IKTK në konferencën arkeologjike nënujore në Paris

Arkeologjia nënujore ishte tema qendrore e diskutimeve në konferencën e organizuar së fundmi nga UNESCO në Paris, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Konferenca ndërkombëtare u organizua në kuadër të Sesionit të 10-të të Shteteve Palë të Konventës së 2001 për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Nënujore dhe Takimit të 16-të të Grupit Këshillimor Shkencor dhe Teknik (STAB).

Fokusi i diskutimeve ishte arkeologjia nënujore dhe sfidat që sjellin ndryshimet klimatike në ruajtjen e trashëgimisë kulturore nënujore.

IKTK u shpreh se, këto takime përforcojnë përpjekjet e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe këtij institucioni, për ngritjen e infrastrukturës institucionale dhe teknike në mbrojtje të pasurive nënujore shqiptare.

Pak muaj më parë një grup prej 4 specialistësh të IKTK mori pjesë edhe në një trajnim në Ulqin, për Arkeologjinë Nënujore dhe Digjitalizimin e Pasurisë Kulturore Nënujore, me qëllim përmirësimin e kapaciteteve profesionale në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë nënujore shqiptare.

Arkeologjia nënujore është rikuperimi i informacionit nga artefaktet e zhytura dhe vendet nënujore për interpretimin e kulturave të së kaluarës njerëzore. Artefaktet japin informacion në lidhje me sjelljen njerëzore si në natyrën e objekteve ashtu edhe në shpërndarjen e tyre të saktë në det./atsh/KultPlus.com

IKTK në Butrint, inspekton veprimtarinë e fondacionit që menaxhon qytetin antik

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) zhvilluan një inspektim në Parkun Kombëtar të Butrintit, në kuadër të grupit të monitorimit të veprimtarisë së Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (BMF), i ngritur me urdhër të Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ky proces synon të sigurojë zbatimin e standardeve më të larta për ruajtjen dhe menaxhimin e këtij siti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.

Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit është krijuar me qëllim menaxhimin e pasurisë kulturore brenda Parkut Kombëtar të Butrintit në bazë të Marrëveshjes së Administrimit lidhur me Ministrinë e Kulturës.

Përmes formës së administrimit indirekt, Fondacioni synon gjithashtu ruajtjen dhe mbrojtjen e Pasurisë Kulturore, sigurimin e aksesit dhe shërbimet për publikun në të, promovimin e saj dhe aktivitetet studimore e kërkimore, si dhe përdorimin, qarkullimin dhe veprimtaritë arkeologjike të Pasurisë Kulturore, duke e menaxhuar dhe zhvilluar atë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke siguruar mjetet e nevojshme financiare dhe stafin e specializuar, me qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e saj për të gjithë kohëzgjatjen e administrimit indirekt./atsh/KultPlus.com