Te “Zogu i Zi” vendoset kryevepra e skulptorit shqiptar me famë botërore

Tirana ka tashmë një tjetër vepër të mirëfilltë artistike. Bëhet fjalë për skulpturën e Helidon Xhixhos, një nga artistët më të njohur shqiptarë dhe më të kërkuar në Evropë dhe Amerikë, e cila është vendosur në një nga nyjat më të rëndësishme të Tiranës, siç është rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”.

Skulptura e krijuar nga Xhixho paraqet një vepër abstrakte, të shndritshme dhe që vjen si një stoli shtesë për rrethrrotullimin e “Zogut të Zi” që i është nënshtruar gjithashtu rikualifikimit.

“Mirëmëngjesi nga Zogu i Zi, ku artisti shqiptar bashkëkohor – ndër më të njohurit botërisht – Helidon Xhixha, po i jep dorën e fundit kryeveprës së tij në hyrje të Tiranës…edhe pak e jemi gati”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale, ndërsa ka publikuar edhe një video që tregon veprën e Xhixhos.

Vepra e Xhixhos është projektuar si dy piramida të parregullta të balancuara me përpikmëri njëra mbi tjetrën, që pasqyrojnë dy përqasje të ndryshme.

Ndërkohë që më herët, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, në prezantimin e projektit të ri për rrethrrotullimin tek Zogu i Zi, ka thënë se projekti i ri parashikon një minipark, me një hapësirë qendrore për vendosjen e instalacioneve të ndryshme artistike, të cilat do të ndërrohen sipas stinëve.

Ndërkohë, pjesa tjetër do të ketë disa hapësira me shatërvanë, ku do të mbjellim edhe bimësi shumë stinore, në mënyrë që edhe hyrja e Tiranës të ketë të njëjtin dinjitet si sheshi Skënderbej.

Helidon Xhixha, është një nga skulptorët më të kërkuar në Evropë, SHBA, Amerikë Latine dhe Lindje e Mesme. Punët e tij janë prezantuar në sheshet më të njohura të Evropës, ku dallojnë format abstrakte prej çeliku të pandryshkshëm. Xhixho ka vazhduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe më pas është transferuar në Itali.

Më pas në vitin 1998, ai ka shkuar në Londër ku ka vazhduar Universitetin Kingston, ku ka përvetësuar mësë miri teknikën e gdhendjes, skulpturës dhe fotografisë. Mediat e huaja shkruajnë se punimet e Helidon Xhixhas konsiderohen si “fatsjellëse” për vendet ku ato vendosen.

Xhixha mbahet mend mend edhe për skulpturën e tij gjigante “Kalin” e Ferrarit, rreth 5 metra të lartë e 800 kg të rëndë, të cilën e realizoi në 2003-shin. Këtë skulpturë ia dhuroi komunës së Maranellos në shenjë të pasionit të tij si ferrarist.

Në vitin 2015, ai ka marrë pjesë në Bienalen e Venecias me veprën “Iceberg”. Ai e ka zhvilluar karrierën e tij në Itali. Xhixha ka gdhendur vepra arti edhe për qiellgërvishtësen “Muza” në Florida. /abcnews.al