Sekreti shqiptar i Irene Papas

Origjina shqiptare e aktores së njohur greke Irena Papa Leleku, është kundërshtuar shpesh, sidomos nga biografët grekë. Gjatë bashkëbisedimeve që ka pasur me aktorin shqiptar Bekim Fehmiu ajo e ka pranuar origjinën e saj shqiptare.

Ndoshta ky fakt e bënte më të madhe miqësinë mes tyre. Prejardhjes së saj shqiptare i ka kushtuar vëmendje dhe studiuesi grek Aristidh Kollia në librin e tij “Arvanitasit dhe origjina e grekëve” botuar në Athinë më 1983.Vetë aktorja në një intervistë e pyetur se përse ishte kaq esmere është përgjigjur se “I ngjaj nënës sime. Nëna ime ishte ezmere si unë.

Ajo vinte nga Epiri, ndërsa im atë vinte sipas gjasave nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare, ose gjysmë shqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë”. Studiuesi i kinemasë Abaz Hoxha e ka përmendur origjinën e saj shqiptare, në librin “Shqiptarët në kinematografinë botërore”. Po kush është Irena Papa Leleku? Lindi në Athinë më 3 shtator 1926.

E filloi karrierën artistike që në moshën 10 vjeçare si këngëtare dhe kërcimtare në variete. Mbaroi studimet e larta në Shkollën e Dramës të Theatrit Kombëtar të Athinës. Roli i saj i parë në kinematografi ishte “Engjëjt e humbur “/1950/. Ka luajtur kryesisht role kryesore dhe veçanërisht të heroinave të tragjedive klasike greke për të cilat ka pasur një tërheqje të veçantë duke qenë edhe nga ana e jashtme “e prerë” për rolet e tragjedive klasike. Debutoi me shumë sukses në kinematografinë botërore e veçanërisht në atë italiane, franceze dhe amerikane.

U njoh për herë të parë me interpretimin në filmin grek “Nekropolita “/Qytet i vdekur, 1951. Që me këtë film ra në sy të kineastëve italianë dhe lidhi një kontratë me kompaninë Lux Film me të cilën interpretoi alternativisht në shumë filma. Më pas ajo u angazhua në shumë filma amerikanë dhe koproduksione italoamerikane, anglo-amerikane, spanjolle-amerikane, greko-amerikane etj duke u shndërruar gradualisht në një aktore shumë të kërkuar dhe me renome ndërkombëtar.

Ajo u bë në shumë filma personifikim i interpretimit të roleve të heroinave të tragjedive e veçanërisht të tragjedive klasike greke edhe si pasojë e fizikut dhe bukurisë së saj klasike. Së bashku me Melina Merkurin dhe Katina Paksinou, u takon atyre artisteve që kapërcyen kufijtë kombëtarë dhe arritën të sigurojnë një karierë të suksesshme ndërkombëtare.

Ka interpretuar në filma nga Amerika në Francë, nga Anglia në Itali, nën drejtimin e regjisorëve të njohur Robert Wise, Mihail Kakojanis, nga Jorgo Xhavella tek Elio Petri, Alberto Latuada dhe Françesko Rosi, nga Kosta Gavras tek Ray Guerra,etj
Irena Papa ka interpretuar rolet kryesore të heroinave të tragjedive si atë të Elektrës, Klitimestrës, Penelopës, Antigonës, perandoreshës Teodora, Katerina e Aragonës, rolin e vejushës në filmin shumë të suksesshëm “Zorba”, të gjyshes në filmin “Erendiras”, etj. Në vitin 1959 Irena ka interpretuar gjithashtu rolin e heroinës të revolucionit grek të 1821, arvanitases Laskarina Bubulinës.

Ajo e ka ngritur veten në rangun e “yjeve “ të kinemasë botërore jo vetëm nga fiziku dhe paraqitja e jashtme, por kryesisht sajë mjeshtërisë artistike duke evokuar tragjeditë e lashta me interpretimet e roleve, secilin të ndryshëm nga njëri tjetri. Ajo ka interpretuar kryesisht role klasike stoike dhe epike. Së bashku me Melina Mërkurin doli jashtë kufijve të atdheut të saj duke u bërë një aktore e preferuar dhe një “yll” ndërkombëtar. Në karrierën e saj artistike ajo ka interpretuar përkrah aktorëve të njohur si Antoni Kuin, Zhan Maria Volonte, Bekim Fehmi, Marlon Brando, Katerinë Hepbërn,etj.

Interpretoi në mbi 80 role në kinema dhe televizion ndër të cilët:“ Të pabesët “ dhe “ Drama nella Casbah “/prodhim italo-amerikan ,1953/;“ Perandoresha Teodora “ dhe “ Attila “ /prodhime italiane,1 954/;“Antigona“/1960/,“The Guns of Navarrone“ /prodhim angloamerikan,1961/; “Elektra“ /1962/;“Zorba “/1964/; “I dëshpëruari “/ prodhim amerikano-spanjol, 1967/; “Seicilit atë që i takon“ /prodhim italian, 1967/; “Brotherhood “/Vëllazëria -prodhim amerikan, 1968/; “Z“ /prodhim franko-algjerian/, “Mbreteresha Katerine e Arragones “dhe “Ëndërra e mbretërve“/prodhime anglo-amerikane, 1969/; “The Trojan Women “/ në rolin e Helenës së Trojës-prodhim grekoamerikan/ dhe “Roma bene “/italo-francez, 1971/; “Bambina “ / prodhim italian,1974/; “ Moses“/në rolin e Zipporah-prodhim angloitalian / dhe “ Muhamed, i dërguari i zotit “/prodhim anglez, 1976/; “Ifigenia“/në rolin e Klitemestrës, 1977/; “Linja e gjakut “/prodhim amerikan/; “ Krishti ndaloi ne Eboli“ dhe “ Omer Mukhtar, luani i shkretëtirës“/1979/; “Aventurat e uliksit “ / ku rolin e Uliksit intepretoi aktori tjetër shumë i njohur shqiptar Bekim Fehmiu/ e shumë role të tjerë në kinematografi dhe televizion.

Për interpretimet e saj të shquara në kinema dhe në teatër Irena Papa është nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare si: Aktorja më e mirë në interpretimin e rolit të Elektrës në filmin me të njëjtin titull në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit zhvilluar në Selanik, 1962, si aktorja më e mirë nderuar nga Bashkimi i kritikëve të Filmit grek, 1962, si aktoria më e mirë në rolin e dytë në filmin “Z” nga New York Film Critics Circle, 1969; aktorja më e mirë në filmin “The Trojan Women”nga National Board of Rewiew, 1971; me çmimin Distinguished Achievement Award nga Hamptons International Film Festival.1993; me çmimin e karierës për interpretim në Teatër, 1993 “ Flaiano” ;me çmimin e karrierës nga Madrid National Arts Institution, 2000; me çmimin e karrierës nga International Festival Women’s films, 2000; me titullin Doktor i Arteve dhe letrave nga Universiteti i Romës, 2001; me çmimin e karierës Woman of Europe.

Po kështu ajo është nominuar edhe për disa çmime të tjera ndërkombëtare si “Fennecus”si aktoria më e mirë në filmin “Into the Night”, 1985; aktorja më e mirë në filmin “Island” nga Australian Film Institute, 1989,etj.

U nderua me titullin e nderit si “Gruaja e Evropës” një titull që u jepet gravet që kanë kontribuar së tepërmi në civilizimin evropian-Gjatë marrjes së çmimit ajo edhe këndoi këngë greke folklorike

Irena Papa u zbulua fillimisht nga regjisori i njohur Elia Kazan, ndërsa Federiko Fellini ishte një admirues i madh i veprës së saj. Irena ka qënë edhe një shoqe e dashur e aktores tjetër të madhe me njohje ndërkombëtare, Katherinë Hepburn, me të cilën ka interpretuar në filmin “The Trojan Women”/1971/.Dikur aktorja shumë e njohur K.Hepburn, dy herë e nderuar me çmimin Oskar, ka deklaruar se: ”… Irena është një nga aktoret më të mira në historinë e kinemasë..”. Një nga miqtë e saj më të afërt ka qënë gjithashtu aktori i madh Marlon Brando.

Sikurse edhe aktorja tjetër greke me renome dhe famë ndërkombëtare Melina Merkuri ka regjistruar disa disqe që kanë marrë statusin e muzikës klasike greke dhe janë bërë shumë popullore.

Disqet e saj janë titulluar “Ode dhe Rapsodi” që përmbajnë 15 këngë dhe himne./KultPlus.com