Grekët e lashtë dhe perëndia iliro-epiriote

Nga: Nelson R. Çabej (pjesë nga vepra, “Në gjurmët e perëndive dhe mitologjemave ilire”_
Përgatiti: Hera Lera

Sot pranohet thuajse me konsensus se Dione, që del në burimet e lashta greke, është një perëndi e tipit të Nënës Tokë, por emri i saj është larg asaj që duhej pritur po të kishte dalë nga ndonjëra prej fjalëve të greqishtes së lashtë për tokën e dheun – gaia, kton dhe pedon.

Në mitologjinë e lashtë greke perëndia origjinale e Tokës ishte Gaea, që më vonë u njoh me emrin Demetra. Në versionin më të përhapur të mitit të krijimit, Gea ishte gruaja e Uranit (por edhe nëna e tij, meqë ajo vetë, nuk kishte prind sepse doli nga kaosi) me të cilin ajo lindi Zeusin. Tek “Eumenides” e Eskilit, një priftëreshë thotë:

“Në këtë lutjen timen, vendin e nderit më të lartë ndër të gjitha perënditë ia jep profeteshës se parë, Nënës Tokë, Gaias.”

Vetë emri i saj, Gaia, tregon se ajo ishte hyjnizimi i tokës, por as kjo fjalë as fjalët e tjera greke për token, nuk mund të lidhen arsyeshëm me emrin e Diones, Nënës Tokë të Dodonës së Epirit. Jo vetëm greqishtja, por asnjëra nga gjuhët e sotme dhe të lashta të Ballkanit, duke përfshirë latinishten e të tjera gjuhë, nuk ofrojnë ndonjë mundësi të dukshme për ta lidhur emrin e perëndeshës Dione me Nënën Tokë: në rumanisht toka quhet pamant, në greqisht – ge, në trakisht – semele, në latinisht- terra, në protosllavisht – zemla etj.

Me ndjenjën e epërsisë kulturore ndaj epirotëve dhe me karakterin e theksuar inkluziv ndaj epirotëve, si dhe me karakterin e theksuar inkluziv të panteonit të tyre, grekët i gjetën herët vend Zeusit në Dodonën pellazgjike, siç e quante atë Homeri. Ata e lidhen atë mitologjikisht me Nënën Tokë epirote, Dione, dhe e certifikuan si ‘grua lokale’ të Zeusit, sepse gruaja dhe shoqëruesja e tij e përhershme ishte Hera. Me kohë, Dione u përfshi edhe në ndonjë nga versionet e shumta të panteonit grek, por vendi i saj në atë panteon mbeti gjithnjë i paqëndrueshëm: ajo herë del si nënë e Afërditës e herë si nënë e Dionisit, herë si bijë e Uranit dhe Gaias – perëndeshës greke të tokës, e herë si analoge dhe njëvlerëse e saj etj.

Panteoni grek ishte një panteon kozmopolit në përbërjen e të cilit kanë kontribuar një numër popujsh të tjerë të Ballkanit, Mesdheut e Lindjes së Afërme. Kështu p.sh, Dionisi, Aresi dhe Semele janë perëndi me prejardhje trake, Isis – perëndeshë egjiptiane, Kibele – ishte Nëna Tokë e frighianëve (brigëve) anatolianë dhe Afërdita e ka prejardhjen nga Lindja e Afërme. Andaj, pyetja e mundshme “përse grekët e lashtë do të futnin në panteonin e tyre një perëndi iliro-epirote?”, e ka përgjigjen, mbi të gjitha, në karakterin thithës dhe eklektik të panteonit grek, si dhe të artit e kulturës së lashtë greke në përgjithësi.

Evans, mendon: “Emri Dione është forma femërore e Zeusit, që mban të njëjtën prapashtesë si Dodona. Prapashtesa n- është shumë e përdorur për emrat hyjnorë në shumë popuj të familjes, sidomos ndër italikët. Në fakt, Dione ka një paralele thuajse të saktë në Dianën latine, e cila adhurohej në një pyll të vogël me pemë në Nemi, që kishte edhe një pemë të shenjtë, me shumë të ngjarë një lis.”

Duket se këtu, ai përzien dy shpjegime të veçanta: i pari se emri i Diones mund të ketë dalë nga feminizimi i emrit Zeus dhe i dyti se ai emër mund të jetë huazuar nga latinët. Lidhur me shpjegimin e parë, edhe në qoftë se, për hir të diskutimit, do të pranonim që Dione ka dalë nga feminizmi i emrit të Zeusit, ne nuk jemi në gjendje të shpjegojmë përse grekët do të futnin prapashtesën -on të një gjuhe të huaj iliro-epirote në emrin grek Zeus, për të formuar emrin hyjnor, Dione. Shpjegimi i dytë është po aq i dyshimtë sa dhe i pari sepse grekët, duke mos qenë fqinjë të drejtpërdrejtë të latinëve, ka shumë pak të ngjarë që ta kenë huazuar emrin Dione nga latinët, 500-600 vjet para pushtimit romak.

Është shprehur edhe hamendja, se Dodona mund të ketë qenë emër i një hyjnie trake por, në mungesë të argumenteve të mjaftueshme, lokalizimi i Dodonës në Epir, me Maqedoninë që ndante Epirin nga Trakia, e bën këtë hamendësim të paqëndrueshëm. Përveç kësaj arsyeje gjeografike, trakishtja përjashtohet si burim i mundshëm i emrit Dione edhe për një arsye gjuhësore, për të cilën do të flitet më tej.

Emri i perëndisë Dione mund të dilte rregullisht nga emri i sovranit të dëshmuar të panteonit iliro-epirot deiva (kallzore Dei) me prapashtesën -on- që nuk është i panjohur në formimin e emrave hyjnorë, si dhe emrave në përgjithësi në ilirishten (Agron, Audoleon, Kodrion, Omphalion, Damastion etj.). Po të jetë kështu, Dione do të thotë hyjnore. Një paralele të fortë me këtë, gjejmë në panteonin kelt ku nga një *deua – “hyjneshë” me konsensus, pranohet të ketë dalë emri i perëndisë kelte të ujit Deuona, që në keltisht gjithashtu kishte kuptimin “hyjnore”. Por, ai emër mund të ketë dalë edhe nga reduplikimi i dei, për të shmangur përdorimin e emrit tabu të perëndisë kryesore të iliro-epirotëve Deiva patyros, që dimë se adhurohej nga fiset epirote.

Lidhur me prejardhjen e emrit Dodona, këtu ia vlen të përmenden dy fakte, njëri që vjen nga lashtësia ilire dhe tjetri nga një traditë e sotme shqiptare. Së pari, Hesiku na vë në dijeni se satirët në Iliri quheshin deuadai dhe ne dimë që satirët ishin qënie mitologjike, demonë gazmorë natyrorë, që shkonin pas Dionisit. Duke filluar nga shekulli IV p.e.s., satirët morën nga Pani (perëndia greke e kopeve të bagëtive) formën e dhisë. Faktet e parashtruara më parë të bëjnë të arsyeshëm mendimin se nga fjala ilire për dhinë *dida <*gheida, mund të ketë dalë fjala ilire për satirët deuadai. Po kështu, emri i qytetit dhe i orakullit, Dodona, mund të dilte rregullisht nga rrënja *deuad me prapashtesën ilire -on.

Në dritën e faktit që Dione është perëndia e dheut, emërvendi Dodona mund të dilte edhe nga reduplikimi i fjalës ilire *dho të rikonstruktuar nga Jokli ose *do- nga Pisani, në të cilat është ruajtur -o- e bazës protoindoeuropeane *ghoom ‘dheu’, me prapashtesën ilire -on- që puqet mirë me faktin që Dodona ishte perëndi e tipit të Nënës Tokë dhe orakulli i saj, ndryshe nga orakulli grek i Delfit, kishte karakter thellësisht natyror, ku edhe shërbyesit e orakullit rrinin këmbëzbathur dhe flinin në tokë. Këta shërbyes ishin sellojtë dhe përputhja e habitshme e këtij emri me emrin e suliotëve shqiptarë, që kanë banuar në po atë rajon, mund të mos jetë një rastësi gjuhësore.

Nga emrat e vendeve të sotme në Ballkan, nuk dimë të jetë ruajtur diku vendemri Dodona, por është shprehur hamendja se në lashtësi mund të ketë pasur disa vende të quajtura Dodona, një afër Skotoussa, qytet në Pelasgiotis, Thesali dhe tjetri afër malit Olimp. Por, kjo nuk ka qënë e mundur të vërtetohet dhe gjurmë të këtij vendemri të lashtë në Greqinë e sotme, nuk janë gjetur.

Dodona ndodhet në rrëzë të malit Tomaros dhe hetimi i prejardhjes së emrit të këtij mali mund të hedhë dritë mbi etninë ose fisin që popullonte rajonin rreth Dodonës. Siç u përmend, gjurmë të vendemrit Tomaros, malit në rrëzën e të cilit gjendej Dodona, nuk ka pasur në Greqinë e lashtë as ka në të sotmen*. Përgjithësisht pranohet se, ai është një emër ilir me prejardhje nga rrënja indoevropiane tem (krahaso indishten e lashtë tamra – “duke u errësuar”, që Pokorni e ndjek deri te fjala e shqipes së sotme “tym”, polonishtja dym-”tym”, si dhe letonishtja tima- ”errësirë”.

I vetmi vend në afërsi të drejtpërdrejtë të Dodonës së lashtë, ku gjenden gjurmë të vendemrit të malit Tomaros dhe të Dodonës, është Shqipëria. Në Shqipëri gjendet Tomori, homonimi i malit Tomaros, rrëzë të cilit gjendej Dodona, që sot ndodhet vetëm rreth 25 kilometra matanë kufirit jugor të Shqipërisë, në një territor shqipfolës deri kohët e fundit. Tomori është mali më i lartë në Shqipërinë e jugut dhe maja më e lartë e tij arrin 2416 metra mbi nivelin e detit. Ai është konsideruar, që kur mbahet mend, si mal i shenjtë i shqiptarëve, është adhuruar si “froni i perëndisë”, është mbiquajtur “Baba Tomori” dhe emri i tij del dhe në betimin “Për Baba Tomor” të shqiptarëve. Mali vazhdon ende sot, të adhurohet si mal i shenjtë në ceremoni të posaçme të përvitshme.

Si vendemër Tomori del edhe në majën tjetër të lartë të vargmalit të Tomorit, që është Tomorica, por edhe si emër i lumit Tomorica, përroi i Tomoricës dhe rajoni i Tomoricës. Në malin e Tomorit gjenden edhe dy vendemra që lidhen më Dodonën e lashtë. Ato janë Qafa e Dhodhonit në anën jugore të Tomorit, mbi fshatin Bargullas dhe po në atë fshat edhe Pllaka e Dhodhonit, që ende konsiderohen vende të shenjta dhe barinjtë nuk e lenë bagëtinë të kullosë atje e madje as të hyjë në ato vende. Afër Poliçanit, mbi Pronovik, gjendet edhe Dërrasa e Dodonës. Në rrethin e Beratit ka edhe një fshat që quhet Dodovec (komuna Tërpan), në juglindje të malit të Tomorrit, që në regjistrimin osman të vitit 1431 del si Dadjan. Duke vënë në përdorim rregullat e fonetikës historike të gjuhës shqipe, forma e lashtë e rikonstruktuar e këtij vendemri do të ishte *Dodion, që duket qartë se ka dalë prej së njëjtës rrënjë nga ka dalë edhe emri Dodona.

Popullsia lokale rreth Tomorit, ende vazhdon të adhurojë vidhet dhe lisat e mëdhenj dhe t’i ruajë ata që të mos dëmtohen. Gratë kanë zakon të varin në degët e atyre pemëve rrobat e njerëzve të sëmurë, me besimin se ata do të shërohen. Siç dihet, lisi orakullar dhe tempulli i Dodonës gjendej rrëzë malit të Tomaros, homonim i malit të shenjtë Tomor. Si Dodona edhe mali Tomar/ Tmar fillimisht, ishin zotërime thesprote andaj që nga fillimi i shekullit të V p.e.s, poetët tragjikë dhe Pindari bëjnë fjalë për një ”Dodonë thesprote”, që më vonë, me rritjen e fuqisë së mollosëve, sidomos me Piron, hynë në zotërimet mollose.