Mbahet edicioni i parë i koncertit të ‘Infinity Piano Studio’, artistët e vegjël dhurojnë spektakël nëpërmjet interpretimit në piano

Mbrëmjen e së shtunës, publiku pati mundësinë të shijojë emocionet e interpretimit në piano të artistëve të vegjël nga klubi ‘Infinity piano studio’, koncert ky i cili u mbajt në ambientet e hotelit Swiss Diamond në Prishtinë. Kjo nismë artistike që përfshin artistë të vegjël me autizëm dhe sindromën Down ka shumë vlerë dhe përfaqëson një shembull të mrekullueshëm të aftësive të jashtëzakonshme të  secilit prej tyre, shkruan KultPlus.

Përmes interpretimeve të tyre në piano, artistët e vegjël mbajtën publikun nën emocion duke dhënë një spektakël të paharrueshëm. Koncerti ka synuar gjithashtu të tregojë se të gjithë pjesëtarët e shoqërisë në Kosovë janë të barabartë, duke e theksuar vlerën dhe aftësinë e secilit individ për të kontribuar në mënyrën e tyre unike.

Fjalën në këtë koncert fillimisht e mori moderatorja Agrina Sadiku e cila falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre,

“Jemi të lumtur t’ju mirëpresim në koncertin tonë të parë artistik nga ‘Infinity Piano Studio’.Kjo nismë artistike dedikohet për të gjithë këta performues, pjesëmarrës dhe artdashës ku sonte do të shprehin emocionet e tyre përmes tingujve dhe ngjyrave të bukura muzikore, sepse ata besojnë në një ëndërr’, u shpreh Sadiku.

Ndërkaq më pas fjalën e mori drejtoresha dhe oranizatorja e këtij koncerti, Agnesa Gërbeshi, e cila theksoi rëndësinë që ka ky koncert në formimin artistik të këtyre artistëve.

“Është nder dhe kënaqësi që përmes këtij koncerti t’i mundësojmë artistëve tanë që të zhvillohen e të promovohen edhe më shumë në fushën e artit”, u shpreh Gërbeshi duke ua lënë më pas mundësinë edhe artistëve të vegjël që ta shprehin artin e tyre para të pranishmëve.

Pas koncertit, për artistët e vegjël u ndanë edhe mirënjohje , si shenjë falendërimi për talentin dhe përkushtimin e tyre në skenë. /KultPlus.com