Imri Trena është themelues dhe kryeredaktor i Radiostacionit “Zëri i Arbërit”. Është arsimtar i shkollës shqipe në Oslo, që prej vitit 2000. Gjithashtu shqiptari Trena është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe ka botuar shumë vepra. Në vitin 1999 migroi në Norvegji, ku jeton dhe punon, por tregon se kurrë nuk e ka bërë gjumin e qetë në Norvegji, sepse zemra e tij rreh në çdo sekond për Shqiptarinë.
“Kur kemi ardhur na kanë pritur shumë mirë, kemi qenë 350 shqiptarë dhe jemi trajtuar shumë mirë, jam shumë falenderues, por sigurisht malli për atdheun është i madh dhe besoj të gjithë i kemi ato vuajtjet e njëjta. Mua nuk mund të ma zëvëndësojë Shqipërinë, Kosovën asnjë vend në botë. Që nga momenti që kam ardh kurrë nuk e kam bërë të qetë në dhe të huaj.”
Në një intervistë për televizionin “Albse” Imri Trena tregon se dashurinë për median e ka kultivuar që nga koha kur jetonte në Kosovë.
“Që kur jetoja në Kosovë e kam dashur shumë median dhe kam bashkëpunuar me radio Ferizaj, Radio Gjilan dhe Radio Vat, kjo ishte e vetmja mundësi komunikimi në kohën e luftës që dëgjohej më shumë në anën tonë. Ishte një radio modeste, por emisionin e lajmeve në orën 18:00 e kishte mjaft cilësorë. Kam kontribuar në Radio Vat deri në momentin kur u ndërpre sinjali edhe në atë zonë.
Trena tregon se pse u angazhua për të qenë pjesë e medias edhe kur emigroi në Norvegji.
“Zëri i Arbrit” gjenerata ime e di se çfarë do të thotë terri informativ, nuk kishte gjë më të keqe se të mbetesh në errësirë pa informacion, kishte shumë desinformata. Dëshira ime atje për të qenë para mikrofonit nuk u realizua dhe sapo erdha këtu mendova çfarë të bëj. Mora vesh se ekziston një shkollë shqipe dhe menjëherë shkova në vitin 2000. Më pas kontaktova me një radio këtu dhe i kërkova një orë transmetim. Ata u habitën dhe më pyetën se cili është qëllimi i programit. Përgatitëm një material me ato pak kushte që mundësuam, me ndihmën e disa miqve e shokëve. Programi i parë ishte 55 minuta dhe e ruaj si program, është transmetuar një këngë “Shpirti i Arbrit”, një hapësirë e shkurtër dedikuar fëmijëve, si dhe një rubrikë me fjalë të urta popullore, rubrikë e cila sot është ndër më të dëgjuarat, në fund e mbyllëm me një numër humori. Kur ata panë programin mbetën të mahnitur dhe e transmetuan në korrik 2001. Kur u transmetua për herë të parë moderatori tha këto fjalë: “Tani fillon premiera botërore, një program në gjuhën shqipe” për ne ishte një emocion shumë i madh. Vitin e parë me një orë, vitin e dytë, dy orë dhe në vitin e pesë hapsira arriti 7 orë program çdo të premte. Me kalimin e kohës shfrytëzimin e audiencës e paguanim sigurisht. Tani ai radiostacion është mbyllur. Sfidat në të cilat ka kaluar “Zëri i Arbrit” janë të shumta, por një që mburrem është se mund të them që gjithçka ka qenë burim i buxhetit familjarë. kam sakrifikuar gjithçka për të dhënë aq sa kam mundur për këtë medium. Kur nuk e harroj datën 25 qershor kur e morëm lejen për të transmetuar programin dhe i thash se ky radiostacion e ka emrin qemoti “Zëri i Arbrit” dhe unë mburrem me këtë emërr kaq kuptim plotë.”
Disa nga vepra e Imri Trena janë: “Buzëqeshja e tretur”, 1996, “Plagë në zemër”, 1998, “Shtegtim i shqipeve”, 1999, “Prapa grilave”, 2001, “Kosova ime e madhe”, 2002, “Andej është Kosova”, 2004, “Rruga e hidhur”, 2007, “Aromë manushaqeje”, 2008, “Zgjidhma gjuhën dashuri”, 2010, “Mall i pashuar”, 2012, “Migrimet e para të shqiptarëve në Norvegji”, 2012, “Rruga për Vlorë”, 2013 etj../ Albse/ KultPlus.com