269 vite nga vdekja e lëvruesit të gjuhës shqipe, Gjon Nikollë Kazazi

Sot shënohet 269 vjetori i vdekjes së ipeshkvit, lëvruesit të gjuhës shqipe dhe teologut imzot Gjon Nikollë Kazazi.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, duke përkujtuar këtë datë, thekson se, ai në vitin 1740, gjatë kërkimeve të tij në Arkivin e Vatikanit, zbuloi veprën monumentale të kulturës shqiptare “Mesharin” e Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Zbulimi tij do të mbetej në hije deri më 1909, kohë kur studiuesi arbëresh Pal Skiroi do ta rigjente në po këto arkiva nën shënimin “Katalogu: R.G. Liturgia III, 194”.

Gjon Nikollë Kazazi lindi më 1 janar 1702 në Gjakovë. Karriera e tij studimore fillon me studimet teologjike në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit dhe më pas në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe në Loreto, ku përfundon studimet. Në vitin 1727 mori titullin Doktor në Filozofi e Teologji. Po atë vit do të shugurohej meshtar. Në moshën 41 vjeçare do të shugurohej ipeshkëv i Shkupit.

Në vitin 1743 botoi veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane”. Kazazi ishte studiuesi i parë shqiptar që metaforikisht çeli udhën për të gjithë studiuesit e mëvonshëm drejt Arkivit të Vatikanit e, kryesisht, arkivit të Propaganda Fide.

Vdiq më 5 gusht 1752. Në këtë ditë të amëshimit të tij, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujton kontributin e imzot Kazazit si gurthemel në panteonin e besimit dhe gjuhës shqipe.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikon edhe fletë të “Mesharit” të Gjon Buzukut, sjellë dhuratë nga Papa Françesku, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Nga katekizmi i imzot Gjon Kazazit:

Lutjet e Mëngjesit

Po të falem o Zot i vërtetë,
e po të bindem,
e po të due me gjith zembër.
Po të falem nderës se më ke kriuom
e më ke çperblem e më ke ruojtun këtë natë
prej ndonji mortje së pakujtueshme.
Ty, o Zot po t’i falinj gjith(a) kujtimet e mija
e po të lutem të më ruojsh
sod e për gjithë herë prej gjith fajesh
e mpkatesh… / KultPlus.com