Takim përkujtimor për pedagogen dhe violinisten Iliriana Vorfaj

Tashmë janë bërë një vit prej kur Iliriana Vorfaj, muzikante e pedagoge, ka ndërruar jetë, për të lënë pas një bagazh të madh të veprimtarisë së saj, shkruan KultPlus.

Për të nderuar kujtimin e Iliranës, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë, u mblodhën miq, familjarë, ish studentë të saj e dashamirë.

Përderisa në një ekran të madh shfaqeshin fotografi që shpalosnin momentet më të bukura të Ilirjanës, fjalën e mori Liburn Jaholli, djali i të ndjerës, i cili tregonte se si ka qenë e ëma e tij. Ndër të tjerash, Liburn Japolli, vuri në pah anën humanitare të prindërve të tij, duke bërë të ditur për fondacionin që ai dhe motra e tij do të hapnin në kujtim të tyre.

”Duke u bazuar në veprimtarinë dhe punën e prindit tonë, Iliriana Vorfaj, dhe duke e vlerësuar punën e saj shumëvjeçare në zhvillimin e arsimit, edukimit, mirëqenies dhe drejtave njerëzore në Kosovë si dhe në bazë të vullnetit, dëshirës së kamotshme dhe amaneteve të saj dhe babait tonë Irfan Jupolli, që me altruizmin e tyre ndihmuan në zhvillimin e qytetit të Prishtinës dhe mbarë popullatës Kosovare pa dallim gjinie, feje, race, në pasardhësit e tyre, vendosëm që të formojmë një fondacion, i cili do të ketë karakter joqeveritar, jofitimprurës, pa preferenca politike, fetare, gjinore, racore apo etnike dhe i cili do të shërbejë në zhvillimin e arsimit, shkencës dhe kulturës, fillimisht në qytetin dhe regjionin e Prishtinës, me synim që të zgjerohet edhe në tërë territorin e Kosovës”’, shprehej ai.

E pranishme ishte edhe Besa Luzha, e cila fliste me adhurimin më të madh për të ndjerën.

”Dhimbja është ende shumë e madhe, tash pas një viti kur u ktheva dhe i pashë fotografitë të cilat i kisha përzgjedhur, e pashë se ishin pikërisht ato që e paraqesin karakterin e saj më së miri”

Ndër të tjerash, u luajt edhe një pikë muzikore, sigurisht për të nderuar kujtimin e violinistes, Ilirjana Vorfaj.

Fondacioni IL-IR do të fokusohet në bursa për studentët në nevojë dhe iniciativa bamirëse të tjera për qytetarët në nevojë. / KultPlus.com