22 vite nga Konferenca e Rambujesë

Para 22 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë. Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Kristofer Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich, përfaqësues i shteteve të BE-së.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedimeve që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses.

Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike-marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë. As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Hollbruk nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq, që ta pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s filluan  bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare. Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK si mision civil dhe KFOR si mision ushtarak. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. / KultPlus.com