirokastrës./KultPlus.com

Atmosferë festive e fundvitit në Gjirokastër (FOTO)

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës është veshur tashmë prej javësh me ngjyrat e festës. Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte në këtë qytet për të “fiksuar” atmosferën e veçantë të festave që ia shton hijeshinë qytetit hijerëndë tashmë destinacion për shumë pushues si vendas ashtu edhe të huaj.

Qafa e Pazarit është epiqendra e festës, ku skena e improvizuar mirëpret çdo natë këngëtarë dhe grupe muzikore nga të gjitha anët e vendit, duke ofruar argëtim në këtë sezon festiv.

Në rrugicat karakteristike me kalldrëm të qytetit plot histori të Gjirokastrës janë të shumta siluetat e të rinjve të cilët i afrohen qendrës festive për të kaluar orët e mbrëmjes.

Por ngjyrave të festës nuk i mungojnë grupmoshat e tjera, fëmijë, prindër dhe gjyshërit e gjyshet, teksa të shumtë janë turistët e huaj nga e gjithë bota që kanë zgjedhur pikërisht qytetin e Gjirokastrës për të kaluar netët festive.

Kjo zgjedhje ka vlerë të shtuar kulinarinë tradicionale të zonës, aromën e festës dhe copëza të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.

Atmosfera e Fundvitit në Gjirokastër, foto: Arbri Fortuzi./KultPlus.com

Gjirokastra ndez dritat e festave të Fundvitit

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës ndezi mbrëmjen e djeshme dritat shumëngjyrëshe të festave.

Qyteti, zona historike dhe ajo moderne, pazari tradicional, rrugët e kalldrëmta, komplekset e shtëpive karakteristike janë zbukuruar nga një dekor i veçantë, i cili e bën magjike dhe mbresëlënëse atmosferën e Fundvitit, për banorët dhe turistët.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi ndau në rrjetet sociale pamjet e mbrëmjes festive të ndezjes së dritave të pemës së Krishtlindjes.

Dekori i veçantë, organizimi i aktiviteteve të ndryshme nga bashkia në bashkëpunim me subjektet lokalë synon jo vetëm gjallërimin e atmosferës së festive, por edhe tërheqjen e turistëve vendas dhe të huaj në Gjirokastër, gjatë kësaj periudhe.

Qafa e Pazarit dhe zona historike e qytetit pritet të tërheqin më shumë vizitorë, duke përfshirë banorët, por edhe turistët vendas dhe të huaj.

Janë të shumta fotografitë e shkrepura mes dekorit dhe peizazhit të veçantë, që ofron kjo pjesë e qytetit. Banorë të moshave të ndryshme fiksojnë në fotografi momentet nga ndezja e dritave në mbarë qytetin.

Edhe këtë fundviti Gjirokastra do të jetë ndër destinacionet e preferuara turistike, duke lënë mbresa të pashlyeshme për vizitorët dhe turistët./atsh/KultPlus.com

Gjirokastra jehonë në revistën kulturore amerikane “Aramco World”

Revista kulturore amerikane “Aramco World” ka publikuar një shkrim për qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale shkrimin e botuar në këtë revistë, ndërsa theksoi se “Gjirokastra është bërë jehonë edhe në revistat kulturore amerikane”.

“S’ka si nis më bukur dita me diell me Gjirokastrën e zemrës në ballinën e numrit të fundit të revistës kulturore amerikane Aramco World me përshkrimet për qytetin e gurtë me zemra të buta, me magjepsjen nga muret e kështjellës te rrugicat e kalldrëmta në të cilat jehon isoja e këngës polifonike përmes portreteve të ndjera gjatë Festivalit Folklorik”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “ruajtja e kësaj trashëgimie të mbrojtur nga UNESCO si pasuri botërore, që buron nga shpirti e përshkohet nga lotët, siç thotë edhe i madhi Arjan Shehu është si një thirrje zërash të mjeshtërve të saj”.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se “Festivali Folklorik i Gjirokastrës 2023 nuk ishte një edicion i jashtëzakonshëm, por kartolina më e bukur, që mbartte shpirtin e një kombi, servirur nga Ministria e Kulturës. Jehona e tij ka kaluar kontinentet, këtë e dëshmon dhe revista amerikane Armco World, që përshkruan mbresat e jashtëzakonshme”.

Për 8 ditë e netë feste në Gjirokastër, qyteti i gurtë u kthye nga 24 qershori deri më 1 korrik të këtij viti në kryeqendrën kombëtare të promovimit të vlerave të folklorit dhe traditës, artistike dhe të trashëgimisë kulturore. Në edicionin e XI të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë  performuan në këtë qytet. Risia e këtij festivali ishte numri i madh i të rinjve që interpretuan në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër duke dëshmuar se sa brezat e rinj e duan dhe e përqafojnë muzikën folklorike.Ndërkohë që Gjirokastra vijon të jetë edhe një nga qytetet më të vizituara nga turistët vendas e të huaj./ atsh / KultPus.com

Gjirokastra e UNESCO-s, monumentet e Kulturës drejt shkatërrimit, shkak konfliktet mes pronarëve

Rijetëzimi i banesave në Gjirokastër edhe pse është një nismë e qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës po pengohet nga qytetarët  pronar të banesave që tashmë janë pjesë e trashëgimisë botërore.


Nëpërmjet këtij vendimi që mban datën  26 janar 2022 Ministria e Kulturës financon mirëmbajtjen dhe rijetëzimin e këtyre ndërtesave duke dhënë bonuse nga 1 milion deri ne 6 milion lekë.

Por çfarë ka ndodhur në Gjirokastër? Ky qytet i cili është pjesë e UNESCOS, që në vitin 2005  shumë ndërtesa që mbajnë kategorinë e parë dhe të dytë të objekteve të mbrojtura po rrënohen. Problematikat kryesore janë konfliktet e pronësisë, dhe për rrjedhojë mungesa e një dokumentacioni të tillë pengon aplikimin dhe marrjen e bonusit.

Emisioni Fiks Fare solli banesa të amortizuara dhe shkatërruara edhe pse janë në lagjet historike të qytetit.

Çati të rëna, llamarina në vend të dyerve të drunjta, dhe mure të shembura, kjo është panorama e një rrugice të lagjes “Pazari”

Ardis Duka , drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër tregoi për Fiksin se kjo është një problematikë e madhe për Gjirokastrën, pasi kështu rrezikohen shumë ndërtesa që kanë vlera të veçanta. “Për këtë duhet një rregullim me ligj, sepse pronarët mund të mos duan asnjëherë t’i rindërtojnë apo mirëmbajnë këto ndërtesa, por janë pjesë e trashëgimisë botërore dhe si të tilla janë përgjegjësi e jona dhe e shtetit për t’u mbajtur” thotë z.Duka.

Ai tregon se problemet e pronësisë janë pika kryesore që nuk mund të aplikohet për fondin që jep Ministria e Kulturës.

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm në Bashkinë Gjirokastër, Nertil Nebiaj  thotë se këtë vit Gjirokastra ka patur një bum turistësh, por problematikat e shkatërrimit të shumë monumenteve ndikojnë negativisht në këtë gjë. “Bashkia ka bërë maksimumin që të gjejë dhe të mbledhë pronarët, mungesa e tyre ka çuar në rrënimin e banesave tek rrugica e Pazarit” thotë z.Nebiaj. E ndërkohë që pronarët nuk bëhen bashkë, monumentet e kulturës po rrënohen një nga një./TopChannel/KultPlus.com

“SiViaggia”: Në Shqipëri ekziston një qytet muze magjepsës, Gjirokastra

Është një vend ku koha duket se ka ndalur, ku gjithçka është zhytur në një atmosferë sugjestive dhe ndjellëse që të transporton në një peizazh të denjë për historitë më të bukura para gjumit. Gjithashtu, falë asaj kështjelle që dominon zonën dhe që është më e madhja në të gjithë vendin.

Ky vend ndodhet në Shqipëri, një nga destinacionet më të njohura vitet e fundit nga udhëtarët italianë dhe ndërkombëtarë, shkruan në një artikull Sabina Petrazzuolo për të përditshmen italiane “L’agenzia SiViaggia”.

Zona, në fakt, është kthyer në një destinacion të preferuar për pushime verore për peizazhin detar të krijuar nga ujëra të kristalta, plazhe me rërë, limane sekrete dhe shkëmbinj.

Megjithatë, midis qyteteve më të njohura për turizmin fshihet sekreti më i ruajtur i vendit. E kemi fjalën për Gjirokastrën, një qytet muze i shpallur si trashëgimi botërore nga Unesco që do t’ju bëjë të dashuroheni.

Gjirokastra si në përrallë

E ngulitur në malet e jugut të vendit si një thesar i çmuar, Gjirokastra duket se ka dalë nga një përrallë.

Një muze i hapur ku e kaluara jeton dhe mbijeton në të gjitha ato dëshmi të dukshme që e bëjnë qytetin unik në të gjithë vendin.

Trashëgimia e saj është e pamasë, e njohur edhe nga UNESCO, dhe rrugët e saj me kalldrëm janë sugjestionuese, ato që të çojnë drejtpërdrejt në kalanë që dominon në të gjithë qytetin.

Pikërisht rreth kalasë ikonike, e cila është kthyer në simbolin e zonës, shpaloset historia e saj.

Pas ndërtimit së kalasë së Gjirokastrës, kalaja e fortifikuar që mori emrin e saj, u ndërtua rreth mesit të viteve 1300.

Shekuj më vonë, me pushtimin e qytetit nga trupat osmane, u ndërtuan shtëpitë karakteristike që sot dallojnë peizazhin e qytetit.

Shtëpitë me çati guri, të cilat i kanë dhënë Gjirokastrës pseudonimet Qyteti i Gurit dhe Qyteti i Argjendtë, për shkak të reflektimit karakteristik që merr guri i lagësht kur shkëlqen në diell, ngjajnë me fortesa të vogla me pamje nga rrugët me kalldrëm që ndërthuren dhe të çojnë në Pazar, zemra rrahëse e qytetit të vjetër ku kultura turke takohet me kulturën shqiptare dhe e shkuara bashkëjeton në mënyrë perfekte me të tashmen.

Gjithashtu, mund të vizitoni edhe Xhaminë e lagjes, ndërtimi i së cilës daton në vitin 1557.

Qyteti muze që magjeps

Ka shumë gjëra të ndryshme për të bërë dhe parë në këtë xhevahir të vendosur në male.

Megjithatë, mjafton një shëtitje e thjeshtë mes shtëpive dhe rrugëve karakteristike, të zhytura në histori dhe hijeshi për të jetuar një eksperiencë të pabesueshme që duket se ju çon në një dimension tjetër.

Një nga ndalesat thelbësore për këdo që viziton Gjirokastrën është padyshim kështjella e saj, ku e ka zanafillën historia e qytetit.

Kalaja, e cila është më e madhja në të gjithë Shqipërinë, është e hapur për publikun dhe strehon Muzeun e Armëve që nga viti 1970.

Për më tepër, ndërtesa është zgjedhur disa herë ndër vite, si skena e festivalit kombëtar të muzikës popullore.

Nëse hijeshia e shtëpive prej guri nuk ju ka lënë imun, atëherë këshilla është të vizitoni “Shtëpia Zekate”, një nga ndërtesat më të vjetra në qytet si dhe shembulli më i madh i arkitekturës osmane në Gjirokastër.

Pozicioni i privilegjuar i shtëpisë, i vendosur në lagjen Palorto, do t’ju lejojë të shijoni një pamje unike.

Me një shikim të vetëm mund të përqafoni panoramën sugjestive të qytetit.

Një destinacion i padiskutueshëm për dashamirët e letërsisë ndërkombëtare është shtëpia e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare në “Sokakun e të Marrëve”.

Natyrisht, për të mos u humbur është pazari i qytetit, zemra rrahëse e Gjirokastrës e cila do t’ju lejojë të njiheni me traditat dhe kulturën më autentike të zonës. /atsh/ KultPlus.com

Gjirokastra ndër destinacionet më të kërkuara në turizmin ndërkombëtar

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës ka zgjuar kuriozitetin e mijëra turistëve vendas e të huaj gjatë këtij sezoni turistik.

Turistët vendas e të huaj po gjallërojnë kalldrëmet e gurta të qytetit të Gjirokastrës, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi në një intervistë për ATSH-në e cilësoi sezonin veror të këtij viti më të suksesshmin për vizitueshmërinë dhe zhvillimin e turizmit në qytetin e gurtë.

“Janë mbi 200 mijë turistë vendas dhe të huaj, të cilët përgjatë këtij viti kanë vizituar Gjirokastrën dhe rrethinat, duke regjistruar ndër shifrat më të larta në vite. Pra ky sezon veror po e evidenton Gjirokastrën si një ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore për turizmin, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe me gjerë”, tha Golemi.

Golemi u shpreh se tashmë qyteti pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s është një markë e njohur për turizmin ndërkombëtar duke e kthyer në destinacion të preferuar krahas vendasve edhe për vizitorët nga mbarë bota.

Sipas tij, falë vlerave si qytet i UNESCO-s, resurseve natyrore, monumenteve të kulturës, traditave të pasura Gjirokastra gjithmonë e më shumë po preferohet për tu vizituar nga turistët nga mbarë bota.

“Të huajt zënë mbi 80% të vizitorëve të këtij viti në Gjirokastër, ndërkohë që harta prej nga vijnë është mjaft e larmishme. Qyteti i gurtë po mirëpret vizitorë nga Italia, Spanja, Greqia, Gjermania, vendet Skandinave, nga Evropa Perëndimore dhe Lindore por nuk mungojnë as turistët nga SHBA-ja, Brazili, Argjentina, Kina, Australia, etj, etj.  Pra tashmë Gjirokastra është një markë e njohur dhe destinacion në rang botërore për sa i përket vizitueshmërisë nga turistët e huaj”.

Kryebashkiaku Golemi bëri të ditur se mbështetur mbi statistikat zyrtare bëhet fjalë për një rritje prej 35-40% të vizitueshmërisë nga turistët përgjatë sezonit veror krahasuar me vitet e e kaluara.

“Por përtej statistikave do të pohoja se tashmë rritje e turizmit në Gjirokastër është një trend i pakthyeshëm, ndërsa dobishmëria e tij preket përditë nga banorët jo vetëm në gjallërimin e qytetit, kthimin e tij në elitën e destinacioneve, por edhe në rritjen e të ardhurave ekonomike. Janë rreth 250 aktivitete biznesi turistik në territorin e bashkisë, të cilat mes të tjerash kanë krijuar mundësinë e çeljes së vendeve të reja të punës. Turizmi ka nxitur zhvillimin e sektorëve të ekonomisë lokale që kanë në qendër traditën, artizanatin, agroturizmin etj”, theksoi Golemi.

Sa i përket pikave kryesore turistike në Gjirokastër, që tërheqin më shumë turistë, Golemi tha se “guida e vizitueshmërisë që ofrohet është mjaft e larmishme duke përfshirë qytetin e gurtë të Gjirokastrës, por edhe rrethinat si dhe fshatrat e saj”.

“Në Gjirokastër turistët vendas dhe të huaj kanë çfarë të shikojnë dhe të prekin nga afër. Vlera të tilla historike dhe ndërtimore si Pazari karakteristik, Kalaja, komplekset muzeale, dhjetëra banesa të gurta me elementët e tyre të papërsëritshëm zgjojnë interesimin e turistëve të huaj. Guidën e vizitueshmërisë e pasurojnë edhe muzeumet, vlerat natyrore, objektet e shumta të trashëgimisë kulturore duke e bërë në këtë mënyrë udhëtimin jo vetëm njohës, por edhe për t’u informuar dhe mësuar diçka në lidhje me historikun dhe vlerat e qytetit shumëshekullor”, nënvizoi Golemi.

Guida turistike bëhet më e larmishme kur asaj i shtohen  Parku Natyror i Viroit, siti arkeologjik i Antigonesë, bukuritë natyrore dhe resurset e agroturizmit në Lunxhëri, Cepo, etj.

‘Ndërthurja e vizitës në bashkinë e Gjirokastrës edhe me vlerat dhe traditat e zonave të Libohovës, Dropullit, por edhe më gjerë me Përmetin, Tepelenën apo Sarandën e bëjnë mjaft të larmishëm dhe tërheqës udhëtimin për turistët”, shtoi ai.

Kryebashkiaku Golemi nënvizon se “tashmë turizmi është një sektor prioritar edhe për bashkinë e Gjirokastrës. Me zhvillimin që turizmi po merr duke përfshirë edhe dobishmërinë ekonomike të tij për komunitetin bashkia mes të tjerash ka synuar edhe promovimin e vlerave turistike duke i bërë ato të ditura për vizitorët kryesisht të huaj”.

“Nëpërmjet Zyrës së Informimit Turistik bashkia jo vetëm orienton vizitorët, por i njeh ata edhe me pikat dhe zonat që duhet të përfshijnë në udhëtimin e tyre. Gjithashtu si bashki kemi përgatitur guida, harta, por edhe materiale të tjera promovuese në shërbim të turistëve. Në këtë kuadër kemi mbështetur organizimin e panaireve dhe aktiviteteve të tjera me pjesëmarrjen e grupeve të interesit, bizneseve apo operatorëve turistikë. Mbështetje kemi dhënë edhe për promovimin e vlerave të traditës të zonë sonë në panairet ndërkombëtare duke mundësuar pjesëmarrjen e specialistëve të fushës apo mjeshtrave të traditës dhe promovimin e vlerave turistike. Ky sezon i suksesshëm tregon se jemi në rrugën e duhur për promovimin dhe prezantimin e vlerave të Gjirokastrës turistike”, tha Golemi.

Lidhur me masat që ka marrë bashkia për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Golemi sqaroi se “aktualisht në bashki funksionon një grup i veçantë punë për mbarëvajtjen e suksesshme të sezonit turistik. Në këtë mënyrë kemi koordinuar punën e strukturave lokale për një qytet të pastër, garantimin e sigurisë publike, evitimin e problematikave të qarkullimit rrugor kryesisht në pikat turistike e mbi të gjitha organizimin  e aktiviteteve kulturore dhe artistike në shërbim të zhvillimit të turizmit”.

“Të gjithë jemi dëshmitarë që gjatë sezonit të verës Gjirokastra është kthyer në qendër të organizimit të eventeve të tilla duke përfshirë ato me profil kombëtar apo ndërkombëtar , të cilat kanë promovuar vlerat artistike dhe kulturore, por mbi të gjithë kanë qenë elementë kyç për tërheqjen e turistëve. Pra e gjithë struktura e bashkisë, drejtoritë përkatëse, kanë koordinuar punën për t’i shërbyer ecurisë së suksesshme të këtij sezoni turistik”, tha Golemi.

Kryebashkiaku Golemi i pyetur për investimet që po kryhen nga bashkia e Gjirokastrës  për t’i ardhur në ndihmë zhvillimit të turizmit dhe jo vetëm, tha se “sezonit të suksesshëm të këtij vitit ne i paraprimë me dy investime madhore ndërsa me mbështetjen e qeverisë qendrore u ndërtua bajpasi i zonës muzelae dhe parkimi nëntokësor në sheshin “Çerçiz Topulli”. Vazhdon puna me ritme të përshpejtuara për përfundimin e plotë të mjedisit urban në këtë shesh duke e kthyer në një aset me vlerë për turizmin”.

“Investime të tilla ndërmorëm në bashkëpunim me ministritë e linjës për zbatimin e projekteve për rijetëzimin e banesave karakteristike, mjedisin e pastër, etj. Bashkia Gjirokastër edhe në këtë sezon veror është çdo ditë në shërbim të qytetarëve me investime dhe shërbime. Punojmë për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore në qytet dhe zonat rurale, investimet në sektorin e bujqësisë dhe agroturizëm, mjedisin e pastër, kulturë, objektet sportive, ndërtimin e mjediseve çlodhëse në qytet dhe fshatra, etj”, tha Golemi.

Për kryebashkiakun Golemi investime të tilla ju shërbejnë jo vetëm banorëve, por edhe vizitorëve vendas dhe të huaj dhe zhvillimit në tërësi të turizmit të qëndrueshëm.

Gjirokastra me turizëm gjithëvjetor, Viroi një nga atraksionet kryesore

Gjirokastra përbën një destinacion turistik gjithëvjetor. Administrata e Zonave të Mbrojtura Gjirokastër sjell pamje të mrekullueshme të një monumenti natyror siç është Viroi.

“Vlerat natyrore janë një pjesë e rëndësishme në thesarin e vlerave historike, arkitekturore, kulturore dhe kulinarisë së pasur të qytetit të UNESKO-s.

Në këtë gjerdan vlerash bën pjesë dhe “Mëma e Ujit”, Viroi, Monument Natyre”, shkruan AdZM Gjirokastër.

Viroi gjendet 3 km nga qyteti, është një burim karstik me prurje 17 m3/sek, uji buron nga Mali i Gjerë dhe del nga një thellësi e dukshme 5 – 6 m. Ka vlera shkencore, hidrologjike, didaktike, sportive dhe turistike.

AdZM Gjirokastër ka ndarë edhe foto të marra nën ujë, për të cilat thotë se janë dërguar nga zhytësit polakë që janë vizitorët më të shpeshtë të korridoreve të thella të kësaj perle të natyrës./ atsh / KultPlus.com

Gjirokastra gëlon nga vizitorët e huaj

Kryeministri Edi Rama solli mëngjesin e sotëm pamje nga sokakët e Gjirokastrës ku mund të dëgjosh nga të gjithë gjuhët e botës, ndërsa vizitorët e huaj kanë mbushur qytetin si kurrë më parë.

Rama theksoi se gjuhët e botës që dëgjohen nëpër sokaket e Gjirokastrës, të cilat gëlojnë nga vizitorët e huaj në këto ditë gushti, janë shëmbëlltyra më e mirë e turizmit që shtrihet në gjithë vendin.

Ndërsa turistët shprehen të mahnitur nga rrugicat e qytetit, kulinaria..etj.

“Unë jam nga Spanja, por jetoj në Gjermani. Është hera e parë që vij në Gjirokastër. Deri tani është një qytet shumë i këndshëm. Ende nuk e kam vizituar kalanë. Por, besoj se do të jetë një udhëtim shumë i këndshëm”, u shpreh një turiste.

“Ne jemi nga Gjermania. Jemi akomoduar në një hotel pak më poshtë dhe më pëlqen shumë mëngjesi këtu. Është shumë i këndshëm. Po, është e këndshme të ecësh në këto rrugica dhe të shikosh dyqanet përreth. Është hera e parë që vijmë. Erdhëm mbrëmë dhe sapo kemi filluar të eksplorojmë qytetin”, u shprehën dy turiste të tjera.

“Ne jemi nga Portugalia. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe në këtë qytet. Do të qëndrojmë në Durrës, por vendosëm ta vizitojmë edhe këtë qytet. E kemi parë në rrjetet sociale, por kemi dhe miq që e kanë vizituar dhe ishim shumë kureshtar ta vizitonim këtë qytet. Sapo kemi mbërritur dhe më duket shumë i bukur, natyra përreth dhe vetë qyteti. Shpresoj te shoh më shumë bukuri sot”, u shpreh turisti.

“Përshëndetje, jemi Xhoana dhe Paola nga Portugalia. Kjo është vizita jonë e parë në Gjirokastër. Ky qytet më duket shumë i këndshëm. Është mahnitës. Mbërritëm mbrëmë dhe dritat e qytetit ishin shumë të mrekullueshme, ishin shumë të bukura. Është shumë e këndshme edhe gjallëria e qytetit. Është shumë bukur të shohësh edhe kaq shumë njerëz. Ky qytet ka një shije magjike. Sa për ushqim kemi provuar qifqi, musaka. Sa për ëmbëlsirë provuam oshaf. E rekomandojmë. Ishte shumë e mirë”, u shprehën turistet./atsh/KultPlus.com

Media franceze reportazh nga Gjirokastra, Rama: Shembulli i transformimit kolosal të Shqipërisë

Magjia e qytetit të gurtë, Gjirokastrës, me pazarin karakteristik, kulinarin, veshjet tradicionale, si dhe Kalanja madhështore, ishin fokusi i një reportazhi disa minutësh të transëmetuar nga media franceze “TF1”.

Kryeministri Edi Rama, ka ndarë në rrjetet sociale reportazhin e përgatitur nga televizoni i njohur francez, duke theksuar se publiku frankofon ka shquar shembullin e kristaltë të një transformimi kolosal që ka ndodhur në Shqipëri.

“Surprizë e bukur në një prej televizioneve me audiencën më të lartë në Francë siç është TF1, që i dhuroi publikut frankofon në pesë minuta gjithë magjinë e Gjirokastrës, sokaket e së cilës gëlojnë nga turistët këtë fillim vere, në udhëtimin mbresëlënës nga legjenda e Argjirosë, deri te turizmi kulinar, natyror e kulturor që ofrohet në zonë, si shembulli më i kristaltë i transformimit kolosal që ka ndodhur në këto vite”,- thekson Kryeministri Edi Rama.

Gjirokastra javën e që sapo mbyllëm ishte në fokus të turistëve dhe për faktin se u zhviulluar Festivali Foklorik Kombëtarë, ku morën pjesë grupe muzikore e valltarë nga 12 qarqet e vendit,  por edhe nga diaspora./atsh/KultPlus.com

Të huajt kureshtarë për punimet e zanatçinjve në Gjirokastër

Punimet karakteristike zgjojnë kuriozitetin e turistëve të huaj, të cilët në mjaft raste dëshirojnë të mësojnë mënyrën e punimit në gur të skalitur apo drugdhendje. Për turistët që vizitojnë qytetin e gurtë të ushtrosh zanatet e traditës është diçka  tërheqëse dhe interesante.

“Me të vërtetë ndihem i kënaqur kur merrem me punime të tilla. Mendoj se është një eksperiencë ndryshe dhe mjaft interesante,” – u shpreh një turist.

“Besoj që është një detaj që duhet përmendur për Gjirokastrën  sepse nuk është vetëm kala, gur dhe ushqime por është edhe këto lloj zanatesh, të cilat kanë bërë të mundur ndërtimin e qytetit  dhe këto janë baza e  ruajtjes dhe promovimit  duke ruajtur dijen për zanatet  bëjmë të mundur që të mbajmë kulturën gjallë dhe të vazhdojmë ta promovojmë qytetin,” – tha guida turistike, Blerim Topulli.

Mjeshtrat artizanë shprehen se turistët janë të interesuar për mënyrën e punimit të suvenireve dhe elementë të ndërtimit të traditës gjirokastrite.

“Të huajt më tepër vijnë për të provuar një eksperiencë ndryshe. Këta dy të rinj që kemi sot në profesionin e tyre merren me kompjuter, është larg kësaj por  thjesht për të thyer atë monotoninë e tyre, vijnë duke bërë turizëm dhe  provojnë një eksperiencë të re. Ndërsa gjatë shpjegimit që i bëjmë  këtu lidhur me  pjesën e shtëpive karakteristike të Gjirokastrës, me pjesën e arredimit që kanë pasur sidomos me elementët e gurit, elementët e drurit domethënë duke i shpjeguar dhe duke ua bërë , duke i dhënë një ekspoze të Gjirokastrës të vërtetë me ato misteret që ka mendoj se e bën edhe më  të dëshiruar këtë eksperiencën që këta vijnë edhe marrin,” – tha mjeshtri drugdhendës, Viktor Nurçe.

Zhvillimi i turizmit po nxit edhe rikthimin e zejtarisë dhe punimeve karakteristike në Gjirokastër ndërsa këtë vit janë çelur dhe disa qendra të reja të artizanatit në zonën historike të qytetit. /atsh/ KultPlus.com

Gjirokastër, mbi 7 mijë vizitorë vendas e të huaj zgjedhin vizitat në muze

Muzetë e Gjirokastrës po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë vendas e të huaj, duke u cilësuar si qendra të rëndësishme për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit kulturor.

Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës bëri të ditur për ATSH-në se “ gjatë periudhës janar-maj këto muze u vizituan nga 7107 vizitorë vendas e të huaj”.

“Në muajin maj Muzeu Etnografik u vizitua nga 1128 vizitorë, muzeu “Kadare” nga 676, “Tuneli” nga 350 dhe muzeu në “Kala” u vizitua nga 1408 vizitorë”, theksoi Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës.

Investimet e zbatuara në muzeun Etnografik dhe “Kadare” për rijetësimin e tyre kanë bërë që të ofrojnë standardet e duhura për vizitorët vendas dhe të huaj.

Krahas vlerave turistike muzeumet që funksionojnë në qytetin e gurtë janë edhe qendra të përkujdesjes dhe promovimit për vlerat e trashëgimisë historike dhe kulturore. Muzeu i Armëve, ai Etnografik etj., tashmë janë shndërruar në marka të njohura për muzeumet jo vetëm në rang kombëtar, por edhe ndërkombëtar.

Si një qytet muze me trashëgimi kulturore të pasur, Gjirokastra është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe vizitohet nga një numër i lartë vizitorësh vendas dhe të huaj çdo vit./KultPlus.com

Shpallja “qytet-muze” e Gjirokastrës, Beratit, Krujës e Durrësit

Më 2 qershor 1961, Gjirokastra, Berati, nëntoka e Durrësit dhe pazari i vjetër i Krujës u shpallën qytete-muze.

Bazuar në këtë vendim të Këshillit të Ministrave u ngarkua Universiteti Shtetëror i Tiranës (USHT) që të kryente studimin dhe projektimin për zonifikimin e këtyre qyteteve.

Ndërkohë këto qytete duhet të mirëmbaheshin, të restauroheshin dhe të administroheshin në përputhje me dispozitat e Rregullores së qytetit-muze të Beratit dhe me udhëzimet e veçanta të Universitetit Shtetëror të Tiranës.

Sipas Rregullores së përmendur, qyteti i Beratit ndahej në zonën muze, në zonën e mbrojtur dhe në zonën e lirë. Zona muze ruante monumente të kategorisë së I-rë dhe të II-të, në dallim nga zona e mbrojtur ku gjenin vend vetëm monumente të kategorisë së I-rë.

Ndërsa, në zonën e lirë bënin pjesë vetëm monumente të izoluara të kategorisë së I-rë, në pjesën e mbetur të qytetit pa pikëprerje me dy zonat e tjera. /Ata

Si trashëgohet artizanati në qytetin e gurtë të Gjirokastrës

Kurora e krenarisë së Gjirokastrës kulturore e historike “Pazari Karakteristik” dhe “Kalaja e Argjiros” nuk mund të ndahen nga ato elemente që hedhin themelet kulturore, që mbajnë gjallë traditën, historinë dhe i trashëgojnë ato ndër breza për mos tu shkëputur më kurrë.

DRTK Gjirokastër na prezanton me shembullin e njërës prej artizaneve që spikat për punën e saj autentike. Ajo është Buqe Muka, mjeshtre që punon me dëshirë dhe dashuri. Veçantia e saj qëndron në faktin se punon mbi skicat e djalit të saj 20-vjeçar, Markelian Muka i cili ka zgjedhur të ndjekë rrugën e nënës së tij.

Buqe Muka rrëfen se ka punuar që e vogël, duke ndjekur shembullin e nënës së saj.

“Dëshira për ta punuar një veshje tradicionale për vete, më futi në këtë teknikë që më dukej e paarritshme në fillim”, rrëfen Buqja e cila sfidë pas sfide arriti edhe të përfshihej në restaurimin e elementëve të ndryshëm në Muzeun Etnografik, në Gjirokastër.

Teknika që ajo pëlqen më shumë është “punimi me tërtil”. Një lloj qëndisje që tregonte klasën e lartë shoqërore të vendit tonë në shekujt e kaluar.

Për 2 muaj ishte pjesë e ekipit të restaurimit të objekteve në muze dhe puna me veshje dhe tekstile të punuara 100-150 vjet më parë e futi në një dimension tjetër.

“Ishte njësoj si të futeshe në një bibliotekë të madhe. Ku çdo send, çdo veshje, ishte libër më vete. Ky është momenti ose pjesa më e bukur e gjithë rrugëtimit tim si qëndistare”, tregon Buqe Muka.

Tashmë klientë të saj janë persona me moshë e kombësi nga më të ndryshmet. Ajo ndihet e lumtur kur mendon se punimet e saj artizanale, kanë kaluar kontinente./atsh/ KultPlus.com

 Rikthimi i “pipirisë” në Pazarin e Gjirokastrës

Ministrja e Turizmit dhe Kulturës, Mirela Kumbaro ishte sot në Pazarin e Gjirokastrës, i rijetësuar nga gërmadhat falë investimeve të kryera.

Kumbaro u ndal në një prej dyqaneve artizanale të vendosura në Pazarin e Gjirokastrës, ku theksoi se “kur ne e nisëm këtë punë 6-7 vite më parë ishte e vështirë për t’u kuptuar”.

“Surpriza e rikthimit të “pipirisë” së zhdukur, veshjes tradicionale gjirokastrite që Lizetës, njërës prej artizaneve duararta të Gjirokastrës, iu deshën tre vite për ta përfunduar, me gjithë detajet e nuancat e holla, sipas një ekzemplari origjinal që e gjejmë sot vetëm në një fotografi dhe në ndonjë muze jashtë vendit”, tha Kumbaro.

Ajo vlerësoi minimuzeun që ofron ky dyqan me veshje tradicionale, ndërsa vlerësoi se, “pipirija” e krijuar nga Lizeta mund të konsiderohet një vepër arti.

“Dhe e gjitha kjo ndodh në Pazarin e Gjirokastrës të rijetëzuar nga gërmadhat falë vizionit dhe investimeve të kryera ku sot ruhen xhevahiret e artizanatit tonë”, shtoi Kumbaro./atsh/KultPlus.com

Festivali i Gjirokastrës, 40 grupe polifonike fillojnë përgatitjet

Rikthimi i Festivalit të Gjirokastrës pas një kohe të gjatë, ka rikthyer emocionet dhe garën e grupeve të cilat janë përfshirë në fazat konkurruese e më tej përzgjedhëse, sa i përket përfaqësimit të Qarkut Vlorë.

“Normalisht në katër deri në pesë vjet zhvillohet ky festival dhe jemi përgatitur të konkurrojmë dhe shpresojmë të jemi pjesë e festivalit. Kemi marrë pjesë në të gjitha festivalet nga viti 2000”,- tha grupi Jehona Labe.

“Ne jemi grup i ri prej 12 vjetësh , 28 Nëntor të 2012. Kemi konkurruar një herë për në Festival të Gjirokastrës pra 6 vitesh. Çdo konkurrim ka emocionim e vet por ne prandaj kemi dalë të këndojmë polifoni”,-tha grupi Pavarësia.

“Është diçka fantastike edhe lufta është e madhe, edhe grupet janë përgatitur të gjithë do vejë më i miri, ai që do i japi vlera Vlorës”, tha grupi Djemtë e Vlorës

“Kemi qenë në vitet socialiste, në Vlorë, Elbasan në Gjirokastër mesa di jo”,- tha grupi i Rrëmjeve (vllah)

Kryetari i Këshillit të qarkut Vlorë tregoi se kanë konkurruar rreth 40 grupe në të gjithë qarkun ku do të marrim pjesë jo vetëm me pjesën e polifonisë siç njihet dhe është karakteristikë e qarkut tonë por dhe me përfshirje të komuniteteve të cilët janë pjesë përbërëse të qarkut, të kulturës dhe traditës burimore.

“Kjo do thotë si komunitetit çam, me minoritetin me zonën minoritare që është bashkia e Finiqit me sazet e Delvinës apo me zonën e Myzeqesë pra komisioni ka një punë shumë të vështirë nga larmishmëria e madhe e përfaqësimit dhe konkurrimit”,-tha Ervis Moçka, Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë

Prej krijimit të Festivalit në vitin 1978 qarku Vlorës ka qenë përherë i përfaqësuar ndërsa dy herë ka marrë edhe çmimin e parë./ euronews

Gjirokastra mirëpret arbëreshët me muzikë, kulinari e parada kostumesh tradicionale

Muzikë, traditë, kulinari dhe parada me kostumet tradicionale vendase dhe ato arbëreshe kanë mbledhur sërish qytetarët gjirokastritë, turistët vendas dhe të huaj këtë fundjavë në Gjirokastër.

Fundjava Arbëreshe ka qenë aktiviteti i radhës i organizuar nga bashkia Gjirokastër dhe Tid Gjirokastra.

Këtë fundjavë Gjirokastra ka mirëpritur miqtë arbëreshë, të cilët vijnë për të disatën herë në qytetin e Gjirokastrës.

Të pranishëm në aktivitet kanë qenë edhe turistë të shumtë të cilët kanë pasur mundësinë të shohin dhe të shijojnë një mbrëmje krejt ndryshe në pazarin karakteristik. Për pjesëmarrësit arbëreshë në këtë aktivitet rikthimi në qytetin e Gjirokastrës mbetet gjithmonë një emocion i veçantë.

Për vizitorët e huaj aktivitete të tilla edhe në këtë periudhë të vitit janë shumë të domosdoshme dhe kanë një interes të lartë për vizitorët e fundjavave.

E veçanta e mbrëmjes kanë qenë gatimet tradicionale 500-vjeçare të cilat janë servirur për të pranishmit dhe kostumi arbëresh 150-vjeçar i cili tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve. Sezoni turistik në qytetin e gurtë duket se është ende herët për të përfunduar./Klan News/ KultPlus.com


Kumbaro: Gjirokastra destinacion gjithëvjetor i turizmit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se “Gjirokastra është kthyer në destinacionin gjithëvjetor të turizmit”.

Gjatë një takimi me operatorë turistikë dhe të hotelerisë në qytetin e Gjirokastrës, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja Kumbaro tha se “sot ofertat janë të shumta dhe mbi 2 mijë shtretër janë të zënë sidomos në fundjavë”.

Sipas saj, investime e kryera në Gjirokastër kanë ndodhur falë vizionit të qeverisë dhe gjirokastritëve që i rikthyen investimet në vlerë qytetare ekonomike dhe kulturore.

“Sot Gjirokastra është destinacioni numër një i turistëve që nuk vijnë për plazhin dhe rërën dhe këtë e dinë të gjithë”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “sot ka kaq shumë biznese te pazari, dyqane suveniresh, administratorë bujtinash, restorante hotele që sot pazari është mbushur sektori i turizmit dhe agroturizmit. Sot kemi vetëm një vështirësi ajo e zgjedhjes kur vjen në Gjirokastër të rrish ne Qafën e Pazarit, të shkosh në Dropull, Libohovë, apo të ndalosh në Tepelenë ,në Picar apo Valare. Të gjitha këto deri dje ishin vetëm emra fshatrash sot janë destinacione turistike , të gjithë këtë paketë e kemi në një shoqatë shumë të mirë që është “Visit Gjirokastra””.

“Jam krenare dhe e lumtur që në Gjirokastër kemi krijuar atë që quhet destinacione të menaxhuara, modeli më i mirë në Shqipëri. Këtë model po përpiqemi ta replikojmë edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë”, tha Kumbaro. / atsh / KultPlus.com

Gjirokastra, një nga qytetet që ka përfituar më shumë nga Bonusi i Rijetësimit

Gjirokastra është një nga qytetet që ka përfituar më shumë nga Bonusi i Rijetësimit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh mëngjesin e sotëm se janë 10 objekte që marrin mbështetje financiare për mirëmbajtje, restaurim apo rijetësim.

Bonusi i Rijetësimit u shërben të gjithë atyre që duan të zhvillojnë pronën e tyre në qendrat historike të qyteteve.

Ai përfshin dy instrumente mbështetjeje: një për restaurimin dhe konsolidimin e guaskës së shtëpisë, mureve, dritareve, dyerve, fasadës apo çatisë, ku jepet 10 mijë dollarë mbështetje, dhe instrumenti i dytë, për të gjithë ata që do të duhet të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë, deri në 50 mijë dollarë.

Me anë të këtij programi vjen për herë të parë një mbështetje për të gjithë banorët në qytetet dhe ansamblet historike, të cilët kanë nevojë të restaurojnë shtëpinë e tyre dhe shteti do t’u gjendet pranë me një skemë granti./atsh /KultPlu.com

Spektakël nga qielli mbi aerodromin fushor të Gjirokastrës

Kryeministri Edi Rama solli këtë mëngjes në vëmendjen e publikut pamje nga hedhjet me parashutë në aerodromin fushor të Gjirokastrës, sport që po tërheq gjithnjë e më shumë të apasionuar.

“Mirëmëngjes dhe dhe me këtë spektakël nga qielli mbi Aerodromin Fushor të Gjirokastrës, që tashmë me certifikimin e tij i hap rrugë një lloji të ri turizmi, atë të fluturimeve dhe hedhjes me parashutë, duke i dhënë Gjirokastrës historike edhe më shumë vlerë turistike, ju uroj një fundjavë të bukur”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.

Për herë të parë pas më shumë se 30 vitesh, vitin e kaluar, në Gjirokastër u rikthyen fluturimet në aerodromin sportiv.

Rikthimi në funksion i aerodromit mbi 80-vjeçar të Gjirokastrës ka diversifikuar ofertën turistike në qytetin e gurtë, i cili vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj.

Aerodromi i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Fluturimet në Gjirokastër ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.

Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor. /atsh /KultPlus.com

Gjirokastra 17 vite në UNESCO, Margariti: Jo vetëm thesar yni, por i gjithë botës

Qyteti i Gjirokastrës, i cili po tërheq gjithnjë e më shumë një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj, sot feston 17-vjetorin e hyrjes në UNESCO.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndau sot në rrjetet sociale pamje nga qyteti i gurtë si ishte dhe si është transformuar pas ndërhyrjeve restauruese në banesat karakteristike dhe rrugët turistike të tij.

“U mbushën 17 vjet qëkurse Gjirokastra, ky muze i gjallë nën qiell të hapur nuk është më vetëm thesar yni, por i gjithë botës. Në vitin 2005 u bë pjesë e listës së trashëgimisë botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s dhe dita-ditës, falë vëmendjes së qeverisë, investimeve nga buxheti i shtetit dhe me donatorë, në rrugë, në muze, pazar, objekte kulti, po del në dritë si një zonjë e madhe”, thekson Margariti.

Gjirokastra u pranua në UNESCO në korrik të 2005-ës përmes një procesi shumë mikpritës dhe dashamirës nga të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate.

Çdo fundjavë Gjirokastra mbushet plot vizitorë vendas e turistë të huaj, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit. Gjirokastra është një qytet që përbën dëshmi unike të një tradite kulturore të jetës së zhvilluar në shekujt 14-19.

Në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet. Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Ajo ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.

Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.

Kalaja, e ndërtuar në shek. 13, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa pazari (shek. 17) i vendosur në qendër të qytetit ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional, me ndërtesa të njëpasnjëshme të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj./ atsh / KultPlus.com

Historia e emrit të Gjirokastrës

Emri i qytetit të Gjirokastrës mësohet të jetë përmendur në shekullin XIII, për herë të parë. Ndërsa fillimet e qytetit mendohet të jenë pas rënies se Adrianopolit. Ka disa versione për prejardhjen e emrit të qytetit. Një legjendë thotë që gjatë rrethimit të qytetit nga turqit, Princesha Argjiro, motra e zotit të qytetit u hodh nga muret e kalasë bashkë me djalin e saj. Që këtu rrodhi edhe emri “kalaja e Argjirosë” dhe mori emrin qyteti.

Por ky version është i pamundur mbasi emri i qytetit përmendet që në kohën e Bizantit, pra para pushtimit osman. Sipas një shpjegimi tjetër më pak poetik, qyteti e ka rrënjën e emrit nga greqishtja, Argyró-kastro që do të thotë kështjellë e argjendtë. Një shpjegim i tretë lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët.

Versioni i katërt lidhet sërish me kështjellën që mendohet të jetë nisur së ndërtuari nga Gjin Bue Shpata, i cili i dha emrin qytetit, Gjino-kastër. /HEJZA/ KultPlus.com