Promovohet libri me fotografi të tmerrit e masakrave të luftës në Kosovë

Është promovuar libri “Albumi i tmerrit – The album of therror”, i autorit Habib Zogaj i cili sjellë në mënyrë të veçantë luftën në Kosovë dhe i cili është në dy gjuhë derisa gjithçka shprehet përmes fotografive.

Poeti Mahir Morina i cili e lexoi atë që kishte shkruar Adem Demaçi si recensentë i këtij libri,  thotë se ai këtë album e quante album i një populli të pafajshëm dhe të paarmatosur.

“Ky album mund të quhet album i një populli të masakruar dhe albumi i një populli të pafajshëm dhe të pamposhtur. Ne jemi popull që kaluam nëpër stuhi dhe mbijetuam shfarosje. Lamë shumë pak shënime e shkrime për veten tonë. Nuk kemi shënime të mjaftueshme për shumë tragjedi e tmerre sepse ishim të varfër dhe të paorganizuar”, tha ai.

Recenseti i albumit, Pren Buzhala, thotë se të gjitha fotografitë në këtë libër janë të autorit dhe nuk janë të huazuara.

“Fotografitë që përfshihen në këtë vepër janë të autorit dhe nuk janë të huazuara dhe nuk janë punuar nëpër studio. E veçanta e këtij libri është i plotësuar, por vlera është që të botohet në dy gjuhë. Të gjitha këto fotografinë lidhen me ngjarjen e luftës dhe secila fotografi flet me zërin e heshtjes dhe të dhimbjes. Këto fotografi janë dëshmi, fotografitë i drejtohen ngjarjes ndërkombëtare edhe pas 20 vitesh. Në këtë mënyrë i njohim më mirë rrënjët e kësaj vuajtje dhe sot pas 20 vjetësh ta prekësh dhimbjen përmes fotografive do të thotë që edhe vetë je bashkëvuajtës”, tha ai, raporton EO.

Autori i librit, Habib Zogaj, thotë që sot këtu jemi që t’i rikujtojmë vuajtjet dhe dhimbjet e atyre që pësuan.

“Flet libri dhe flasin fotografitë dhe dola të jem ballë për ballë me ju. Sot këtu po shihemi që t’i rikujtojmë vuajtjet e mëdha të atyre që pësuan dhe dhanë jetë. T’i rikujtojmë sepse nuk ishin numra, por kishin emra dhe kishin biografi. Që mos të na përsëritet duhet t’ rikujtojmë dhe për një çast të jemi në lëkurën e tyre. Jemi këtu që të shohim se sa rëndësishme është ndihma e mikut e faktorit ndërkombëtar”, tha ai, raporton EO. / KultPlus.com