“La Gazzetta dell’Emilia”: Zbulohen dëshmi të epokës romake në zonën arkeologjike të Butrintit

Aktivitetet e gërmimeve të këtij viti kanë nxjerrë në dritë një strukturë ende të ruajtur mirë, duke bërë të mundur dokumentimin për herë të parë me fotografi dhe rilevime topografike të shtyllave të një ure të epokës romake që lidhte kepin mbi të cilin ngrihej qyteti antik me fushën e Vrinës.​

Ekspertët zbuluan mbetje të zhytura në ujë, të një ure të lashtë romake dhe të një strukture, pjesërisht të shembur, me dysheme të zbukuruara me pllaka mozaiku, gjithashtu të epokës romake, por të përdorura për një kohë të gjatë, madje edhe në kohët e vona antike dhe mesjetare, shkruan në një artikull e përditshmja italiane “La Gazzetta dell’Emilia”.

Zona arkeologjike e Butrintit, në Shqipëri, nuk pushon së ofruari surpriza.

Në bashkëpunim me Universitetin e Bolonjës, Departamentin e Historisë, Kulturës dhe Qytetërimit, dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, sipas një marrëveshjeje me Institutin e Arkeologjisë së Tiranës dhe Parkun Kombëtar të Butrintit, gërmimi dhe hetimi nisi në 2015 dhe që atëherë janë kryer një sërë aktivitetesh për të rizbuluar dëshmitë e shumta të këtij qyteti të pasur të Epirit të lashtë.

Kryesisht, që nga viti 2019, grupi kërkimor, i drejtuar nga profesor Enrico Giorgi i Universitetit të Bolonjës dhe prof. Belisa Muka e Institutit të Arkeologjisë së Tiranës, është angazhuar në gërmimin stratigrafik të akropolit.

Gjatë aktiviteteve të ndryshme të gërmimit, dolën në dritë dëshmi të ndryshme të jetëgjatësisë së vendit, i cili u banua pothuajse pa ndërprerje nga fundi i epokës së bronzit deri në shekullin e XVIII.

Kërkimet e vitit 2021 u përqendruan në një zonë të shenjtë të rrethuar nga mure shumëkëndëshe imponuese duke dokumentuar fazën e parë të strukturimit të vendit në epokën arkaike.

Ndërsa dy aktivitetet e gërmimeve të këtij viti, në qershor dhe shtator, nxorrën në dritë dëshmi të momenteve të mëvonshme dhe po aq të rëndësishme.

“Vitin e kaluar, falë një sërë metodologjish jo invazive, kryesisht hetimeve gjeofizike duke përdorur radarin depërtues në tokë, ne evidentuam disa ‘anomali’ në nëntokë që tregonin praninë e strukturave të mundshme ende të groposura”, tha prof. Giorgi.

Gjatë aktivitetit të këtij viti, ne vendosëm të verifikojmë natyrën e njërës prej këtyre anomalive përmes gërmimeve. Me rezultate të papritura, anomalia doli të ishte muri rrethues i një ndërtese ende të ruajtur mirë në pjesën e poshtme të saj, falë shembjes së çatisë që shënoi braktisjen përfundimtare të saj”, shtoi ai.

“Pasi u hoqën materialet e shembur, dolën në dritë dyshemetë të dekoruara me pllaka mozaiku të epokës romake, së bashku me shumë materiale të tjera që datojnë në kohët e vona antike dhe mesjetare”, tha Giorgi.

Por, surprizat nuk vijnë vetëm nga nëntoka. Zbulimi nënujor në lagunën që rrethon zonën arkeologjike, I kryer në bashkëpunim me prof. Stefano Medas të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore të “Alma Mater” (Kampusi i Ravenës) dhe me kompaninë “Idra” në Venecia, bëri të mundur identifikimin e shtyllave të një ure të epokës romake.

“Ura lidhte kepin e Butrintit me fushën e Vrinës, duke lejuar edhe kalimin e ujësjellësit që furnizonte zemrën e qytetit romak”, tha Enrico Giorgi.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për kërkimet në qendrën e Epirit të lashtë, pasi për herë të parë mbetjet e zhytura të urës janë dokumentuar me fotografi dhe rilevime topografike”, theksoi ai.

Aktivitetet e këtij viti bënë të mundur edhe përfundimin e rilevimit topografik me skanim lazer të qarkut të murit të qytetit të epokës helenistike.

Ky aktivitet, funksional për verifikimin e gjendjes aktuale të konservimit të monumenteve në parkun arkeologjik, ishte pikërisht pikënisja, në vitin 2015, e projektit të bashkëpunimit më të gjerë mes Universitetit të Bolonjës dhe Institutit të Arkeologjisë së Tiranës në zonën e Butrintit. /atsh / KultPlus.com

Nënshkruhet kontrata për projektin arkitekturor për Parkun Kombëtar të Butrinitit

Sot është nënshkruar kontrata mes Fondacionit për Menaxhimin e Butrinitit dhe studios fituese të Japonisë, që bart vulën e arkitektit të famshëm Kengo Kuma, shkruan KultPlus.

Për këtë kontratë ka njoftuar ministrja e Ministrisë së Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, njoftim që e keni të plotë.

Nënshkrimi i kontratës mes Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit dhe studios japoneze, që u shpall fituese e konkursit ndërkombëtar për projektin arkitekturor të qendrës së vizitorëve, @kkaa_official hap një faqe të re në historinë e 🏛️Parkut Kombëtar të Butrintit, duke i kthyer dinjitetin portës hyrëse të tij dhe duke orientuar vizitorin drejt një pasurie botërore.

E shkrirë me natyrën dhe në respekt të plotë me të, kjo qendër do t’i shërbejë vizitorëve, artizanëve dhe komunitetit lokal./ KultPlus.com

Margariti: Plani i Menaxhimit të Integruar të Butrintit u konsultua me rreth 80 ekspertë shqiptarë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti informoi sot se për hartimin e planit të Menaxhimit të Integruar të Butrintit janë konsultuar rreth 80 ekspertë shqiptarë, bashkëpunëtorë, ekspertë nga Instituti i Arkeologjisë, Universiteti i Tiranës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, etj.

Në një reagim, ministrja Margariti sqaroi se “më 13 qershor 2019 Ministria e Kulturës i ka kërkuar mendim Institutit të Arkeologjisë rreth draftit të PMI të Parkut Kombëtar të Butrintit. Më 11 korrik 2019 Instituti i Arkeologjisë ka depozituar pranë Ministrisë së Kulturës gjithë sugjerimet në lidhje me draft-PMI të Butrintit, të cilat janë reflektuar në draftin e ri. Janë zhvilluar tre dëgjesa publike në periudhën tetor-nëntor 2019. Më 6 prill 2020 PMI i Parkut Kombëtar të Butrintit 2020-2030 është diskutuar dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Menaxhimit të Pasurive Kulturore, firmosur edhe nga një ekspert nga fusha e arkeologjisë”, theksoi Margariti.

Ministrja Margariti sqaroi se “më 7 prill 2020 PMI i Parkut Kombëtar të Butrintit 2020-2030 është diskutuar dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, firmosur edhe nga IA dhe Departamenti i Trashëgimisë Kulturore në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, UT. Projektligji “Për miratimin e marrëveshjes së administrimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit” i është nisur të gjitha ministrive të linjës në datën 15 dhjetor 2021 mes të cilave edhe Ministrisë së Arsimit, në varësi të së cilës është IA”.

“Më 21 dhjetor 2021 Ministria e Arsimit sjell përgjigjen me sugjerimet përkatëse, të cilat u reflektuan në projektligj. Projektligji “Për miratimin e marrëveshjes së administrimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit” u miratua në Këshillin e Ministrave në 29 prill 2022″, tha Margariti./ atsh / KultPlus.com

Mirëmenaxhimi i Butrintit, Margariti: Investime dhe restaurime i aseteve të reja

Komisioni për Politikën e Jashtme nën drejtimin e zëvendëskryetarit, Blendi Klosi shqyrtoi sot projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e pranishme në komisionin parlamentar u shpreh se “kjo marrëveshje është nënshkruar në muajin nëntor të vitit 2021. Ka hapur kështu një udhë të re të menaxhimit të trashëgimisë tonë përmes ngritjes së këtij fondacioni të posaçëm dhe ka kaluar më pas në të gjitha rishikimet në institucione e Këshillit të Ministrave për të ardhur me të gjitha reflektimet e rekomandimet”.

Ajo tha se marrëveshja krijon një objekt menaxhimi hibrid, jo fitimprurës, ku shteti ka një rol tepër të rëndësishëm.

“Pronësia e territori dhe aset e Butrinti i mbeten Ministrisë së Kulturës si përfaqësuesi i shtetit. Mbi bazë e marrëveshjes, Butrinti do të menaxhohet nga një fondacion i posaçëm bashkëthemeluar midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Fondacioni është i krijuar sipas ligjeve shqiptare dhe sipas ligjit të trashëgimisë së kulturës. Ministria e Kulturës ka dy përfaqësues në bord dhe kryesohet nga vetë ministri. Nuk ka asnjë impakt shtesë në buxhetin e shteti në krijimin e këtij fondacioni. Ministria e Kulturës vendos në arkën e përbashkët fondin aktual të Butrinti rreth 2 milion dollarë dhe shtohet fondi prej 5 milion dollarësh në formë granti nga partneri, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Në vazhdimësi ky fondacion do të vazhdojë të kontribuojë jo vetëm në Butrint. Çdo e ardhur e Butrinti ngel në Butrint. Organizata është një organizatë jofitimprurëse, por gjithashtu në këtë marrëveshje për herë të parë vazhdojmë dhe vendosim theksin tek kontributi që ku fondacion do të hedhë në fondin e madh të kujdesit të trashëgimisë kulturore”, sqaroi Margariti.

Ministrja tha se qeveria shqiptare ka krijuar një tjetër instrument që është arka për kujdesin e Trashëgimisë Kulturore dhe në këtë marrëveshje midis palëve kemi vendosur që ky fondacion jo vetëm të vazhdojë të derdhë paratë në Butrint, por të vazhdojë të kontribuojë për simotrat e e tij në territorin shqiptar.

“Përfitimet e palës shtet në këtë marrëveshja janë jo vetëm investimet që do të kryhen nga donatori në formën e grantit, por gjithashtu në konservimin dhe restaurimin e aseteve të reja që do t’i mbetet Butrinti. Marrëveshja e administrimit siguron një menaxhim të integruar të pasurisë kulturore dhe natyrore të nënzonës së peizazhit të parkut të Butrintit dhe vjen në përputhje të plotë të linjave guidë të planit të menaxhimit të integruar. Marrëveshja ka një kontratë 10 vjeçare me të drejtë rinovimi dhe rinovimi nuk është automatik në përfundimin e kësaj marrëveshje, por 6 muaj para afatit duhet të nisë një proces rinegocimi”, tha ajo.

Ajo tha se për herë të parë në këtë marrëveshje sjellim jo vetëm administrimin e aseteve, por gjithashtu një protokoll bashkëpunimi midis fondacionin dhe Institutin e Arkeologjisë.

“Ky është një rast i mirë për të parë se si është mirëadministrimi i siteve të kulturës nëpërmjet donatorëve dhe krijon radhë të tjerë bashkëpunimi. Synimi ynë është që brenda dy viteve të krijojmë bashkëpunime të tjera”, tha ministrja.

Deputetja e PD-së Ina Zhupa u shpreh se të gjitha të ardhurat e Butrintit shkonin në Ministrinë e Financave dhe Ministria e Financave i alokonte te Ministria e Kulturës.

“Ju tani po i çoni te fondi. Si mund t’i thoni shqiptareve sot se është sukses pasi i merrnim Butrinti 100% të të ardhurave është sukses se do t’i marrim 25 të të ardhurave”, tha Zhupa.

Në përgjigjet të Zhupës, ministrja Margariti u shpreh se “nëse deri më dje ruanim 90% të ardhurave të Butrinti, do të ruajmë 100% dhe do fillojmë të kontribuojmë dhe në arkën e madhe. Pra çdo gjë që vjen nga Butrinti ngel në Butrint dhe më shumë se fondet e mëparshme”.

Relatorja e kësaj marrëveshje, deputetja e PS-së Hatixhe Konomi u shpreh se kjo marrëveshje është në përputhje me nenin 100 të Kushtetutës.

Nga ana e tij, deputeti i PD-së Tritan Shehu tha se “këtu kemi të bëjmë me diçka kombëtare me imazhin e Shqipërisë. Kemi të bëjmë me një element substancial të pasurisë kombëtare, të pozicionit tonë, të krenarisë kombëtare dhe shumë gjerave që lidhen me imazhin tonë në rajon, madje me shumë se rajoni. Prandaj mendoj se duhet të jemi serioz me veten tonë sepse qeveria nuk është serioze me ne sepse po të ishte serioze nuk do sillte një material të tillë në 12 orë para mbledhjes”, tha ai. /atsh/ KultPlus.com

Dy broshura turistike për muzeun e Butrintit dhe Portat Monumentale

Qyteti antik i Butrintit, 20 km larg Sarandës, është një ndër destinacionet e preferuara të turistëve vendas dhe të huaj.

Për të ofruar një guidë të mirëfilltë të qytetit antik, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Parku Kombëtar u Butrintit në kuadër të projektit Mo. Na kanë sjellë edhe dy broshura të tjera informuese për vizitorët.

Këto broshura turistike pasqyrojnë më shumë informacion mbi muzeun e Butrintit dhe Portat Monumentale.

Butrinti sot është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit. Rëndësia historike e Butrintit është e jashtëzakonshme dhe të jesh në gjendje që të ecësh është një privilegj: statuja me gurë të bardhë nga epoka e August Oktavianit, Agripas, Antiohs, Serapisit, Livia Drusilas ngriheshin dikur këtu, si dhe vendi i lindjes së shumë qytetarëve të shquar në kohë të ndryshme apo gjeneralëve romakë gjatë epokës së ndritur të perandorisë kur qyteti quhej “Colonia Augusta Buthrotum” (Kolonia Augustiane Butrinti). / atsh / KultPlus.com

Pallati i Trikonkës në Butrint, vlerë e rrallë arkeologjike dhe historike

Pallati i Trikonkës ndodhet në jug të qytetit antik të Butrintit pranë kanalit të Vivarit dhe njihet për vlerat e rralla arkeologjike dhe historike.

Gërmimet arkeologjike të nisura nga Misioni Arkeologjik Italian pasuan në vitet ’90 me Kosta Lakon dhe vazhduan në bashkëpunim me prof. Richard Hodges të Fondacionit Butrinti. Ato treguan se Trikonka ishte pjesë e një banese të rëndësishme e me një sipërfaqe të konsiderueshme.
Shtresat e para datohen në mesin e shek. të 1-rë të e.s, ndërkohë që fillimi i ndërtimit të pallatit me një sërë kthinash rreth një oborri në anën jugore datohet në gjysmën e dytë të shek. të 5-të të e.s.

Një korridor i gjatë 25m, i zbukuruar i tëri me mozaik, lidhte hyrjen me një dhomë pritjeje, në të cilën i zoti i shtëpisë takonte miqtë. Pjesa më e rëndësishme e pallatit duhet të ketë qenë krahu lindor ku qe ndërtuar një dhomë e madhe ngrënieje triapsidale, trikliniumi.

Është pikërisht kjo dhomë, e cila i jep emrin pallatit duke qenë se forma e apsidës njihet ndryshe si konkë.
Në fillim të shek. 6-të, Pallatit iu bllokua aksesi i drejtpërdrejtë për në kanalin e Vivarit nëpërmjet murit të ri rrethues të qytetit dhe dhomat u përdorën për aktivitete të vogla industriale./atsh/ KultPlus.com

Mes magjisë historike dhe turistike të Butrintit, aty ku shekujt flasin

Asnjë vizitor vendas apo i huaj nuk mund ti shpëtojë magjepsjes nga bukuritë dhe qetësia që të ofron parku kombëtar i Butrintit, 20 km larg Sarandës, ku rrethimet natyrore plotësojnë aq bukur rrënojat antike të tij.

I konsideruar si një nga destinacionet që vizitohet nga adhurues të historisë së lashtë, ky park ofron një numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike dhe konsiderohet si një “mikrobotë e historisë shqiptare”.

Në pritje të turistëve të parë për ta vizituar pas situatës së krijuar nga COVID-19, Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell një fotogaleri me pamje nga qyteti antik i Butrinti, ku zakonisht në këtë stinë gjallërohej nga turistët e shumtë vendas e të huaj, që vinin edhe me kroçera në Sarandë.

Kryetari i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma, deklaron se “vetëm vitin e kaluar parku i Butrintit u vizitua nga 230 mijë turistë, pjesa më e madhe e të cilëve të huaj”.

Ky park ofron përveç historisë dhe bukuri natyrore të cilat kanë veçantinë e tyre në çdo stinë, pasi në këtë park shtrihet deti, i cili mbart bukuritë natyrore, historinë dhe rrënojat arkeologjike me vlera të mëdha për trashëgiminë tonë.

Butrinti është i lidhur ngushtë me mitologjinë greke, trashëgimia e tij historike është shkruar nga Dionisi i Halikarnasit, historian dhe shkrimtar i famshëm me origjinë greke në Romë. Ai na tregon për Enean, luftëtarin trojan, për babain e Romulit dhe Remit, për Andromakën, për Hektorin dhe për Trojën. Ky është një prej teksteve të para të shkruar të historisë ku përmendet Butrinti, që ndoshta mund të jetë themeluar nga luftëtarët e dëbuar trojanë.

Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit. Një trashëgimi e njerëzimit, ky është Butrinti. Madhështia e këtij vendi kishte mbetur e fshehur deri në vitin 1927.

Zbulimet e para arkeologjike filluan me Misionin Arkeologjik Italian. Kjo sipërmarrje filloi gërmimet në atë që do të ishte një prej qyteteve më antike të Shqipërisë. Punimet filluan në vitin 1928. Ndonëse punimet arkeologjike asnjëherë nuk kanë përfunduar, mendohet se ajo që shohim sot mund të jetë me shumë mundësi vetëm një e pesta e asaj që ndodhet nëntokë.

Butrinti sot është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit. Rëndësia historike e Butrintit është e jashtëzakonshme dhe të jesh në gjendje që të ecësh është një privilegj: statuja me gurë të bardhë nga epoka e August Oktavianit, Agripas, Antiohs, Serapisit, Livia Drusilas ngriheshin dikur këtu, si dhe vendi i lindjes së shumë qytetarëve të shquar në kohë të ndryshme apo gjeneralëve romakë gjatë epokës së ndritur të perandorisë kur qyteti quhej “Colonia Augusta Buthrotum” (Kolonia Augustiane Butrinti).

Përveç shkëlqimit të tij historik, Butrinti është një parajsë për 800 lloje bimësh, 246 lloje zogjsh, 105 lloje peshqish dhe 39 lloje gjitarësh. /atsh / KultPlus.com

Muzeu Arkeologjik i Butrintit ftesë për tur virtual

Edhe pse nuk mund të udhëtojmë si do të dëshironim, sidomos këto ditë të përhapjes së koronavirusit dhe kur rekomandohet kufizimi i lëvizjeve të panevojshme, kultura vjen pranë jush nëpërmjet teknologjisë.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti fton në një tur virtual brenda Muzeut Arkeologjik të Butrintit. “Teknologjia na sjell në brendësi të Muzeut Arkeologjik të Butrintit, duke na prezantuar me shtatoren misterioze, ku paraqitet figura e një gruaje. Kjo skulpturë prej mermeri, e realizuar në teknikën e skalitjes, i përket artit romak të shekullit II para Krishtit – IV pas Krishtit”, shprehet Margariti.

Shtatorja origjinale që ndodhet në këtë muze, paraqet një grua me qëndrim në këmbë, me gjurin e djathtë paksa të thyer. Mbi rrobën që mbulon trupin, ka një pelerinë që kalon në supin e majtë. Përdridhet rreth belit dhe përfundon në anën e majtë të trupit, ku krijon disa pala që shkojnë deri pak poshtë gjurit.

Edhe pse shtatores i mungojnë koka, krahët dhe këmbët, figura rrëfen vlera historike dhe mjeshtërore duke na bërë të imagjinojmë se si ka qenë jeta në të shkuarën. / KultPlus.com

Kalimi me not i kanalit të Korfuzit, edicioni i dytë i garës ndërkombëtare nis nga Butrinti

Butrinti do të presë për të dytin vit radhazi notarë nga vende të ndryshme të botës për të marrë pjesë të shtunën në garën ndërkombëtare që nis në brigjet e Butrintit për të përfunduar në brigjet e Korfuzit.

Duke folur për ATSH-në, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare shprehet se në këtë garë marrin pjesë 70 notarë anglezë, nga Irlanda, Franca, Greqia dhe Australia.

“Gara starton të shtunën dhe nisja bëhet nga Butrinti dhe shkojnë në Korfuz”, sqaroi Tare.

Po ashtu Tare theksoi se thelbi është promovimi i dy brigjeve turistike, Butrint-Korfuz, si dhe parë në një dimension tjetër atë, të koherencës historike është një kujtesë për të gjithë ata që tentuan të kalonin bregun në një kohë tjetër, atë të komunizmit.

“Duke qenë se kjo ngushticë ka qenë gjithmonë e mbyllur e ruajtur dhe e palejueshme për njerëzit për komunikim dhe ideja ishte që të krijonim një lloj komunikimi, një promovim të kanalit pasi në rrafshin ndërkombëtar ka jehonë, promovon turizmin, trashëgimin, Butrintin. Rikthimi i imazhit të atyre që iknin me notë në kohë të komunizmit, arratiseshin”, shtoi ai.

Kalimi me not i ngushticës nga notarët  ndiqet nga një numër i madh banorësh të ishullit  turistik si dhe nga autoritetet lokale, të cilët  organizojnë edhe një festë në veriun e ishullit të Korfuzit./ atsh / KultPlus.com

Parku i Butrintit nominohet për çmimin ‘Green Gown Award’

 

Parku i Butrintit është përzgjedhur nga studentë të Universitetit të Bristolit në Mbretërinë e Bashkuar për të zhvilluar një seri leksionesh në formë filmike lidhur me praktikat e menaxhimit të trashëgimisë botërore.

Modeli shqiptar i menaxhimit të turizmit si dhe konceptet novatore që janë implementuar në Parkun e Butrinti është nominuar për çmimin Green Gown Award në Mbretërinë e Bashkuar.

Duke pasur për qëllim nxitjen e projekteve inovatore në sistemin e edukimit të lartë në të gjithë botën, për këtë çmim votojnë mbi 1 milion studentë.

Në praktikat e tyre mësimore, studentët e universitetit prestigjioz kanë përfshirë modelin e krijuar dhe të administruar nga Drejtoria e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, ku Auron Tare, aktualisht kreu i UNESCO-s për Komitetin Shkencor dhe Teknik për Trashëgiminë Botërore Nënujore ka shpjeguar praktika që ndiqen për mirëmenaxhimin e Butrintit.

Ky model kërkon të krijojë një lidhje sinergjike midis turizmit bregdetar dhe ekonomive lokale të zonave që fillojnë menjëherë pas vijës bregdetare të jugut. Pikërisht këto dy modele u përzgjodhën nga universiteti i njohur britanik për të qenë pjesë e një serie leksionesh mbi modelet më të mira botërore të turizmit të qëndrueshëm duke i përfshirë në programet mësimore.

“Një nga shqetësimet që ne kemi sot është numri i turistëve i cili kur ne filluam projektin 18 vite më parë kishim 2500 turistë në vit. Tani kemi 10 mijë turistë në vit shifër kjo që tregon se Butrinti po bëhet një pikë e suksesshme turistike”, shprehet Tare.ATSH

Mirela Kumbaro: Në Butrint nuk po ndërtojmë, po restaurojmë

Gazetari Lutfi Dervshi ka biseduar të premten në mbrëmje me ministren e kulturës Mirela Kumbaro për trashëgiminë kulturore dhe mënyrën se si do të duhej të kultivohej ajo.

Përpara rasteve të betonit që po hidhet në Butrint, tek Veliera në Durrës apo në hyrjen e Voskopojës, ministrja e kulturës mbron idenë se nuk jane prekur elemente të trashëgimisë kulturore. “Betoni në vetvete nuk është një material i dënuar me vdekje në kohët moderne”, tha zonja Kumbaro. Ajo kujtoi se prania e tij është në të gjitha vendet, por, “Gjella me kripë e kripa me karar” tha ministrja e kulturës.

Ndonëse në Butrint punimet për ngritjen e një pike shërbimi pranë një barake të ndërtuar që prej vitit 1975 janë pezulluar, për ministren Kumbaro, duket se rifillimi i tyre do të jetë thjeshtë çështje kohe. “Ne nuk donim të ndërtonim asgjë të re. Ajo që ju shikoni është një rehabilitim, restaurim i një pike egzistuese. Parku pëfiton shërbimin që u ofrohet gjithë vizitorëve, por përfitohet edhe qeraja” sqaroi zonja Kumbao.

Por një qëndrim tjetër për betonizimin mban ministrja Kumbaro për rastin e hidrocentraleve në Valbonë, ndonëse e sheh të vështirë që ndërtimi i tyre të pengohet. “Mua nuk më pëlqen dhe unë nuk jam dakord. Por duhet të dini një gjë. Ne gjetëm një numër të madh koncesionesh të cilat janë jo thjesht vullnete politike të qeverisë që shkoi, por akte juridike kontraktuale me pasoja shumë të rënda, qoftë për kostot e taksapaguesve, qoftë për shtetin, qoftë për institucionet. Shteti vazhdon, qeveritë ndërrohen ” tha zonja Kumbaro. “Ne kemi bërë maksimumin që brenda kuadrit dhe hapësirave kontraktuale të prishim sa më shumë prej tyre” tha ajo.

Ministrja e Kulturës bëri me dije se javën e ardhshme qeverisë do t’i paraqitet ligji për trashëgiminë kulturore, i integruar me direktivat evropiane dhe ku për herë të parë propozohen edhe forma të reja administrimi përmes partneritetit publik-privat, shkruan rtsh./ KultPlus.com

Pezullohet ndërtimi në Parkun e Butrintit, ultimatumi erdhi nga UNESCO

Në Butrint janë ndërprerë punimet. Ministrja e Kulturës këtë e konfirmoi në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Shqipërisë, kur po diskutohej Buxheti 2018.

Por edhe në këtë mbledhje vëmendja e komisionit u zhvendos në çështjen ende sensitive, Butrintin.

Pjesë nga debati Vokshi-Kumbaro transmetoi TCh, si në vijim:

Vokshi: A janë ndërprerë punimet?
Kumbaro: Po, derisa të shterohen të gjitha pyetjet.
Vokshi: Ngaqë tha UNESCO, ndaj janë ndërprerë?

Kumbaro: Jo.
Vokshi: Do mbani përgjegjësi nëse gënjeni.
Kumbaro: Më lini të shpjegohem.

2 miliardë lekë është buxheti i vitit të ardhshëm për Ministrinë e Kulturës ndërsa prioriteti i ministrisë do të vendoset në tre shtylla kryesore: Rikonstruksioni i Bibliotekës Kombëtare, Muzeut Historik Kombëtar dhe Galerisë Kombëtare të Arteve./ KultPlus.com

Në Butrint zbulohen dy mozaikë për vizitorët (FOTO)

Butrinti, vendi turistik në Shqipëri i cili u shpall qytet muze më qershor të vitit 1961, është vlerësuar si pasuri e trashëgimisë së njerëzimit dhe mbrohet nga UNESCO që nga viti 1992. Ky vend turistik, tërheqë vizitorë nga vende të ndryshme të botës të cilët mbesin të mahnitur pas kësaj vizite, shkruan KultPlus.

Por këtë verë, në Butrint do të mund të shihni nga afër edhe dy mozaikët e zbuluar për vizitorët.

“Mozaiku i Baptisterit” (shek. IV pas.Kr) dhe “Mozaiku i Dhomës së Zhveshjes” (shek.II pas Kr.) i cili
ndodhet tek Termat Romake.

Mozaikët do të qëndrojnë të ekspozuar deri më 15 shtator 2017. / KultPlus.com