Ukrainasja Elena Lushaku sjellë modele unike të aksesorëve, të gjitha punë dore (FOTO)

Jeta Zymberi

Ukrainasja Elena Lushaku, vajza e cila tashmë njihet për punën e veçantë që bënë në realizimin e aksesorëve të ndryshëm, po mahnitë çdo ditë e më shumë me modelet unike që po i sjellë në tregun tonë. Ajo realizon aksesorë të mahnitshëm, të gjitha punë dore. Këtë punë ajo ka 5 vite që e bënë dhe gjithmonë duke e drejtuar në rrugën e perfeksionizmit.

Ndonëse ukrainase por e martuar me shqiptar, ajo ka arritur të ambientohet me vendin tonë dhe t’i kuptojë se si rrjedhin gjërat këtu, çfarë kërkohet e vlerësohet.

Elena Lushaku

Ajo tregon për KultPlus se në Ukrainë e bëjnë këtë punë më shumë andaj një frymë të tillë ajo ka vendosur ta sjellë edhe në Kosovë.

Elena e ka përfunduar Fakultetin e dizajnit në Ukrainë në ‘Art School’ dhe shkollimin e saj ajo e shkrin në idetë për realizimin e aksesorëve të mrekullueshëm.

Pasioni i madh për punën që bënë, ja lehtëson asaj realizimin e punimeve “handmade” që janë të një lloji unik.

“Pavarësisht se kam dy fëmijë, gjej kohën dhe organizoj ditën në atë formë që të arrij objektivat e mija. Normalisht në këtë aspekt të angazhimit më ndihmon jashtëzakonisht edhe bashkëshorti im. Vështirësi ka, por kur ekziston motivi dhe vullneti, puna bëhet argëtuese”, ka treguar Elena për KultPlus.

Aksesorët të cilët ajo i punon janë nga më të ndryshmit, por më së shumti nga klientët ka kërkesë për qafore dhe broshë, sidomos në kohën e vjeshtës ndër më të kërkuarat janë broshë të llojeve të ndryshme.

“Kërkesat e klientëve janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga më të thjeshtat në kuptim të realizimit të tyre e deri tek ato me të ndërlikuarat apo edhe të veçanta si modele të cilat unë nuk i kam pas në koleksion, por që duke u mbështetur në përvojën time të gjatë të këtij lloji të punës dhe ndjesinë artistike kam kombinuar idenë e klientit dhe timen duke shpërfaq një punë tejet interesante dhe aksesorë mjaft të bukur. Kam pasur kërkesa ku vajzat për martesën e tyre kanë kërkuar të ju punojmë krehër për flokët ashtu si duket një buxhet me lule”, ka treguar ajo rreth kërkesave të ndryshme të klientëve.

Por, Elena nuk ka hezituar të na zbulojë edhe rreth mënyrës se si i realizon këto punime kaq unike.

“Këtu qëndron sekreti i suksesit, andaj nuk mund të jap çdo detaj (hahaha). Jo, realisht kjo punë është sfiduese ngase ka disa procedura të realizimit final. Së pari, duhet materiali adekuat që përbëhet nga polimeri, pastaj mjetet teknike që bëjnë përpunimin e aksesorëve duke i dhënë jetë dhe ngjyra. Ky lloj materiali duhet pastaj të piqet në furrë elektrike që të marr formë dhe qëndrueshmëri, pastaj të qëndroj jashtë disa minuta apo orë, të vendosen edhe disa detaje tjera për të pas produktin final, që padyshim se në fund është një aksesor i bukur për t’u parë dhe vendosur”, ka treguar ajo tutje.

Ajo është shprehur e kënaqur me punën që bën dhe kërkesat që i adresohen çdo ditë.

“Jam jashtëzakonisht e kënaqur me kërkesat e klientëve, fatmirësisht deri tash kam arritur që t’i plotësoj shumicën e dëshirave të tyre, të cilat janë vërtet të veçanta, ngas unë si një femër që vij nga Ukraina, kam gjet një tjetër shije të njerëzve këtu në Kosovë, që është shumë artistike”, është shprehur ajo.

Punimet e dorës janë më të komplikuara, andaj edhe vlerësohet përgjithësisht më shumë, ndërsa sa i përket rrethanave e kushteve ekonomike në Kosovë, Elena mendon se vlerësohen mjaftueshëm, por me raste edhe kënaqshëm, pasi që klientët paguajnë më shumë se çmimi real, ngase e vlerësojnë dhe kuptojnë punën e kësaj natyre.

Të punosh një punë të tillë është kënaqësi për Elenën, duke filluar nga detajet e vogla, vështirësitë e deri të finalizimi, por më së shumti ajo vlerëson fjalët e mira që i dërgojnë klientët pasi marrin porositë, kur e vlerësojnë punën me zemër.

Puna e Elena Lushakut funksionon online, punimet e saj ju mund t’i porosisni dhe do të ju adresohen shumë shpejt. Por nëse ajo ka menduar të hapë edhe një pikë shitëse diku në Prishtinë, ajo pohon që e ka menduar shpesh një gjë të tillë por për momentin duke e parë se bizneset e këtij lloji funksionojnë online, ajo do të vazhdoj të punoj në këtë mënyrë.
Elena shumë shpejtë do të ju befasojë edhe me modele të reja tejet unike. /KultPlus.com