Hebrenjtë në Shqipërinë e besës dhe lufta e Kosovës

Popujt e Mesdheut kanë pikëtakimet e tyre të hershme, qysh në ngjizjen e tyre.

Kështu në shekullin e parë së erës sonë, shumë kohë përpara se krishtërimi të bëhej feja zyrtare e Perandorisë Romake, janë gjetur vendbanime hebraike në zonën e Sarandës, ku është i njohur mozaiku i Onhezmit dhe në shekujt e tjerë të erës sonë, ka natyrisht edhe dyndje të popullsisë hebraike më në thellësi të Shqipërisë, si në zonat e Vlorës e të Beratit, të ardhur nga Janina.

Edhe pse dëshmitë janë të pakta, sinagoga në fshatin Fterë, apo edhe në Vlorë e Berat, tregojnë për një bashkësi të konsoliduar, që është ngulitur për shkaqe të ndryshme dhe ka pas gjetur një kulturë tolerante dhe mbi të gjitha, shumë fisnike dhe bujare, me veti të rralla të mikpritjes dhe të besës. Pa dyshim, në kushtet e reja të pushtuesve të ndryshëm të Shqipërisë, atyre u është dashur edhe të ndryshonin fenë, por edhe asimilimi me kulturën vendase duhet të ketë bërë punën e vet.

Nëse duhet të kujtojmë se, kjo bashkësi gëzonte një status të veçantë edhe nga “Porta e Lartë” e Stambollit, dhe ishin shumë të fuqishëm ekonomikisht e kishin njerëz të spikatur në shumë fusha të jetës. Nga këto rrethana, kjo bashkësi gëzonte respektin e vendasve. Kur rritej konflikti mes shtetit osman dhe shteteve të perëndimit, siç ishte Venediku atëherë, kishte edhe tkurrje të bashkësive hebraike në territorin shqiptar në fundshekullin XVI. Baticat e zbaticat e bashkësive hebreje vazhdojnë me shtrirjen e tyre drejt Gjirokastrës, Durrësit, Krujës, Lezhës dhe Shkodrës. Vlora mbante barrën më të madhe të ballafaqimeve ushtarake osmano-vendedikase, ndaj dhe pasojat ishin më të rënda për bashkësinë hebreje, si dhe për popullin shqiptar. Kemi ardhje të individëve hebrenj, nga fillimi i shekullit XIX, por në fund të këtij shekulli, kemi një rritje fluksi emigrantësh hebrenj drejt Shqipërisë, pjesa më e madhe vinin nga Greqia.

Me ardhjen e Hitlerit në pushtet, nisi politika antisemite dhe shtroi për hebrenjtë gjermanë, çështjen e largimit nga Gjermania dhe vendosjen e tyre në një atdhe të ri.

Vihet në lëvizje “Komisiariati i Refugjatëve” pranë “Lidhjes së Kombeve”, i cili në kontaktin me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Shqipërisë bën kërkesë për një stacion vendqëndrimi për një numër të kufizuar refugjatësh hebrenj. Kjo situatë e re ishte tepër joshëse për shtetin shqiptar, për të thithur ndihma në investime, në kapitale dhe në zhvillimin e industrisë dhe bujqësisë. Në fakt, Komuniteti i hebrenjve të Firences dhe të Vjenës, kishin parashikuar një projekt për kanalizimin e Bunës dhe Drinit, me qëllim që në tokat e liruara nga këta lumenj, të vendosej një pjesë e hebrenjve gjermanë. Por ndërhyrja e qeverisë italiane, e cila e shtrëngoi qeverinë shqiptare që të nënshkruante marrëveshjen për vendosjen në Shqipëri të kolonëve italianë, bëri që plani të dështojë.

Me ardhjen në Shqipëri në vitin 1938, të senatorit amerikan si i dërguari i Komitetit Sionist të Shteteve të Bashkuara, zotit R. Reynolds, për të vendosur në Shqipëri 5 ,000 familje izraelite në zonën e Myzeqesë, negociues i kësaj marrëveshjeje, ishte Faik Konica. Por, fatkeqësisht edhe pse presidenti Ruzvelt kishte biseduar me Musolinin, ky i fundit u bë aleat me Hitlerin, si rrjedhim marrëveshja mes Shqipërisë dhe Amerikës për zgjidhjen e çështjes hebraike dështuan sërish, edhe pse u premtuan investime të jashtëzakonshme.

Pas “Natës së kristaleve”, Evropa Perëndimore e Qendrore në nëntor të vitit 1938, pati një rritje shumë të madhe të fluksit të refugjatëve hebrenj nga Evropa Perëndimore dhe Qendrore drejt lindjes. Shqipëria konsiderohej si një parajsë ose një strehë e përkohshme. Dihet tashmë, se në vitin 1938, shkencëtari i madh botëror Albert Ajnshtajn, me ndihmën e doktor Jani Bashos, ka qëndruar në Shqipëri dhe është pajisur me pasaportë shqiptare me emër të rremë, “Duro Sulejmani”.

Në zyrat e Romës, kishte mjaft xhelozi për mikpritjen që tregonin shqiptarët ndaj hebrenjve të përzënë nga vendet evropiane dhe ballkanike. Rasti më unikal ku hebrenjtë u mbrojtën gjatë viteve të Holokaustit ishte Shqipëria, jo vetëm për faktin se mbrojti hebrenjtë, që banonin aty, por edhe hebrenjtë që erdhën nga vendet e tjera evropiane, të cilët, u strehuan e u fshehën prej shqiptarëve, pavarësisht rreziqeve dhe ndëshkimeve që u kanoseshin këtyre të fundit, prej nazistëve. Shqiptarët nuk i përfillën urdhrat e ushtrisë naziste, përkundrazi, ata jo vetëm i strehuan dhe i fshehën hebrenjtë, por i trajtuan si vëllezër dhe ndanë me ta bukën e gojës, që në ato kohëra u mungonte për vete dhe i shpëtuan nga rreziku.

Falë genit të shqiptarit me intitucionet morale të mikpritjes dhe besës ndaj të huajve që kanë ardhur me qëllime të mira në Shqipëri, nuk ka asnjë hebre të dorëzuar te gjermanët.

Dita e “Kujtesës” ka në thelbin e vet Holokaustin, për faktin se, 6 milionë hebrenj u zhdukën gjatë viteve të luftës së Dytë Botërore, vetëm e vetëm se ishin qytetarë të nderuar, punonin dhe zbatonin me përpikmëri ligjet e vendit ku jetonin. Eksodi biblik i popullit hebre në kërkim të tokës për të krijuar kombin, është përshkruar më së miri në romanin “Eksodi”, me autor Leon Uris, i përkthyer me mjeshtri nga Robert dhe Edvin Shvarc dhe ne shqiptarët, me Luftën e Kosovës, pësuam të njëjtin eksod, ndonëse shqiptarët ishin në trojet e tyre dhe politikat genocidiste serbe millosheviçiane u ngjanin atyre të nazizmit dhe antisemitizmit./Kastriot Kotoni/Konica.al/ KultPlus.com