“Green Fest” në edicionin e tetë vjen me “Imagjinatë pafund”

7Arte tashmë po prek edicionin e 8-të të organizimit të festivalit tradicional Green Fest. Si çdo vit tjetër festivali Green, edhe këtë vit do të sjellë artistë të ndryshëm dhe synon të ndërgjegjësojë opinionin kosovar për përkujdesje dhe vëmendje më të madhe ndaj mjedisit, si dhe të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.

Tema e sivjetme “Imagjinatë pafund” ka për synim të nxisë debat dhe ide mbi mënyrat e të jetuarit në harmoni me natyrën, duke konsumuar e prodhuar me përgjegjësi, shkruan KultPlus.

Green Fest këtë edicion do të mbahet pranë Liqenit Artificial në Mitrovicë përgjatë datës 17 – 18 Gusht, nga ora 20:30 – 12:00. Gjatë natës së parë të festivalit të muzikës më 17 gusht do të përfomojnë artistë si: Duo Denis & Edis, Grupi NA, Jericho, Matale, Toton, ndërsa më 18 gusht do performojnë: E blertë, Orges Toçe teat Ajs Trio, Genc Salihu & Visa Kuqi, mysafir special Arbër Salihu, dhe Lilac.
Në kuadër të festivalit do të organizohet edhe aktiviteti “Green Open Air Cinema” i cili këtë vit shënon edicionin e 10’të. Kinemaja e hapur do të jetë aktive gjatë tre netve, të datave: 14-16 gusht, nga ora 20:30 deri në 12:00. Përgjatë kësaj kohe do të shfaqen filma të zhanreve të ndryshme, ku ndër të tjera do shfaqen premierë edhe filmi artistik “Martesa” nën regji të Blerta Zeqirit.

Green Fest këtë vit do të pasurohet edhe me një ekspozitë artistike “Infinit Imagination” e cila është organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Kosovo Art Exchange Galery – KAE dhe do të jetë e hapur për vizitor deri në fund të muajit gusht. Së bashku, GreenFest 8 dhe Galeria KAE kanë krijuar kushtet për artistë e rinj nga e gjithë Kosova që të prezantojnë vepra artistike të krijuara e të ri-krijuara me materiale të gjetura e të riciklueshme.

Edicioni i 8’të i Green Fest do të përmbyllet me aktivitetin Green Talks, gjatë të cilit do të realizohen fjalime të aktivistëve që kanë sjellë ndryshim në qytetin apo komunitetin e tyre duke qenë aktiv dhe të përfshirë në praktikat e zhvillimit të qëndrueshëm. Krahas kësaj të rinjët do të angazhohen në ndërmarrjen e aksioneve ambientaliste në dobi të komunitetit.

Green Fest 2018 është mbështetur nga: programi “Culture for Change” financuar nga BE, menaxhuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatuar nga Qendra Multimedia, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, CBM, ACI, Kosovo Voulenteers, Taxi Albani./ KultPlus.com