Himara dhe himariotët siç i njohu Marin Barleti

Historiani i shquar Marin Barleti, njihet si figura më e madhe e lëvizjes së humanistëve shqiptarë të shekujve XV-XVI. Ai lindi rreth vitit 1460 në Shkodër. Fare i ri, më 1478, mori pjesë me armë në luftën për mbrojtjen e qytetit të lindjes nga rrethimi i forcave osmane.

Heroizmi i bashkatdhetarëve i mbeti në sy e në mendje, derisa e përjetësoi në veprat e tij historike kushtuar luftrave për të mbrojtur atdheun “nga kujtimi i të cilit,- shkruan ai,- tani përtërihem si për mrekulli, por edhe për të cilin s’mund të shkruaj pa lot në sy”.

Rënia e Shkodrës, që ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, e detyroi Barletin, si shumë të tjerë, të mërgonte në Venedik më 1504. Por vepra që i dha emër Barletit në kulturën shqiptare dhe në botë ishte “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë, rreth viteve 1508-1510.

Kjo vepër në kohën e vet u ribotua latisht tri herë, u përkthye në shumë gjuhë evropiane dhe u bë burim i një literature të gjerë për heroin tonë kombëtar, të shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, që nga italishtja, spanjishtja, rusishtja, frengjishtja, greqishtja e deri në japonisht. F.S.Noli ka shkruar me të drejtë, se vepra e Barletit “fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë”.

Më poshtë, sjellim të shkëputur prej saj, një fragment ku Barleti përshkruan Himarën dhe shqiptarët e kësaj krahine:

“Ata janë të siguruar vetëm me mbrojtjen natyrore të vendit; aty s’ka bërë gjë dora apo mjeshtria e njeriut. Ata i kanë përbuzur gjithmonë me sukses turqit e harbuar pas nënshtrimit të Epirit me vdekjen e Skënderbeut dhe kanë jetuar gjer në atë kohë, pa e njohur sundimin e huaj, me njëfarë lirie të pashoqe të natyrës.”

Marin Barleti, “Historia e Skënderbeut”/ KultPlus.com

100-vjetori i lindjes së historianit Kristo Frashëri

Historiani, profesori, akademiku Kristo Frashëri lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920.

Në vitin 1927 u riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme më 1940 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Gjatë vitit 1942 ai u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Gjatë periudhës 1945-1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Insitutin e Lartë Pedagogjik, në vitet 1951-1955.

Gjatë viteve 1953-1999 ai punoi në disa institucione të rëndësishme, ku shërbeu si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1997 ai u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku qëndroi deri në vitin 1999.

Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga Antikiteti e deri në kohën e sotme. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë.

Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, jetën dhe veprimtarinë e Abdyl Frashërit, Sami Frashërit etj.

Pas vitit 1990 ai ka botuar një sërë punimesh shkencore, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).

Kristo Frashëri si pedagog i historisë së Shqipërisë në Univeristetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka një kontribut të veçantë në përgatitjen e historianëve të rinj. Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016, në Tiranë./ KultPlus.com