Ka vdekur aktori Hafir Bislimi

Teatri i Ferizajt ka njoftuar se ka ndërruar jetë aktori ferizajas Hafir Bislimi, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare të këtij institucioni bëhet e ditur se Hafir Bislimi  do të mbahet mend si një ndër emblemat e gardës së vjetër të aktorëve të këtij qyteti.

“Lajmi për vdekjen e parakohshme të aktorit ferizajas, gazetarit e moderatorit shumëvjeçar Hafir Bislimi, na pllakosi pikëllim e boshllëk tek të gjithë ne.

Teatri është në zi! Artistët janë të pikëlluar! Hafir Bislimi do të mbahet mend gjatë si një nga emblemat e gardës së vjetër të aktorëve ferizajas që shkëlqeu në dërrasat e Teatrit, në vitet më të vëshitra të artit tonë skenik.

E pikërisht në 8 vjetëshin kur kësaj bote i dha lamtumirën përgjithmonë ikona e teatrit ferizajas, Ismajl Rama, humbëm edhe njërin nga të rrallët e skenës teatrore ferizajase, Hafir Bislimin.

Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit të artistëve!

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Për të rikujtuar jetën dhe veprën e të ndjerit, Teatri “Adriana” nesër më 19.08.2019, ora 13:30, në sallën e Teatrit, organizon mbledhje komemorative.”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Ferizajt./KultPlus.com