Filmi i animuar shqiptar përkrahet nga Qendra Kinematografike e Serbisë

Filmi i animuar “Man Wanted”, me skenar e regji nga Irida Zhonga, pasi që, fitoi mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri, tashmë ka marrë mbështetje edhe nga Qendra Serbe e Filmit, shkruan KultPlus.

Ky film po ashtu ka mbështetjen edhe të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Institutit Estonian të Filmit. Ndërsa sa i përket mbështetjes nga Qendra e Shqipërisë, vetë regjisorja u pat shprehur tejet e lumtur.

“Krenare të ju tregoj se po zgjerohet bashkëpunimi ynë ndërkombëtar për filmin e ardhshëm të animuar “Man Wanted”. Qendra Kinematografike e Shqipërisë i është bashkangjitur projektit tonë krahas Greqisë dhe Estonisë. Nuk do mund të isha më e lumtur. Një falënderim shumë të madh për anëtarët e bordit të Qendrës dhe për vendim e tyre për të financuar “Man Wanted”, kryetarit të qendrës Ilir Butka dhe producentes sime mahnitëse Belina Jano”, pati shkruar ajo në postimin e saj në Facebook./ KultPlus.com