Filmi spanjoll “O Que Arde” shfaqet në instalacionin ‘Reja’

Java Kulturore e Spanjës ka nisur në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit me aktivitete të shumta që nga kultura e deri tek kulinaria.

Në kuadër të kësaj jave mbrëmjen e sotme qytetarë të shumtë dhe të apasionuar pas kinematografisë spanjolle kanë shijuar filmin “O Que Arde” (Fire will come).

Në instalacionin Reja në kryeqytet të pranishmit shijuan dramën spanjolle ku në thelb është një alegori për faljen, e ku mesazhi që ky film përcjell është “nëse diçka do ndodhë, do ndodhë pavarësisht qëllimeve, planifikime dhe sjelljeve tona të mira”.

Nga 18 deri më 28 qershor, zhvillohet Java Kulturore e Spanjës e cila do të sjellë në kryeqytet dhe në qytete të tjera të vendit aktivitete të larmishme si pasqyrim i traditave, kulturës, kulinarisë spanjolle.

Kjo javë zhvillohet në kuadër të “Javëve Ndërkombëtare të Kulturës”, nismë e qeverisë shqiptare me moton “Shqipëria mikpret botën”, ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës, si dhe vende të Bashkimit Evropian.

Java Kulturore e Spanjës vjen pas javëve kulturore të Francës, SHBA dhe Greqisë, Italisë dhe Izraelit të organizuara në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit./atsh/ KultPlus.com

Ngjyra dhe jetë në ekspozitën e veçantë në instalacionin “Reja”

Një ekspozitë e veçantë plot ngjyra dhe me 40 krijime mjaft të veçanta nga dhjetë fëmijë të moshave nga 5-9 vjeç është çelur sot në kryeqytet.

Në instalacioni “Reja” ku dhe është hapur kjo ekspozitë qytetarët do shohin nga afër një punë mjaft interesante të këtyre fëmijëve, të cilët kanë punuar rreth tre muaj për të shfaqur talentin e tyre në pikturë dhe vizatim.

Anisa Sala, kuratorja e kësaj ekspozite tha për ATSH-në se, “besojmë se këto 40 punë të kryera nga këta fëmijë do të tërheqin vëmendjen e qytetarëve pasi janë bërë me shumë dashuri nga fëmijët dhe ata kanë shprehur gjithë emocionin e tyre nëpërmjet ngjyrave”.

Kjo ekspozitë u çel me rastin e festave të fundvitit dhe për shkak të pandemisë do të qëndroje hapur vetëm sot nga ora 11:00 deri në orën 19:00 pasdite. /atsh/ KultPlus.com