Fillojnë ‘Ditët e Nënë Terezës’, Imzot Dodë Gjergji: Gjatë këtyre ditëve do të mundohemi të ecim në shembullin dhe mendësinë e saj

Flonja Haxhaj

“Jeta është mundësi, pranoje!
Jeta është bukuri, sodite!
Jeta është lumturi, shijoje!
Jeta është ëndërr, realizoje!
Jeta është sfidë, përballoje!
Jeta është detyrë, kryeje!
Jeta është lojë, luaje!….”

Janë pikërisht këto vargje e uratë e Nënë Terezës, me të cilat filloi Akademia Solemne që edhe i parapriu ‘Ditëve të Nënë Terezës’, të cilat mbahen për nder të ditëlindjes dhe 25-vjetorit të vdekjes së saj, shkruan KultPlus.

Para pjesëmarrësve të cilët kishin mbushur plot sallën e qendrës ‘Bogdanopolis’, të parit iu dha fjala Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit.

“Përgjatë këtyre 10 ditëve të Nënë Terezës do të përpiqemi që të ecim në shembullin e saj, në mendësinë e saj dhe në sugjerimet që na i jep ajo nëpërmjet jetës, nëpërmjet fjalës dhe nëpërmjet uratës. Janë 25 vite që kur Nënë Tereza kaloi në amshim dhe ajo nuk është më fizikisht në mesin tonë, por janë 25 vite kur ne intenzivisht jemi me të sepse dëshirojmë t’i ngjajmë asaj”,  u shpreh Dodë Gjergji, duke bërë thirrje që nëpërmjet rrugëve që ndoqi Nënë Tereza, të punohet për të dhënë sa më shumë dashuri, sepse është pikërisht kjo për çka njerëzit janë të etur.

Akademia Solemne vazhdoi me promovimin e librit në gjuhën angleze të Don Lush Gjergjit, ‘I hold my albanian people in my heart’, i cili është përkthim i librit shqip ‘E kam në zemër popullin tim shqiptar’, bashkëbisedime me Nënë Terezën.

E për të folur rreth këtij libri, foli vetë përkthyesi i tij në gjuhën angleze, Avni Spahiu, i cili mes tjerash tha se Nënë Tereza është një prej shenjtoreve të pakta që u përzgjodh për ta shenjtëruar botën, dhe e cila hyri në historinë botërore e shpirtërore.

“Ka pasur shumë humanistë në historinë e botës, shumë njerëz që i kanë sjellë njerëzimit vepra të mira, që kanë mbetur në historinë e përgjithshme, por prej tyre vetëm disa në historinë shpirtërore, një numër i vogël i të përzgjedhurve që e kanë shenjtëruar botën. Kombi ynë dha të paktën një shenjtore në historinë e vetë, dhe Nënë Terezë të vetmen në shekullin e XX-të. Nënë Tereza qëndron mes këtyre njerëzish të përzgjedhur.”, tha Spahiu, i cili më tutje shtoi se kjo shenjtëri i shtoi virtytet për kombin shqiptar dhe e lartësoi atë mbi kombet e tjera.

Më pas, sopranoja Arta Jashari dhe pianistja Pranvera Hoxha interpretuan ‘Valsin hyjnor’ e i cili edhe konsiderohet si himni i Nënë Terezës.

E menjëherë pas kësaj pike muzikore, fjala iu dha Don Lush Gjergjit, i cili ka shkruar me dhjetëra libra në nderim të figurës dhe jetës së Nënë Terezës. Në këtë Akademi Solemne, Don Lush Gjergji mbajti ligjëratë me temën ‘Shën Nënë Tereza, 25 vite pas kalimit në amshim, trashëgim dhe frymëzim’.  

“Çka kam parë, çka kam dëgjuar dhe çka kam përjetuar gjatë shoqërimit me Nënë Terezën prej takimit tim të parë më 29 mars të vitit 1969, një kohë të gjatë i kam ruajtur në rezervuarin e mendjes dhe zemrës sime dhe pastaj i kam thënë vetvetes, kjo mund të jetë vetëm një egoizëm dhe një egocentrizëm, prandaj kishës sime dhe popullit tim shqiptar dua me një libër përmbledhës t’ua dhuroj atë çka unë me sytë e mi pashë, me veshët e mi dëgjova, me zemrën time përjetova”, tha Don Lush Gjergji, duke u shprehur më tutje se të gjithë ata që nuk e kanë pasur mundësinë të takohen me Nënë Terezën, të jenë pjesëmarrës të kësaj ngjarje nëpërmjet librit.

Don Lush Gjergji, po ashtu, dha lajmin se në ditën e 25-vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës, libri i tij është botuar edhe në gjuhën gjermane.

Mbrëmja vazhdoi edhe me interpretimin e këngës ‘Kroi i fshatit tonë’, që u interpretua sërish nga Arta Jashari dhe Pranvera Hoxha.

I pranishëm në akademinë që hapi ‘Ditët e Nënë Terezës’ ishte edhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili rrëfeu para publikut edhe lidhshmërinë e tij me figurën e Nënë Terezës.

“Isha 16-vjeçar kur kam dalë prej Prishtinës dhe kam shkuar në Londër dhe aso kohe si 16-vjeçar në një kryeqytet kaq të madh dhe krejt ndryshe nga ai që kam lindë e jam rritë deri në atë kohë. Kur njerëzit më pyesnin se nga vija, kur i thoja nga Prishtina, njerëzit në vitin 1992 nuk e dinin ku është Prishtina, as ku është Kosova, as ku është Shqipëria. E ajo që u thosha në Londër është ‘Unë jam shqiptar, si Nëna Terezë’”, tha Rama, duke i uruar të pranishmit për hapjen e kësaj akademie./ KultPlus.com