Dirigjenti Gregory Charettte i lumtur për ndërtimin e sallës koncertale në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Vendimi për shpronësimin e objektit “Gërmia” për ta shndërruar të njëjtin në një sallë koncertale, ka gëzuar dirigjentin amerikan Gregory Charettte, pasi që kushtet e vështira të muzicientëve kosovarë, ai për katër herë me radhë i ka parë nga afër.

Dirigjenti Gregory Charettte është rikthyer në Prishtinë për herë të katërt për të punuar së bashku me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, dhe pikërisht koncerti të cilin e ka dirigjuar në mbrëmjen e së martës, koncert ky në bashkëpunim me festivalin KamerFest 2018, atë e ka gjetur edhe me një lajm të rëndësishëm sa i përket zhvillimit të muzikës në Kosovë.

“Mendoj që është fantastike që është vendosur për një sallë koncertale dhe kjo është vërejtur edhe në lojën e instrumentistëve, ka shumë krenari në të dhe mendoj se ky shtet, kjo shoqëri dhe kjo orkestër e meriton atë. Nuk më brengos se çfarë thonë njerëzit për të pasi që ajo duhet të ndodh dhe jam shumë mirënjohës që BE-ja po ndihmon”,ka thënë për KulttPlus dirigjenti Charette në lidhje me dhënien e dritës jeshile për posedimin e një salle koncertale në Prishtinë./KultPlus.com