“Zgjidh përherë dijen”, historia e trishtë e Isak Njutonit dhe mesazhi që marrim prej jetës së tij

 

Isak Njuton mezi i mbijetoi ditës së parë të jetës së tij. I lindur përpara kohe, Isak Njuton ishte tepër i dobët dhe i vogël. Ndërkohë, i ati i tij kishte ndërruar jetë disa ditë përpara se ai të vinte në jetë.

Kur Isak Njutoni ishte tre vjeç, e ëma e tij u martua me një burrë, i cili nuk donte t’ia dinte për të. Gjërat në familje u acaruan aq shumë, saqë e ëma e la Isakun në duart e gjyshes së tij, në mënyrë që ajo ta rriste, sepse përndryshe në familjen e tyre do të kishte përherë debate. Isaku u ndje i braktisur dhe i refuzuar nga familja e tij përgjatë gjithë jetës. Ai nisi ta urrente aq shumë njerkun, saqë u përpoq edhe t’i vinte flakën shtëpisë së tij…

Rehatia e vetme e tij ishin librat mbi mekanikën dhe teknologjinë. Kalonte orë të tëra duke lexuar mbi to dhe kurrë nuk mërzitej. Edhe pse e ëma i thoshte të bëhej fermer, ai gjithsesi nuk e pëlqente atë zanat. “Duhet të jesh ti që i vendos rregullat, jo të jesh ti që t’i ndjekësh ato”, mendonte Isak Njuton.

Ai ia doli mjaft mirë me shkollën, aq sa fitoi mundësinë të studionte në Kembrixh. Mirëpo kjo do të thoshte për të edhe një përpjekje më shumë për t’ia dalë mbanë me shpenzimet. Bëri punë nga më të ndryshmet, edhe nga ato të konsideruara si “jo tepër burrërore”, si larja e rrobave të të tjerëve, vetëm e vetëm që të përballonte studimet e tij.

Për fatin e tij të mirë, mësuesi i matematikës u bë si një baba për të dhe e ndihmoi jashtëzakonisht shumë me studimet. Mirëpo menjëherë pasi mbylli studimet, ai u izolua si pasojë e një virusi vdekjeprurës, të njohur si Vdekja e Zezë, që kishte marrë jetën e miliona njerëzve në Europë. Këto vite ai i kaloi duke studiuar matematikë dhe fizikë dhe ishte pikërisht kjo periudhë, në të cilën ai formuloi teoritë më të mëdha. Duke qenë një natyrë e qetë dhe e rezervuar, shumë nga teoritë ai i mbajti për vete.

Duke punuar në laborator, Isak Njuton arriti të zbulonte se në fakt, ngjyra e bardhë ishte e përbërë nga një spektër i tërë ngjyrash. Teoritë e tij mbi dritën dhe ngjyrat e nxitën të ndërtonte teleskopin e parë në atë kohë, i cili i siguroi edhe famën e merituar. Por sërish puna e tij vazhdonte të ishte e kritikuar, gjë që e shtyu sërish në izolim.

I gjendur sërish në të njëjtën situatë, ai studioi gravitetin dhe alkiminë në vitet në vazhdim. Duke iu trembur kritikave, ai ishte i frikësuar t’i publikonte përfundimet e tij. Pas dy vitesh pune të lodhshme, ai publikoi librin e tij të parë “Principia” në vitin 1687. Edhe në ditët e sotme, ky libër konsiderohet si më i miri ndër librat e fizikës. Isak Njuton ishte një nga figurat më të rëndësishme të Revolucionit Shkencor. Shpikjet e tij hodhën bazat e një sërë arritjeve të mëvonshme, si eksplorimi i hapësirës edhe në ditët e sotme.

Historia e Isak Njuton është prova se një natyrë kurioze e shtyrë dhe nga një pasion i madh, janë dy cilësitë që e përkufizojnë një gjeni. “Nëse kam arritur të zbuloj diçka me vlerë, ajo ka qenë ta kalis më shumë vëmendjen e vullnetin tim, më tepër se çdo talent që mund të kisha”, ka thënë ai. / MeB /KultPlus.com