“International Albanian Brass Festival” ngjiti në skenë artistë shqiptarë dhe të huaj

“International Albanina Brass Festival” zhvilloi edicionin e katërt, duke sjellë në skenë artistë të njohur. Festivali në pesë netët e tij solli në skenë artistë ndërkombëtarë nga USA, Rusia, Austria, Italia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Hungaria, Spanja, Kosova, Serbia, por dhe nga Shqipëria, që ndezën sallën e Universitetit të Arteve, teatrin “Petro Marko”, Vlorë dhe në ambientin e përhershëm në natën mbyllëse të festivalit, amfiteatrin e liqenit në Tiranë.

Ky festival ka si qëllim krijimin e urave të bashkëpunimit mes artistëve vendas dhe të huaj, duke interpretuar së bashku në skenë dhe nëpërmjet këtij festivali rritet ndërgjegjësimi ndaj instrumenteve të tunxhit duke i kthyer ata në tejet popullorë dhe duke nxitur brezin e ri të luajë në ta.

Në fokus të vazhdueshëm kanë qenë artistët e rajonit me qëllim unifikimin e metodave të interpretimit dhe literaturës, nëpërmjet master class të udhëhequr nga Gergely Sugar (Austri) kornist i parë i Orkestrës Simfonike të Vjenës, pedagog pranë Universitetit Graz, Orsolya Korscolan (Austri) soliste themeluese e drejtuese e shkollës së muzikës “Musikschule” Vjenë, Marco Pierobon (Itali) pedagog i trombës në Konservatorin e Bolzanos, dr.Gregory Jones (USA) dirigjent, trombist, drejtuesi i Purdue University Fort Wayne-Indiana, Hrvoje Pintaric (Kroaci) pedagog pranë shkollës së muzikës “Vatroslav Lisinksi” Zagreb, Ivan Bosnjak (Kroaci) trombon i parë pranë Orkestrës së Operës së Zagrebit-Kroaci, etj.

Programi i festivalit erdhi për publikun si një ndërthurje dhe bashkëpunim i artistëve të huaj nën shoqërimin e instrumentistëve shqiptarë. / atsh./ KultPlus.com