Ilir Butka kërkon rritjen e buxhetit për kinematografinë

Ilir Butka, kreu i Qendrës Kinematografike në një letër të gjatë publike ku falënderon ekipin e drejtuar nga regjisori Bujar Alimani për çmimin e madh Grand Prixe fituar në Festivalin e Filmit në Varshavë, gjen rastin për të bërë një reflektim mbi mënyrën sesi publiku dhe shteti duhet të sillen me kinemanë. “Çmimi i madh i fituar nga DELEGACIONI vjen si një “mrekulli” e shumëfishtë për kinematografinë tonë.

Të përzgjidhesh në një festival kinematografik ndërkombëtar të kategorisë A, për të marrë pjesë në garën zyrtare është padyshim fitore e madhe, ndërsa të fitosh Çmimin e Madh të një festivali të tillë, është pak të thuash “mrekulli”. Janë mijëra filmat e prodhuar në vit në të gjithë boten që aplikojnë në këto festivale. Gati të gjithë kanë në dispozicion një buxhet më të madh se ne, prandaj të fitosh në një festival të tillë është dyfish mrekulli. Në jemi ndoshta i vetmi vend që kemi kaq pak salla kinemaje në kryeqytet dhe i kemi te mbyllura kinematë në qytetet e tjera, prandaj të fitosh në një festival të tillë është trefish mrekulli”, shkruan Butka.

Sipas tij, Shqipëria është një vend i vogël me dimensionin e një rajoni të një shteti evropian, me më pak se 3 milion banorë, që nga pikëpamja e numrave nuk përbën audiencën e mjaftueshme për të mbështetur ekonomikisht përpjekjet e producentëve tanë. Prandaj të fitosh në një festival të tillë është katërfish mrekulli. ”Shpesh për të gjitha argumentet e mësipërm, filmat tanë e kanë të vështirë për të gjetur një distributor serioz të huaj i cili mund të lobojë mjaftueshëm për filmin ndër festivale. Prandaj të fitosh pa asnjë lobim në një festival të tillë është pesëfish mrekulli.

Eksperienca botërore tregon që promovimi është një hallkë e domosdoshme për të evidentuar filmin, për të tërhequr vëmendjen e jurive dhe për të influencuar vendimmarrjen e tyre. Ne nuk kemi mundësi financiare për të promovuar si duhet produktet tona, prandaj të fitosh një festival të tillë është gjashtëfish mrekulli”, shkruan Butka.

Sipas tij, shtetet ekonomikisht të fuqishme investojnë nëpërmjet institucioneve të tyre shifra të konsiderueshme në formën e sponsorizimeve për festivalet e rëndësishme, duke orientuar në një farë mënyre edhe vëmendjen kolektive ndaj kinematografive të tyre. Institucionet tona e kenë të pamundur ndjekjen e një politike të tille, prandaj të fitosh një festival të tillë është shtatëfish mrekulli.

”Shpresoj që kjo mrekulli e shumëfishtë të gjejë disponibilitetin e të gjithë atyre që popullojnë rrjetet sociale për ti bëre të paktën një “like” dhe një “share” lajmit dhe pse jo, edhe ndonjë koment pozitiv për aktorët dhe autorët e këtij filmi, mundësisht dhe për aktoret dhe kineastët shqiptarë në përgjithësi. Shpresoj që vetë kineastet tanë ta bëjnë këtë duke demostruar mbështetjen e tyre ndaj fitores së kolegëve si një formë e përkatësisë në një kategori që ka shumë nevojë për mbështetje, aq e vlefshme për të krijuar një klime pozitive dashamirësie, që ndihmon në komunikimin, diskutimin, dhe frymëzimin e krijuesve.

Shpresoj që kjo mrekulli të influencojë sado pak publikun tonë, që të shkojë në kinema kur filmi të shfaqet në Tiranë dhe t’i mbushin dy ore të përditshmërisë së tyre me diçka të ndryshme. Të diskutojnë lidhur me temën e filmit, skenarin, lojën e aktorëve, regjinë dhe gjithçka tjetër që ta shikoni të arsyeshme. Përkëdheljani sedrën artistëve duke i thënë një fjalë të mirë ose dhe shajini nëse filmi nuk i përmbush pritshmëritë tuaja, por mos i snoboni duke mos ja u parë filmin, sepse indiferentizmi vret dhe demoralizon më shumë se çdo sharje.

Shpresoj që mrekullia e këtij çmimi të shumëfishtë, të shoqërohet me një frekuentim po aq të shumëfishtë nga publiku në sallat e Kosovës Greqisë dhe Francës, vende nga të cilat ky film është financuar dhe me producentët, profesionistët dhe artistët e të cilëve ky film është bashkeprodhuar”, shkruan Butka. Sipas tij, shteti, shtetarët dhe institucionet, të ndikohen sado pak nga mrekullia e shumëfishtë e këtij suksesi për të ndihmuar që ky vend të mos jetë më vendi më buxhetin më të ulet në Ballkan për kinematografinë.

“I bëjmë thirrje dashurisë për filmin dhe sensibilitetit që çdo njëri prej jush ka, të na ndihmoni të krijojmë një buxhet që i përgjigjet realisht kapacitetit tonë prodhues për të shpërfaqur maksimalisht potencialin tonë në përballjen ndërkombëtare në festivale por edhe në ballafaqimin me publikun tonë të cilën kjo kinematografi duhet ta rigjejë falë edhe ndihmës së shtetit.

Institucionet e Kosovës e realizuan para disa muajsh dyfishimin e buxhetit të tyre për kinematografinë, duke dëshmuar një politike dinamike dhe ambicioze, që ndihmon në një ballafaqim me dinjitet të industrisë audiovisuale me homologët e vendeve të tjera ballkanike. Jam i bindur që mund ta bëjmë edhe ne një hap të rëndësishëm historik në këtë drejtim për të shkuar drejt bashkëprodhimeve, jo vetëm me dinjitetin artistik dhe profesional por edhe me dinjitetin financiar, i cili është aq i nevojshëm dhe përcaktues ndaj suksesit në shumicën e rasteve”, shkruan Butka./ KultPlus.com