“Meteor”, atraksioni i ri kulturor për Golemin

Duket si një objekt antik që deti e ka nxjerrë në bregun e Golemit. Një guaskë që sjell zëra nga brendësia. Një meteor që ka përshkuar universin.

Në fakt është një nga veprat e realizuara si pjesë e nismës “Art në Hapësira Publike”, një nismë shumëplanëshe, si një rikualifikim, jo vetëm artistik, por edhe urban i hapësirave publike.

Vepra e prezantuar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, titullohet “Meteor”, një vepër e mjeshtrit Kristaq Krisiko, një vlerë e shtuar dhe një atraksion kulturor i ri për Golemin.

“Një shembull i rijetësimit të hapësirave publike”, e ka konsideruar ministrja në prezantimin e veprës.

Nisma “Art në hapësira publike” angazhon një fond prej 200 milionë lekësh, një fond të cilin qeveria shqiptare ia ka besuar Ministrisë së Kulturës.

Kjo nismë vjen edhe për të sjellë frymën e edukimit përmes artit e të bukurës, si edhe për të krijuar një lidhje sinergjike mes lokacionit, komunitetit, artistëve ashtu si edhe me zhvillimin urban të zonës.

Në fazën e parë të kësaj nisme u identifikuan 18 lokacione në të gjithë Shqipërinë, ku do të vendosen veprat a artit.

Ky projekt, veprat e të cilit përzgjidhen përmes një konkursi ndërkombëtar, pritet të vazhdojë në kohë dhe të shtojë veprat e artit nga veriu në jug të vendit./ atsh / KultPlus.com

“Panairi i Artizanatit”, ekspzohen produkte të prodhuara mjeshtërisht nga artistë popullorë

Letër nga Durrësi

AKTIVITET KULTUROR MODEL

Këto ditë, në Bulevardin e Pishave, në plazhin e Golemit, u zhvillua një aktivitet kulturor jo i zakonshëm! Bulevardi mori pamjen e një “Çarshie të Vjetër” me plotë tezga të zbukuruara me ngjyra dhe motive nga trashëgimia jonë kulturore.

Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural – ANRD, në bashkëpunim me Bashkinë e Kavajës e me mbështetje nga Enti i Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizimin e Grave – UN WOMEN si dhe me mbështetje financiare nga Qeveria Suedeze, përmes Fondit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, kishin organizuar PANAIRIN E ARTIZANATIT, në të cilin morën pjesë dhjetëra artizanë e artizane nga Durrësi, Tirana, Elbasani, Kavaja, Vau Dejës, Berati, Gjirokastra etj. Në një kënd ishte edhe tavolina e punës, e menduar si punëtori në natyrë për të gjithë ata të rinj e të reja që dëshironin të provojnë se si bëhet një punë dore nga artizanati. U ekspozuan lloj-lloj produkte të prodhuara mjeshtërisht nga artistë popullorë të këtyre trevave, si: kostume popullore, poçeri, punime tezgjahu, qëndisma, punë grepi e shtize, filigran e produkte të tjera.

Aktiviteti ishte një gjetje origjinale për të bashkuar në një vend shumë artizanë e artizane dhe për t’i ekspozuar punimet e tyre të dorës. Nga ana tjetër, eventi u organizua në vlugun e turistëve vendorë e të huaj dhe, ata që patën rastin ta vizitojnë këtë panair, thjesht u mrekulluan! Ky Panairi i Artizanatit pa dyshim që mund të merret si model i një eventi shumë domethënës, si për turistët ashtu edhe për prodhuesit e punimeve të dorës. Turistët mund të kthehen duke marrë me vete ndonjë punim me motive popullore, ndërsa artizanëve e artizaneve u shtohet besimi se ekonomia solide familjare mund të arrihet edhe përmes artizanatit.

Natyrisht, qëllimi i këtij eventi, mbi të gjitha, është që të nxirren në pah vlerat e trashëgimisë kulturore, të shtohet edhe më shumë dashuria për artizanatin dhe, mbi të gjitha, të sensibilizohen institucionet nacionale për një bashkëpunim sa më të ngushte me mjeshtrit e këtij arti popullor që të jenë sa më shumë pranë origjinales dhe, në këtë periudhë të globalizimit, tregut të përbashkët në industrinë kulturore, t’i qasemi me vlera burimore nga trashëgimia jonë kulturore.

Pa dyshim, ky event model duhet të kalojë në aktivitet tradicional dhe të lëvizë në të gjitha qendrat, duke i ftuar edhe artizanet dhe artizanët nga Kosova, si dhe nga viset e tjera etnike. Ky aktivitet jo vetëm që do të ishte i qëlluar në kohën e turistëve por, mbi të gjitha, do të ishte i dinjitetshëm edhe në pritje të mërgimtarëve tanë! Një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e artizanatit si një degë e industrisë kulturore!

Nëse institucionet qendrore dhe ato lokale nuk janë në gjendje që të organizojnë evente të tilla kulturore, të paktën mund t’i përkrahin dhe t’i motivojnë iniciativat e këtilla që mund të dalin nga shoqëria civile.
Në rastin konkret, Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural – ANRD-ja ua bëri të qartë të gjitha institucioneve përkatëse shtetërore se, eventet e këtillë jo vetëm që janë të rëndësishëm, porse edhe të domosdoshëm të shtrihen përgjatë tërë periudhës së turizmit, madje cep më cep shteteve shqiptare si dhe në viseve tona etnike. Trashëgimia jonë kulturore e jashtëzakonshme duhet të dalë përtej “punëtorive”, madje përtej muzeve etnologjike. Në një event si Panairi i Artizanatit duhet që të kenë qasje edhe ata që për shkaqe të ndryshme nuk kanë qenë në vendlindje apo nuk kanë pasur mundësi ta vizitojnë Panairin. Kjo mund të bëhet duke e organizuar vit për vit Panairi të jetë edhe online dhe, përmes katalogëve elektronikë të kenë mundësinë e porositjes të prodhimeve artizanale që mund t’iu pëlqejnë shqiptarëve anekënd botës. /HEJZA/ KultPlus.com