UNESCO: Deri në fund të shekullit të 21-të, mund të zhduken 3000 gjuhë në botë

Rreth 3 mijë nga më shumë se 7 mijë gjuhët që fliten aktualisht në botë janë në rrezik të zhdukjes deri në fund të shekullit të 21-të.

Sot shënohet “Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare”, e cila u ratifikua në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në vitin 1999 me iniciativën e Bangladeshit dhe festohet çdo vit më 21 shkurt që nga viti 2000.

Sipas të dhënave të UNESCO-s, aktualisht në botë fliten mbi 7.000 gjuhë, nga të cilat 6.700 janë gjuhët e popujve indigjenë, duke i bërë ato gjuhët “më të kërcënuara” në botë, shkruan Anadolu, transmeton Klankosova.tv.

Sipas projektrezolutës së miratuar si pjesë e Vitit Ndërkombëtar të Gjuhëve Indigjene të OKB-së të festuar në 2019, UNESCO u bën thirrje shteteve të krijojnë fonde dhe mekanizma për ruajtjen e gjuhëve indigjene.

Sipas UNESCO-s, megjithëse popullsia indigjene përbën një pjesë të vogël të popullsisë së vendeve, këto komunitete janë pjesa më e madhe e diversitetit kulturor dhe gjuhësor. Zhdukja e gjuhëve mund të nënkuptojë zhdukjen e pakthyeshme të kozmopolitizmit dhe trashëgimisë së përbashkët të njerëzimit.

Sipas OKB-së, humbja e diversitetit gjuhësor ndikon në gjithçka, nga jeta biologjike në jetën kulturore.

Atlasi Botëror i Gjuhëve të Rrezikuara i UNESCO-s

Gjuhët që nuk janë folur nga askush që nga viti 1950 konsiderohen gjuhë “të zhdukura”, sipas Atlasit Botëror të Gjuhëve të Rrezikuara të UNESCO-s.

Gjuhët që nuk fliten më nga fëmijët si gjuhë amtare klasifikohen si “definitivisht nën kërcënim”, ndërsa gjuhët që fliten nga fëmijët, por që nuk fliten kudo, klasifikohen gjithashtu si “të cenueshme”.

Që një gjuhë të konsiderohet “e sigurt”, duhet të flitet nga të gjitha brezat pa asnjë kufizim gjuhësor. Sipas këtij klasifikimi, 4 për qind e gjuhëve të folura deri më sot atribuohen si “të zhdukura”.

Ndërkaq, 10 për qind e gjuhëve që fliten sot në botë klasifikohen si “të rrezikuara në mënyrë kritike”, 9 për qind “të rrezikuara rëndë”, 11 për qind “definitivisht të kërcënuara” dhe 10 për qind “të cenueshme”. UNESCO është e shqetësuar se këto gjuhë mund të zhduken deri në fund të këtij shekulli./ KlanKosova/ KultPlus.com

Cilat janë gjuhët më të përdorura në ShBA, pas anglishtes?

Në Shtetet e Bashkuara, numri i njerëzve që flasin një gjuhë tjetër përveç anglishtes në familje u trefishua mes viteve 1980 dhe 2019, thuhet në një raport të Byrosë amerikane të Regjistrimit të popullsisë. Pothuajse 68 milionë vetë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara flasin një gjuhë të dytë në shtëpi. Në vitin 1980, vetëm 23 milionë njerëz flisnin një gjuhë të dytë me familjet e tyre në Amerikë.

“Kjo tregon larminë për të cilën njihet ky vend”, thotë Dina Arid, nënë e tre fëmijëve nga Kalifornia, e cila përveç anglishtes, gjatë fëmijërisë fliste edhe arabisht në shtëpi. “Pra, është mirë që nuk flitet vetëm anglishtja. Këtu ka një grup të madh emigrantësh.”

Arabishtja është një nga pesë gjuhët e dyta më të folura në Shtetet e Bashkuara. Arid, e cila u flet kryesisht në anglisht fëmijëve të saj, po përpiqet t’u mësojë atyre edhe arabishten.

“Gjatë fëmijërisë, unë kisha të afërm të cilët nuk arritën të mësonin arabishten. Ndonëse nuk janë të mërzitur me prindërit e tyre për këtë, ata thonë se do të donin ta flisnin gjuhën tani”, thotë ajo.

Spanjishtja është gjuha e dytë më e njohur në Shtetet e Bashkuara. Më shumë se 41 milionë njerëz, 12 herë më shumë se gjuhët e tjera të dyta më të zakonshme, flasin spanjisht në shtëpi. Hispanikët janë grupi më i madh i pakicës në Shtetet e Bashkuara. Më shumë se gjysma (55%) e atyre që flasin spanjishten kanë lindur në Shtetet e Bashkuara.

Gjuha kineze, tagalo dhe ajo vietnameze janë në grupin e pesë gjuhëve që fliten më së shumti në Amerikë.

“Prindërit e mi flisnin edhe anglisht në shtëpi, por ata u përpoqën ta ruanin gjuhën e tyre. Gjatë ditës në shkollë unë flisja anglishten, ndërsa në mbrëmje, në shtëpi, e flisja vetëm gjuhën vietnameze”, thotë Jenny Nguyen, studente e stomatologjisë në Virxhinia, prindërit e së cilës emigruan nga Vietnami. “Kur isha më e re, nuk e kuptoja rëndësinë e saj, por tani jam shumë e lumtur që mund të flas dhe të shkruaj në gjuhën vietnameze në një nivel kaq të mirë”, thotë ajo.

Ajo e vuri gjuhën kur udhëtoi në Vietnam për të ofruar kujdes dentar falas për komunitetet e varfra. Shumë nga bashkëmoshatarët e saj, që ishin pjesë e kësaj nisme, ishin gjithashtu vietnamezo- amerikanë.

“Ata nuk mund të komunikonin mirë me pacientët sepse nuk e flisnin gjuhën në një nivel të mjaftueshëm”, thotë Jenny Nguyen. “Unë isha një nga vullnetarët e rinj të paktë që mund të komunikonin me pacientët”, thotë ajo.

Sipas Byrosë amerikane të Regjistrimit të popullsisë, ata që flasin gjuhën kineze, vietnameze, tagaloge dhe arabe kishin më shumë gjasa të ishin të pajisur me shtetësinë amerikane.

Raymond John “R.J.” Mosuela, rekrutues punonjësish të kujdesit shëndetësor në Virxhinia, prindërit e të cilit janë nga Filipinet, nuk mund të flasë gjuhën e tyre amtare, por thotë se i kupton kur ata i flasin në gjuhën e tyre.

“Tagalo, dialekti kryesor i gjuhës që flitet në Filipine, flitej në shtëpi, por ai përzihej me anglishten”, thotë zoti Mosuela. “Unë jam më i vogli nga tre vëllezërit. Dy nga vëllezërit e mi më të mëdhenj kanë lindur në Filipine. Unë linda pasi prindërit e mi mbërritën në Amerikë. Nëna më fliste në gjuhën tagalo dhe unë i përgjigjesha në anglisht”, thotë ai.

Përcjellja e kulturës amtare të prindërve tek fëmijët e tij është e rëndësishme për zotin Mosuela.

“Kur të martohem dhe të bëhem me fëmijë, ndoshta jo gjuhën, por të paktën do të përpiqem të ruaj ushqimin dhe traditat tona kulturore”, thotë ai.

Cathy Erway, autore e shkrimeve për ushqimin në Nju Jork, po përdor një aplikacion të telefonave inteligjentë për të mësuar dialektin mandarin të gjuhës amtare kineze.

“Është interesante se babai im, i cili është amerikan i bardhë, flet gjithashtu gjuhën kineze”, thotë zonja Erway. “Prindërit e mi komunikonin në gjuhën kineze kur nuk donin që fëmijët, unë dhe vëllai im, të dëgjonin se çfarë po thoshin. Pra, ata e trajtuan atë si një gjuhë sekrete”, thotë ajo.

Ndërsa më shumë njerëz flasin një gjuhë të dytë në shtëpi, Byroja amerikane e Regjistrimit të popullsisë raporton se numri i njerëzve që flasin vetëm anglisht në shtëpi gjithashtu u rrit, me rreth 25 për qind, nga 187 milionë në 1980 në 241 milionë në 2019./VOA/ KultPlus.com

Pesë gjuhët më të mësuara sot, pse duhet të dini më shumë se dy gjuhë

Pandemia e koronavirusit ka detyruar miliona të vetëkarantinohen, duke lënë shumë veta me shumë kohë të lirë. Dhe, siç transmeton Koha jonë studimin, shumë njerëz po e përdorin këtë kohë për të mësuar një gjuhë të re.

Kompania për mësimin e gjuhëve Duolingo, e njohur për uebfaqen dhe aplikacionin e saj falas, që i ngjan një loje, ka njohur rritje trafiku në “nivele të larta”, sipas Michaela Kron, menaxher i lartë i marrëdhënieve me publikun në Duolingo.

Ka disa përfitime të vërtetuara shkencërisht për njerëzit dygjuhësh. Një studim i kryer në Luksemburg dhe i botuar nga Akademia Amerikane e Neurologjisë, zbuloi se ata që flasin më shumë se dy gjuhë mund të kenë më pak të ngjarë të kenë probleme me kujtesën si Alzheimeri apo Demantia. Një studim tjetër, i bërë në Universitetin e Çikagos, zbuloi se përdorimi i një gjuhe të huaj gjatë marrjes së vendimeve rezulton në zgjedhje më racionale dhe më pak emocionale.

Ju mund të përdorni një aplikacion gjuhësor për të mësuar gjuhët, nga spanjisht deri në hindu. Këtu janë pesë kurset kryesore dhe më popullore të gjuhëve, sipas të dhënave nga Duolingo, të renditura sipas numrit të nxënësve aktualë të regjistruar.

Gjermanisht për anglisht folës (8.18 milionë njerëz)

Anglisht për portugezët (11.1 milionë)

Frëngjisht për anglishtfolësit (14.4 milionë)

Spanjisht për anglishtfolësit (25.8 milionë)

Anglisht për spanjishtfolësit (28.6 milionë) / KultPlus.com