Përfundojnë punimet për restaurimin e hambarit të familjes Jonuzaj në fshatin Senik të Komunës së Malishevës

Ndërtimi i këtij hambari është realizuar në vitet 30-ta, të shekullit të kaluar. Marrë për bazë faktin se hambari i familjes Jonuzaj, është ndër ata të cilët kanë ngelur në të trevën e Llapushës, është i veçantë në radhë të parë për vjetërsinë, funksionin, punën karakteristike gdhendur në dru, por edhe gjendjen e mirë që ka, si rezultat i kujdesit të vazhdueshëm të familjes.

Përndryshe, sipas familjarëve të familjes Jonuzaj, hambari nuk është përdorur që një kohë të gjatë për funksionin se për çfarë ishte dedikuar në kohën e ndërtimit, por ai megjithatë mbetet vlerë e shtuar e paraqitjes së mënyrës së jetesës si dhe simbol i begatisë në familjet fshatare të vendit tonë.

 Samir Hoxha, drejtor në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren thotë se bazuar në përkushtimet e këtij institucioni për identifikimin, dokumentimin dhe inventarizimin e trashëgimisë kulturore për rajonin, respektivisht, territorin e komunës së Prizrenit, janë evidentuar shumë objekte me vlerë, që janë dëshmi se kjo anë është e pasur edhe me këtë lloj trashëgimie.

Andaj QRTK në Prizren, në kuadër të përmbushjes së detyrave të punës, bënë përzgjedhjen e gjetjeve dhe objekteve, nga inventari i trashëgimisë kulturore të cilat më pas u propozohen organeve përgjegjëse për t’u dhënë status të mbrojtjes së përkohshme në kuadër të Listës së trashëgimisë kulturore, por edhe harton dhe zbaton projekte për restaurim dhe konzervim, thekson drejtori i këtij institucioni Samir Hoxha./indeksonline/ KultPlus.com