Pianistja Hermira Gjoni, feston 50-vjetorin e karrierës

Hermira Gjoni – Pianiste (Koncert Maestër) feston 50 vjetorin e një karriere brilante në Shqipëri dhe vende të ndryshme të Botës. Ajo emigroi në SHBA në vitin 1996 dhe nga ajo kohë, me një përkushtim dhe dashuri të madhe për artin, vazhdon të koncertojë në shtete të ndryshme me interpretime solo, me instrumentistë në gjininë e muzikës së dhomës dhe me këngëtarë klasikë të njohur.

Hermira Gjoni, vijon të japë mësim në piano dhe prej 25 vitesh është pjesë e stafit të Konservatorit të muzikës dhe Shkollës se Arteve “H.R.Heirbrunn”. Hermira Gjoni është anëtare e Fondacionit të Artistëve “The bohemians” në Nju Jork, ajo është nderuar me medaljet “Naim Frashëri” nga Kuvendi i Shqipërisë, medaljen e Fondacionit Campania-USA, medaljen Albanian Excellence, Proklamatën e nderit të Senatit të Shtetit të Nju Jorkut, medaljen e karrierës nga Fondacioni “Motrat Qiriaz” dhe çertifikatën e mirënjohjes nga Kongresi i SHBA.

Në vijim mund të lexoni një intervistë me Hermina Gjonin.

1-Hermira, festoni sot 50 vjetorin e një karriere brilante, nderoheni me një çmim nga Senati i Shtetit të Nju Jorkut, dhe nga Kongresi Amerikan nëpërmjet senatorit Elliot Engel … si ndiheni me këto tre çmime?

Trefish e nderuar ! Megjithatë të them të drejtën nuk e kam kuptuar se si ka kaluar një gjysëm shekulli kaq shpejt dhe që veprimtaria ime artistike do ngjallte interes kaq shumë. Unë kam dhënë kontibutin tim modest si shumë artistë të tjerë që i japin kënaqësi publikut. Vlerësimi i Senatit të Nju Jorkut ishte një surprizë për mua, dhe veçanerisht më vjen mirë që këtu ku sot jetoj vlerësohet puna ime. Ashtu siç thuhet edhe në Proklamatën e senatit me këtë rast, “Një shtet i madh është i tillë kur ka individë të suksesshëm që kryejnë shërbime dhe punë të mira për komunitetet e tyre”. Kjo ma shton krenarinë sepse përfaqësoj denjësisht komunitetin tim. Gjithashtu mirënjohëse jam edhe për vlerësimin që kam marrë nga Senati i Kongresit të SHBA nëpërmjet Senatori Elliot Engel me vlerësimet e tij në Çertifikatën e mirënjohjes. Ishte një nderim i veçantë për mua që vjet mora edhe Çmimin e karrierës nga shoqata e grave “Motrat Qiriaz” të cilat kanë qenë guri i themelit të shkollës dhe kulturës shqiptare, dhe veçanërisht ky vlerësim merr një domethënie edhe më të madhe për mua pasi nëna ime ka qenë nxënëse e Motrave Qiriaz, pra një vlerësim që lidh gjenerata të tëra. Shumë emocionuese !

2- Kujt ja dedikoni ju keto arritje ?

I jam mirënjohëse dy profesorëve të mi, Tonin Guraziu dhe Çen Bi Gang të cilët ditën të zgjonin tek unë dashurinë për muzikën dhe pianon si dhe më inkurajuan dhe kultivuan tek unë përkushtimin dhe entuziazmin që është shumë i rëndësishëm në jetë.

Gjithashtu pas viteve të shkollës njeriu që ndihmoi kryesisht në formimin tim ishte Simon Gjoni i cili u bë udhërrëfyesi im në jetë dhe në profesion. Ai ishte modeli i njeriut që e çmonte jetën dhe artin dhe besonte që ky i fundit ishte thelbësor për një komb të zhvilluar. Në periudhat e përmbysjeve sociale dhe riorientimit shpirtëror të kombit ai e shikonte mbështetjen tek arti si një mbështetje për civilizimin e një kombi. Ndihma e tij jo vetëm për mua por për breza të tërë muzikantësh ka qenë e jashtëzakonshme.

3- Cilat vite do veçonit si më të bukurat e aktivitetit tuaj si pianiste.

Vitet në Teatrin e Operas dhe Baletit ishin ndër vitet më të bukura të jetës time artistike, të pasionit për muzikën, ku përvec koncerteve të shumta kam ndihmuar edhe për vënien në skenë të shumë operave dhe baleteve duke bashkëpunuar me kompozitorë, dirigjentë, regjisorë, këngëtarë e balerinë të talentuar. E quaj vehten me fat që kam kaluar këto 50 vite duke punuar vepra të mrekullueshme të repertorit botëror dhe thesarit të muzikës shqiptare, ku bashkepunimi me personalitetet e muzikës si Jakova, Zadeja, Zoraqi, Harapi, Gjoni, Gaci ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme.

Për fat të keq sukseset artistike dhe skenike u shikuan me zili dhe paragjykime që rridhnin nga mediokriteti i personave të veçantë gjatë periudhave të errëta të viteve 70-të të shekullit të kaluar duke çuar në mënjanimin, mosvlerësimin dhe izolimin tim. Kjo qe shumë e dhimbshme për mua.

Sidoqoftë edhe gjatë asaj periudhe gjeta forca që të ruaj pasionin tim për muzikën duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat e mundëshme, duke punuar dyfish me orare të zgjatura deri në orët e vona të natës, duke sakrifikuar nga koha për familjen time, në këtë mënyrë arrita ta mbaj pozicionin tim dhe nivelin e repertorit pianistik.

Pas emigrimit në SHBA do të fillonte edhe një pranverë e dytë e aktivitetit tim që do të ishte një periudhë e frytshme me koncerte dhe bashkëpunime shumë të bukura. Qëndrimi në Nju Jork ka qenë një eksperiencë e çmuar për mua, aty u çlirova nga ndikimi i opinionit, nga paragjykimet. Kjo më bëri të jem tërësisht vetvehtja dhe të ndiqja pikësynimet e mia duke bërë që të arrija potencialin tim më të lartë duke shikuar gjithmonë për përmirësim dhe arritje më të mira në të ardhmen.

4 – Çfarë emocionesh keni marrë nga koncertet që keni dhënë?

Kam interpretuar në shumë skena dhe përpara mijëra artdashësve, në koncerte solo, me këngëtare apo me intrumentistë, dhe kanë qenë bashkëpunime të frytshme me mbresa të vëcanta. Vlerësimi nga muzikologë, kolegë dhe specialistë të muzikës ka qenë një satisfaksion i madh. Takimet dhe bisedat me këta muzikantë janë një vlerë e madhe që më ka pasuruar nga ana intelektuale dhe shpirtërore. Mendoj që muzika ëshë një mundësi për ta jetuar jetën më mirë dhe më bukur. Muzika na zbulon anët më të mira e të pastra që kemi të gjithë në brendësi të shpirtit, mendimet dhe ndjenjat më sublime të njeriut. Kur hyn në atë tempull e ndjen vehten në një botë të mrekullueshme të mbushur me dashuri për njerezit.

5-Cilat janë disa nga planet tuaja artistike gjatë vitit 2020?

Kam shumë aktivitete dhe koncerte në bashkëpunim me artistë amerikanë dhe shqiptarë. Një pjesë të madhe të kohës time e zë edhe mësimdhënia me studentët e pianos në shkollën “H.R.Heirbrunn”. Pra megjithëse vitet bëjnë të vetën përsëri dëshira për t’i transmetuar dijet tek brezi i ri mbetet e fuqishme dhe më bën të vazhdoj një aktivitet të plotë.

6-Në Nju Jork ka shumë shqiptarë, si i shihni ju ata sot ?

Shqiptarët e Nju Jorkut janë një komunitet shumë kompakt, me vlera njerëzore dhe intelektuale që kanë dhënë një kontribut të çmuar prej dhjetëra vitesh për çështjen kombëtare duke vendosur

lidhje të forta mas dy vendeve. Ata pas viteve të para të emigracionit tashmë kanë krijuar një bazë të shëndoshë dhe gjenerata e re po ecën me hapa të shpejtë përpara duke përfaqesuar me dinjitet komunitetin në të gjitha fushat e jetës. Jam krenare që jam pjesë e këtij komuniteti vital që megjithë vështirësitë ka ditur të mbijetojë dhe të përshtatet me jetën e vendit mikpritës.

6- Çfarë mesazhi do tu jepnit artdashësve tuaj?

I falenderoj nga zemra ata qindra dhe mijëra artdashës që në gjithë këto vite të karrierës time si pianiste më kanë duratrokitur me pasion nëpër koncerte. Shpresoj të kem qenë e denjë për dashurinë dhe mirënjohjen e tyre. / KultPlus.com