Adhuruesit e Jacksonit padisin viktimat e abuzimit në gjykatën franceze

Një grup i adhuruesve të Michael Jacksonit të enjten kanë kërkuar dëmshpërblim nga dy prej viktimave të pretenduara të abuzimit të legjendës së popit për “njollosje imazhi” në dokumentarin e HBO “Leaving Neverland”.

Fan-klubet kanë paditur dy burra në Orleans, në veri të Francës. Gjykata ka thënë se vendimi do të jepet më 4 tetor.

Grupet “Michel Jackson Community”, “MJ Street” dhe “On the Line” kanë akuzuar Wade Robsonin dhe James Safechuckin për shpifje ndaj Jacksonit në dokumentarin për abuzimet e pretenduara me fëmijë.

Avokati i adhuruesve, Emmanuel Ludot, i ka cilësuar pretendimet e dy burrave si “linçim i pastër” i Jacksonit, i cili vdiq më 2009.

Grupet e adhuruesve, të cilat po kërkojnë dëmshpërblime simbolike nga 1 euro secili (1.13 dollar), po marrin masa në Francë, për shkak se ligjet franceze për shpifjen vazhdojnë mbrojtjen edhe pas vdekjes, derisa sistemet ligjore britanike dhe ato në Shtetet e Bashkuara nuk e bëjnë një gjë të tillë.

Robson dhe Safechuck nuk ishin në gjykatë dhe nuk kanë udhëzuar avokatët për t’i përfaqësuar.

Në “Leaving Neverland”, dy të rinjtë adoleshentë kanë thënë se ata janë njohur me Jacksonin dhe më pas janë abuzuar prej tij në moshën 7 dhe 10-vjeçare në fillim të viteve ’90.

Jackson në vitin 2005 ishte liruar nga akuzat për keqtrajtimin e një djaloshi tjetër, dhe familja e tij ka hedhur poshtë akuzat e bëra në dokumentar.

Dokumentari, i transmetuar nga M6 në Francë, ka shkaktuar reagime kundër trashëgimisë së Jacksonit. Disa radiostacione kanë ndaluar së lëshuari muzikën e tij. Një episod i “The Simpsons”, ku shfaqet zëri i këngëtarit, është tërhequr nga transmetimet e ardhshme dhe “Louis Vuitton” ka hequr artikujt me Jacksonin nga koleksioni i vitit 2019 për të brendshmet verore të meshkujve.

Ludot ka thënë se ka besim në fitore. Më 2014, ai ka përfaqësuar “Michael Jackson Community”, kur grupi ka fituar zhdëmtime nominale prej 1 eurosh nga mjeku privat i pop-yllit, Conrad Murray, për rolin e tij në vdekjen e Jacksonit.

“Në Francë nuk mund të njollosësh imazhin e të vdekurit”, ka thënë Ludot. “Ka vuajtje morale dhe emocionale. Dhe kur ka vuajtje, ka edhe dëmshpërblim. Është kaq e thjeshtë”/ Reuters.