Të vazhdohet tradita e vjetër, kryenacionalisti serb propozon helmimin e lumit Ibër

Pjesa më djallëzore e dokumentit të ashtuquajtur “Strategjia për Kosovën” të Dobrica Qosiqit është pjesa përmbyllëse: “Duhet shfrytëzuar helmimin e lumit Ibër si dëshmi se gjendja jo e rregullt është duke i rrezikuar interesat jetike të Serbisë, shkruan sot Koha Ditore.

Në deklaratat për shtyp duhet potencuar simulimet e dikurshme të shqiptarëve për kinse helmimin serb të fëmijëve shqiptarë nëpër shkolla, më pastaj duhet bërë formulimi i kërkesave ekomomike, ndarja e kapitalit edhe denacionalizimi i pasurive të ndryshme, duhet luftuar për konsensus kombëtar të opozitës demokratike të Serbisë me kishën serbe. Duhet fshehur mossuksesin tonë”, porosit Qosiq.

Në momentin kur kryeideologu dhe kryenacionalisti serb Dobrica Qosiq e kishte kuptuar se kryeministri pas-milosheviqian Zoran Gjingjiq u kishte drejtuar letër të hapur liderëve botërorë, përfshirë presidentin Bush, kryeministrat Blair dhe Putin, dhe se në letrat e drejtuara ishte përfshirë koncepti qosiqian i zgjidhjes së çështjes së Kosovës, i lumtur që më fund ia kishte dalë, ai shkruante: ”Krahas Nebojsha Çoviqit edhe Zoran Gjingjiqi i mori parasysh qëndrimet e mia.

Kjo ndodhi pas 42 vjetësh të angazhimit tim paqësor, që me mençuri, në mënyrë të drejtë dhe në mënyrë afatgjate të arrihet zgjidhja e mundshme e konfliktit shqiptaro-serb, me qëllim që kombi serb të çlirohet nga fundosja në detin kosovar. Pra dikush që është përgjegjës i ka vlerësuar idetë e mia”. / Skënder Latifi