Dalin rezultatet, 54.8% e mësuesve votojnë për ta pezulluar grevën në arsim

Janë numëruar votat e mësimdhënësve të shkollave në sistemin publik në vend.

Rezultati përcakton se greva duhet të pezullohet dhe mësimi të fillojë të hënën.

Burime të transmetuesit publik konfirmojnë se nga të gjitha votat e mbledhura, e që jamë dërguar në Këshillin Grevist të SBASHK-ut, 54.88% janë për pezullim të grevës.

Ndërkohë, 45.12% e mësimdhënësve janë për vazhdimin e saj./ KultPlus.com

Greva në arsim që nis nesër, sipas SBASHK-ut mund të zgjasë me muaj të tërë

E hëna pritet t’i gjejë në grevë të gjithë mësimdhënësit, ndonëse është dita kur duhet të fillojë gjysmëvjetori i dytë për vitin shkollor 2018/19.

Rritje të koeficientit për të gjithë mësimdhënësit po vazhdon të kërkojë Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Përfaqësues të saj, ditë më parë kanë mbajtur takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, pas ultimatumit që i kanë dhënë Qeverisë për rritje të koeficientit. E, deri në realizimin e kërkesës së tyre për ngritje të pagës, dyert e të gjitha institucioneve të arsimit do të mbesin të mbyllura, raporton KTV.

SBASHK-u thotë se greva, e cila do të fillojë të hënën, është rezultat i pagave dhe kushteve diskriminuese që kanë mësimdhënësit. Ajo, sipas saj, mund të zgjasë me muaj.

Madje, Jasharaj thotë se problemi i tyre mund të zgjidhet shumë shpejt, por nuk po ka interesim për plotësim kushtesh nga Qeveria.

Greva, Jasharaj thotë se është përkrahur nga të gjitha institucionet e arsimit, e fajin, sipas tij, për humbjen e mësimit, do ta mbajnë institucionet qeverisëse.

Mirëpo, vendimi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po merr kritika të shumta nga njohës të çështjeve të arsimit.

Një vendim i tillë, sipas tyre, po merret vetëm për interesa personale, e jo për ngritjen e cilësisë në arsim.

Rinor Qehaja thotë se kërcënimet e SBASHK-ut janë të ndërlidhura çdoherë me paga.

Mësimdhënësit, sipas tij, duhet ta shfrytëzojnë të drejtën për grevë, por jashtë orarit mësimor.

Greva, e cila do të fillojë më 14 janar, do të vazhdojë në afat të pacaktuar. /KultPlus.com